Nisin bisedimet historike të paqes mes rivalëve afganë në Doha të Katarit

Nisin bisedimet historike të paqes mes rivalëve afganë në Doha të Katarit

17:08, 12/09/2020
A+ Aa A-

Shtetet e Bashkuara u kërkuan të shtunën fraksioneve ndërluftuese të Afganistanit të përafrojnë qëndrimet në bisedimet e tyre të para të paqes, me qëllimin për të arritur një marrëveshje për ndarjen e pushtetit që do të përshtaste "pikëpamjet e kundërta", e do t'i jepte fund përfundimisht dekadave të tëra gjakderdhjeje në vend.

Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo i bëri komentet gjatë një ceremonie të posaçme në Doha të Katarit, e cila shënoi fillimin e dialogut të ndërmjetësuar nga SHBA, mes delegatëve të grupit kryengritës Taleban dhe qeverisë afgane, të njohura si negociatat ndërafgane, raporton VOA.

“Ky është një rast vërtet i rëndësishëm. Afganët më në fund kanë zgjedhur të ulen së bashku e të hartojnë një kurs të ri për vendin. Ky është një moment kur mund të guxohet për të shpresuar", tha zoti Pompeo.

Ai paralajmëroi që bisedimet ndërafgane "padyshim do të hasin shumë sfida" për shkak të ndarjeve prej dekadash, por palët siç tha ai do të duhet të "bëjnë durim" për të shfrytëzuar mundësinë e shkrimit të një kapitulli tjetër në historinë e Afganistanit.

“Shpresojmë që ky kapitull të jetë ai i pajtimit dhe progresit, jo një tjetër histori lotësh e gjakderdhjeje. Ne ju nxisim të merrni vendime që ju largojnë nga dhuna dhe korrupsioni, drejt paqes dhe prosperitetit", theksoi zoti Pompeo.

Kryediplomati amerikan vuri në dukje se marrëveshja historike që SHBA-ja nënshkroi me Talebanët më 29 Shkurt, krijoi bazat për fillimin e negociatave të së shtunës mes palëve ndërluftuese në Afganistan. Ndërsa tha se u takonte vetëm afganëve që të përcaktonin një sistem të ardhshëm politik për të qeverisur vendin e tyre, zoti Pompeo shtoi se ai shpresonte që rezultati i bisedimeve të respektojë të drejtat e të gjithë afganëve e të mbrojë përparimin shoqëror të arritur gjatë rreth dy dekadave të fundit. “Ndërsa merrni vendimet tuaja, duhet të keni parasysh se zgjedhjet dhe sjellja juaj do të ndikojë si në përmasën ashtu edhe qëllimin e ndihmës së ardhshme amerikane. Shpresa jonë është që të arrini paqe të qëndrueshme dhe qëllimi ynë është një partneritet i qëndrueshëm”, tha ai.

Gjatë ceremonisë së hapjes udhëheqësi i delegacionit të qeverisë afgane Abdullah Abdullah tha se ekipi i tij ka ardhur në Doha me "vullnetin dhe qëllimin e mirë" për të negociuar me Talebanët për t'i dhënë fund 40 viteve gjakderdhjeje.  

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco