Matteo Salvini dhe surpriza e Sardenjës

Matteo Salvini dhe surpriza e Sardenjës

07:04, 15/02/2020
A+ Aa A-

Zgjedhjet rajonale në Itali mbështesin qeverinë. Një tjetër gabim nga lideri populist i Ligës së Veriut

Kjo ndoshta është një prej aforizmave më të famshme të politikës moderne italiane.“Pushteti konsumon të gjithë ata që nuk e kanë”, është një prej shprehjeve më të preferuara të Giulio Andreotti-t, një prej kryeministrave italianë që i ka shërbyer vendit për një kohë të gjatë, shkruan The Economist.

Fjalët e tij kishin një rëndësi të veçantë së fundmi për Matteo Salvinin, drejtuesin e Ligës së Veriut të krahut të djathtë, pasi ai po reflektonte mbi rezultatet e zgjedhjeve. Më 26 janar, kandidati për guvernator i Ligës së Veriut nuk arriti të fitojë në rajonin e Emilia-Romanjës. Z. Salvini ka mbetur pa pushtet që nga gushti i vitit të kaluar.

Deri atëherë, ai ishte një nga dy zëvendëskryeministrat në kabinetin e parë të Giuseppe Conte-s dhe një teknokrat që pati ndikim vendimtar mbi politikën si kryetar i partisë që ka udhëhequr sondazhet që nga mesi i 2018. Por më pas ai sulmoi qeverinë e koalicionit në një përpjekje për të detyruar zhvillimin e zgjedhjeve, duke shpresuar se kjo do t’i jepte atij një shumicë të plotë parlamentare dhe fuqi të pakufizueshme.

Rivalët e tij iu përgjigjën duke formuar një koalicion të ri, pa e përfshirë atë fare. Sipas llogaritjeve të tij të tij të fundit, njëkohësisht edhe më të gabuarat që ai ka bërë ndonjëherë, ai do të fitonte një fushatë, të cilën e dinte se do të ishte më e vështirë seç dukej për t’u fituar. Emilia-Romanja, e cila shtrihet nga qendra në Italinë veriore, gjatë viteve të fundit duket sikur është lëkundur pak nga të qenët një bastion i përhershëm i të majtës. E majta humbi atje në zgjedhjet e përgjithshme në vitin 2018 dhe zgjedhjet europiane në vitin 2019. Por ajo ka rrënjë të thella në një rajon ku Partia Komuniste e dikurshme e Italisë, e zgjodhi atë si një “vitrinë” për të reklamuar “eurokomunizmin” e saj të moderuar.

Guvernatori aktual, Stefano Bonaccini, vlerësohet gjerësisht si drejtues i një administrate efektive. Një sondazh i kryer në dhjetorin e kaluar tregoi se dy të tretat e votuesve në Emilia-Romanja shpreheshin pozitivisht për të. Dhe të shumtë ishin ata që kishin më shumë besim te z. Bonaccini sesa te kundërshtari i tij i Ligës së Veriut. Këshilltarët e z. Salvini mesa duket e paralajmëruan atë për këto rezultate sondazhesh, aspak në favor të tij.

Dy faktorë të tjerë luajtën një rol vendimtar në humbjen emfatike të Ligës së Veriut (kandidati i saj përfundoi me më shumë se shtatë pikë përqindje pas z. Bonaccinit). E para nuk mund të ishte parashikuar: shfaqja në skenë e një lëvizjeje të re, të ashtuquajtur“Sardelet”, një grup aktivistësh të rinj, të krahut të majtë, kundër Salvinit, mbushin qendrat e qyteteve duke të sjellë ndër mend “konservat e peshqve”, pikërisht edhe nga e kanë marrë emrin.

Ata patën sukses në mënyrë të vazhdueshme, në bindjen e disa votuesve, të cilët edhe mund të kishin abstenuar, që të votojnë për z. Bonaccini dhe Partinë Demokratike të qendrës së majtë (PD). Pjesëmarrja arriti në 68% — 30 pikë më shumë sesa në zgjedhjet e mëparshme rajonale në vitin 2014.

Roli i “Sardeleve” në grumbullimin e sa më shumë votave për të majtët, u dha atyre “një falënderim të pamasë” nga lideri kombëtar i PD-së, Nicola Zingaretti. Faktori i dytë, edhe pse jo i parashikueshëm, mund të ishte shmangur padyshim. Në një rajon të njohur për qasjen e tij politike, z. Salvini zhvilloi fushatën e tij të zakonshme, ksenofobike, por që mesa duket nuk arriti të prekte shumë zemra dhe mendje në rajonin e Emilia-Romanjës.
Në një tjetër votim rajonal në rajonin jugor të Kalabrisë, e djathta fitoi bindshëm.

Por ky ishte një ngushëllim i pakët për z. Salvini, pasi guvernatori i ri është nga partia e Silvio Berluskonit, Forza Italia, e cila sot përfaqëson një formë konservatorizmi më pak populiste dhe euroskeptike sesa Liga e Veriut. Kalabria është gjithsesi e veçantë, një rajon në të cilin zgjedhjet politike kushtëzohen shumë nga ndikimi i përhapur i mafies së saj, “Ndrangheta”.

Qëndrimi i pathyeshëm i z. Salvini duket se i përket së kaluarës. Por jo vetëm kaq, tani ai duket se po vihet në lojë nga të tjerët. Kështu, Elsa Fornero, ministre në qeverinë teknokratike të Mario Montit gjatë periudhës 2011-2013, dhe autore e një reforme në tregun e punës me të cilën z. Salvini nuk binte dakord dhe të cilën donte ta hiqte, u shpreh për z. Salvini: “Nuk e di nëse ai ishte vërtet i marrë apo thjesht sillej si i tillë”.

Gjithsesi, mundësitë e liderit të Ligës së Veriut për t’u rikthyer në pushtet mbeten ende të forta. Të dyja zgjedhjet e fundit ishin katastrofike në mënyrë të veçantë për Lëvizjen Pesë Yje (M5S), partneri kryesor në qeverinë e dytë të z. Conte, e cili përfshin gjithashtu PD-në. Lëvizja Pesë Yjet ka pothuajse një të tretën e vendeve në Parlament dhe fuqinë për të vendosur mbi legjislacionin. Megjithatë, kandidatët e saj ranë me 7% në Kalabri dhe një 3% në Emilia-Romanja. Ata u ndihmuan nga dorëheqja katër ditë para votimit e liderit të lëvizjes, Luigi Di Maio, kryesisht në përgjigje të arritjes së tij të turpshme në fletëvotimet e mëparshme dhe trazirave që ishin krijuar.

Lëvizja Pesë Yjet u krijua për të sfiduar partitë e krijuara, duke e kundërshtuar që edhe ajo vetë të quhej një parti dhe duke pretenduar se do të tejkalonte ndarjen midis të djathtës dhe të majtës.

Në mënyrë të pashmangshme, ajo e pati të vështirë sidomos kur u bë koalicion me PD-në. Që nga zgjedhjet e përgjithshme në mars 2018, 24 prej 331 ligjvënësve të Lëvizjes Pesë Yjet e kanë braktisur atë në Parlament.

Ajo që do të ndodhë tani është e paqartë. Z.Zingaretti propozoi që Lëvizja Pesë Yjet të bashkohet zyrtarisht në PD-në në një aleancë elektorale që tashmë përfshin edhe grupe të tjera, më të vogla. Por oferta e tij u refuzua në mënyrë të qartë nga lideri i Lëvizjes 5 Yjet, Vito Crimi. Lëvizja do të mbajë kongresin e saj në mars për të vendosur nëse do të marrë apo jo një drejtim të ri.

Koalicioni qeverisës është i sigurt në Dhomën e Ulët, ku ka shumicën prej 24 vendesh. Por në Senat, problematikat e Lëvizjes Pesë Yjet tashmë i kanë lënë asaj dy vende më pak se shumica dhe varen nga mbështetja e rajonalistëve të pavarur. PD është më e bashkuar. Por kjo është kryesisht sepse ajo ka humbur pothuajse 40 parlamentarë të saj në Italia Viva, një grup i krijuar vitin e kaluar nga ish-kryeministri Matteo Renzi.

Italia Viva nuk është ende parti dhe mbetet në orbitën e qeverisë. Në këtë situatë që ndodhet, zgjedhja më e mirë që mund të bëjë z. Salvini është që të tregohet i vendosur dhe të mos ndryshojë mendim herë pas here, por duke marrë në konsideratë se ai është një lider hiperaktiv dhe i etur për publicitet, një gjë e tillë mund të duket e pamundur për t’u arritur./MONITOR

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco