Analistët: A do të jenë politikat e Bidenit ndaj Kinës të njëjtat me ato të Trumpit?

Analistët: A do të jenë politikat e Bidenit ndaj Kinës të njëjtat me ato të Trumpit?

21:37, 22/01/2021
A+ Aa A-

Kina po përgatitet të përballet me një administratë të re amerikane pas një viti veçanërisht të vështirë gjatë të cilit Pekini pësoi një seri dështimesh diplomatike për shkak të COVID-19, luftës tregtare dhe çështjeve të të drejtave të njeriut. Një pyetje që shtrohet gjerësisht është nëse Presidenti kinez Xi Jinping do të shkojë më mirë me Presidentin Joe Biden sesa me ish-Presidentin Donald Trump.

Shumica e analistëve thonë se zoti Biden nuk do të ngutet të zhbëjë shumë vendime të ndërmarra nga administrata Trump për Kinën. Por ai ka më shumë të ngjarë të përqendrohet tek të drejtat e njeriut dhe çështjet strategjike sesa të përpiqet ta bëjë jetën më të vështirë për biznesin kinez.

"Ekziston një konsensus dypartiak në Uashington për të qenë të ashpër ndaj Kinës," thotë Zhiqun Zhu, kreu i departamentit të marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin Bucknell.

Administrata Trump njoftoi një seri kufizimesh dhe ndëshkimesh ndaj Kinës gjatë muajve të fundit duke e bërë politikisht të pamundur ose teknikisht të vështirë për administratën e re t'i sprapsë ato, thotë Scott Kennedy, me Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare në Uashington.

Antony Blinken, i emëruar nga Presidenti Biden për të qenë sekretar i Shtetit, ka thënë se pajtohet me paraardhësin e tij, Mike Pompeo, në lidhje me nevojën për të qenë të ashpër ndaj Kinës.

"Mendoj se duhet të sigurohemi që nuk jemi duke importuar produkte që janë prodhuar nga puna e detyruar në Xinjiang ... ne duhet të sigurohemi që gjithashtu nuk po eksportojmë teknologji dhe mjete që mund të përdoren për të çuar më tej shtypjen e qeverisë kineze. Kjo mund të shërbejë si pikënisje", tha zoti Blinken.

Ka çështje të tjera kryesore që ka të ngjarë të ndikojnë në marrëdhëniet SHBA-Kinë.

Sipas një analisti kinez që nuk dëshiron të identifikohet, udhëheqësit kinezë nuk duan të duken se po zbatojnë urdhërat e Uashingtonit për ato që ata i konsiderojnë "çështje thelbësore" të tilla si situata në Tajvan, Xinjiang, Tibet dhe çështje të tilla si të drejtat e njeriut. Siç sugjeron komenti i zotit Blinken, demokratët në administratën e re ka të ngjarë t’i ngrenë këto çështje me forcë, duke rezultuar në disa fërkime me Pekinin.

Pavarësisht nga vështirësitë politike në sprapsjen e masave të ndërmarra ndaj Kinës, administrata e re Biden nuk mund të injorojë vlerësimin realist se lufta tregtare më shumë se tre vjeçare me Kinën, nuk e ka dëmtuar shumë tregtinë kineze, megjithëse mund të ketë shkaktuar probleme për konsumatorët amerikanë.

Deficiti tregtar i SHBA-ve me Kinën në fund të administratës Trump do të jetë rreth 300 miliardë dollarë, afërsisht i njëjtë me atë të fundit të administratës së Presidentit Barack Obama.

Ka disa fusha ku të dyja vendet mund të përpiqen të rregullojnë marrëdhëniet.

"Unë pres që administrata Biden të jetë e gatshme të lehtësojë disa kufizime, për shembull për tarifat apo gazetarët, por vetëm nëse Kina përgjigjet dhe adreson problemet që krijuan këto përpasje", tha zoti Kennedy.

Analisti Zhiqun Zhu rendit fusha të tilla si rinisjen e programeve Fulbright në Kinë dhe Hong Kong, një politikë më mikpritëse ndaj studentëve dhe studiuesve kinezë, kthimin e programit të Korpusit të Paqes në Kinë dhe ndoshta rihapjen e Konsullatës së amerikane në Chengdu dhe Konsullatës Kineze në Houston.

Nga ana e saj, Kina do të përpiqet të shmangë një konfrontim serioz me Shtetet e Bashkuara pasi pësoi disa sprapsje të rëndësishme në fushën diplomatike në vitin 2020.

"Covid-19 me të vërtetë dëmtoi imazhin e Kinës. Shumë vende ende fajësojnë Kinën që nuk ishte transparente dhe nuk veproi mjaft herët për të frenuar përhapjen e virusit”, thotë Zhiqun Zhu. Në të njëjtën kohë, Kina shënoi një sukses diplomatik duke nënshkruar një marrëveshje tregtare me Bashkimin Evropian dhe duke u bashkuar në Partneritetin Ekonomik Gjithëpërfshirës Rajonal, një traktat tregtar që përfshin 15 vende", tha zoti Zhu.

Analisti Kennedy mendon se si Shtetet e Bashkuara ashtu edhe Kina kanë pësuar humbje në reputacionin e tyre gjatë vitit 2020.

"Kina pësoi një pengesë për shkak të pandemisë, shtypjes në rritje në rajonin Xinjiang dhe Hong Kong dhe stilit të saj diplomatik luftëtar. Kam përshtypjen se është sjellja e Pekinit, jo kritika nga jashtë, arsyeja kryesore për problemet e Kinës në vitin 2020. Ato janë të vetë-shkaktuara”, tha ai.

Kina po përpiqet tani të rikuperojë disa nga goditjet në reputacionin e saj duke eksportuar vaksina të COVID-19 në disa vende që kanë nevojë. Sidoqoftë, vaksinat e prodhuara nga ndërmarrjet kineze nuk janë pranuar në të gjithë botën, gjë që po ndikon në përpjekjet e Pekinit për shpërndarjen e tyre.

"Duke pasur parasysh nivelin e ulët të efektivitetit të vaksinës kineze, ekziston një pikëpyetje e madhe se sa kërkesë do të ketë për të, jo vetëm në të gjithë botën, por edhe brenda Kinës", thotë zoti Kennedy.

"Padyshim që Kina dëshiron të përmirësojë imazhin e saj ndërkombëtar. Duke ofruar vaksina dhe mbështetje mjekësore për vendet në zhvillim Pekini do të ndihmojë në rritjen e reputacionit global të Kinës”, tha zoti Zhu./ VOA/

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco