Ursula von der Leyen: Evropa e së ardhmes nuk do të jetë raciste dhe as nacionaliste

Ursula von der Leyen: Evropa e së ardhmes nuk do të jetë raciste dhe as nacionaliste

14:52, 18/09/2020
A+ Aa A-
Nga vaksina për Covid-19, që duhet të jetë për të gjithë, te pagat minimale; nga sfidat e ekologjisë te Brexit: të shumta, çështjet e trajtuara nga kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen, në fjalimin e saj mbi gjendjen e Bashkimit Evropian, para parlamentarëve të Brukselit, mbledhur në asamble të përgjithshme. Ajo njoftoi edhe publikimin e “udhëzimeve” për përdorimin e Fondit të Rimëkëmbjes, sipas Vacican news.

“Nacionalizimi i vaksinave e vë jetën në rrezik, vetëm bashkëpunimi mund të shpëtojë jetë”. Këtë tha dje kryetarja e Komisionit Evropian, Usula von der Leyen, në fjalimin e saj mbi gjendjen e Bashkimit Evropian, para parlamentarëve të Brukselit, mbledhur në asamble të përgjithshme. “Nuk është e mjaftueshme – nënvizoi ajo - ta gjejmë vaksinën, por duhet t’u garantojmë qytetarëve të gjithë botës ta kenë atë”. Evropianët duan të dalin nga kjo botë e koronavirusit, nga kjo brishtësi, theksoi von der Leyen, duke kujtuar “mundësitë” për të rimarrë në dorë kontrollin e situatës, përmes përdorimit të frytshëm të Fondit të Rimëkëmbjes (Next Generation EU). Pikërisht për këtë, sot, Komisioni publikoi edhe udhëzimet përkatëse.

Takim i nivelit të lartë për shëndetësinë

 Kryetarja e Komisionit Evropian bëri thirrje për bashkimin e sistemeve shëndetësore të çdo vendi, duke njoftuar për “një samit global shëndetësor në Itali”, e cila mban kryesinë e radhës së G20-ës. Von der Leyen nënvizoi se për të ndërtuar një të ardhme më të shëndetshme, duhen vënë në lojë mjete, të cilat e largojnë kontinentin nga “brishtësia” dhe pasiguria e çastit historik, që po përjetojmë, karakterizuar nga kriza shëndetësore dhe ekonomike. E për këtë, përvijoi disa udhë.

Pagë minimale për të gjithë

 “Të gjithë në Bashkimin Evropian duhet të kenë një pagë minimale – ngriti zërin ajo. – Funksionon e ka ardhur koha që puna e bërë të shpërblehet”, shtoi kryetarja e Komisionit Evropian, duke folur për ekonominë sociale. “E vërteta - shpjegoi ajo - është se për shumë njerëz puna nuk të shpërblen, ulja e vazhdueshme e pagave cënon rëndë dinjitetin e punës dhe penalizon sipërmarrësit, duke e shpërfytyruar konkurrencën në tregun e brendshëm”. Për t’i dhënë fund kësaj gjendjeje, Komisioni do të paraqesë një propozim legjislativ për të mbështetur shtetet anëtare dhe për të krijuar kuadrin e pagës minimale.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco