Lajmi i fundit

LIVE/ Qytetarët tubim në mbështetje të liderit të opozitës, Sali Berisha

Mos e humbisni këtë analizë/ Harry, Meghan dhe Marx

Mos e humbisni këtë analizë/ Harry, Meghan dhe Marx

12:42, 23/01/2020
A+ Aa A-

Çfarë fshihet pas vendimit të Harry dhe Meghan për t’u shkëputur nga familja mbretërore angleze?

Revista ‘The Economist’ sjell një analizë që ka bërë shumë bujë në media.

Në shkrim tregohet se cili është kërcënimi më i madh për monarkinë

Marksi parashikoi që kapitalizmi do të shkatërronte çdo mbetje të feudalizmit. ‘Do të copëtohen të gjitha lidhjet mashtruese feudale, që e mbajnë njeriun poshtë eprorit të tij natyral,’ thuhet në Manifestin Komunist. Kapitalizmi do të mbysë ekstazitë e zjarrta fetare dhe entuziazmin kalorësiak në ujërat e akullta të llogarive egoiste. Çdo subjekt dhe çdo institucion kombëtar do t’i nënshtrohet logjikës revolucionare të tregut global.

Deri më tani, monarkia britanike ishte një nga gjurmët e fundit të sistemit feudal. Shembulli i saj ishte një përgënjështrim i shkëlqyer i marksizmit. Kurora i mbijetoi majave të kapitalizmit viktorian, po ashtu edhe ringjalljes së ortdoksisë së tregut pas vitit 1979. Në librin “Kushtetuta angleze”, Walter Bagehot shpjegon arsyen pse: monarkia, në formën britanike, e përforcoi atë, duke vepruar si një ngjitës që mbante bashkë një shoqëri të ndarë në klasa antagoniste, duke i hutuar masat larg burimeve të vërteta të pushtetit. Ajo injektonte shkëlqim, romancë, mister dhe dramë në jetën e popullit britanik, duke zbutur zymtësinë e të qenurit thjesht një vegël e kapitalizmit.

Por Duka dhe Dukesha e Sussexi-t mund të provojnë se Marksi kishte të drejtë. Ata paraqesin rrezikun më të madh për monarkinë që kur Bagehot mprehu penën e tij. Kërcënimet e mëparshme kanë qenë thjesht individë: Eduardi VIII, princesha Dajana dhe më së fundmi, princi Endrju. Aktualisht është në lojë një sistem i tërë ekonomik. Duke deklaruar se heqin dorë nga postet e larta mbretërore duke vlerësuar lirinë për të fituar të ardhura profesionale, Duka dhe Dukesha kërcënuan se do lëshojnë frymën e kapitalizmit në çdo skutë të monarkisë.

Kjo nuk është hera e parë që Uindsorët kanë eksperimentuar me kapitalizmin. Princesha Dajana i referohej familjes mbretërore si ‘firma’, sepse ishte si biznes në qasjen ndaj monarkisë. Princi Çarls shet mbi 200 milionë sterlina ushqim organik në vit nën markën e tij. Por deri më tani, firma e ka trajtuar kapitalizmin si një shërbëtor të feudalizmit. Princi Çarls i jep fitimet e tij për bamirësi dhe nuk e humbet rastin për të vlerësuar vlerat superiore të ‘botës së vjetër’, duke denoncuar metodat bujqësore aktuale dhe arkiteturën moderne, ndërsa shton se njerëzit po e vendosin fitimin përpara parimit.

Duka dhe Dukesha janë diçka e re. Ata e kanë përqafuar kapitalizmin në formën e tij më moderne: globale më shumë se kombëtare, virtuale më shumë se solide.

Ky lloj kapitalizmi është e kundërta e feudalizmit. Në një shoqëri feudale, ju jeni të lidhur me ndjekësit sipas disa detyrimeve të ndërsjella. Në kapitalizmin e shekullit të 21-të, ju grumbulloni ndjekës që të fitoni para. Në një shoqëri feudale ju ndani parcelat e tokës. Në një shoqëri kapitaliste ju udhëtoni në çdo cep të botës duke kërkuar mundësitë për marketing. Aktori kryesor i situatës aktuale, Meghan Markle është produkt i një biznesi argëtimi, që ka bërë më shumë se çdo industri për të përmbushur parashikimin e Marksit se ‘gjithçka e shenjtë do të përdhoset’ dhe se ‘gjithçka solide do të shkrihet në ajër’.

Sussex-ët janë të vendosur që të shndërrohen në një markë globale. Lëvizja e tyre e parë, pasi njoftuan se do tërhiqeshin nga detyrat mbretërore, ishte që të zbulonin emrin e markës së tyre- Sussex Royal, që ngjan si një patate, por së shpejti do të marrë shkëlqimin e Hollivudit. Ata filluan të punojnë për faqen e tyre në shtator dhe regjistruan logon e tyre, e cila do të përdoret në qindra artikuj, duke nisur që nga çorapet e deri te konsulenca. Ata kanë punësuar një agjenci marketingu të quajtur Article, që ka klientë të njohur, prej kanalit të fëmijëve Nickelodeon, shtëpinë e modes Diane von Furstenberg e deri tek ekipi kanedez i hokejit në akull, Maple Leafs. Ata janë duke eksploruar mundësinë që të krijojnë një marrëdhënie me Disney, një kompani argëtimi që i njeh ca gjëra se si mund të fitosh para duke përdorur imazhin e princërve dhe princeshave.

Ekspertë të ndryshëm të markave thonë se Herri dhe Megan e kanë tashmë markën të gatshme dhe mund të fitojnë deri 500 milionë sterlina që vitin e parë. InfluencerMarketingHub, një faqe në internet, tregon se me 10 milionë ndjekës në Instagram, ata mund të fitojnë deri 34 mijë dollarë për një postim. Semrush, një kompani amerikane, thotë se volumi i kërkimeve për zonjën Markle është tri herë më i madh se për Beyonce.

Tashmë Herri dhe Megan po rishkruajnë rregullat e familjes mbretërore, në mënyrë që ata të sillen si të famshëm më shumë se si shërbyes publikë. Ata po planifikojnë të braktisin sistemin e raportimit mbretëror. Ata do zgjedhin mediat e tyre të preferuara. Një samit paqeje është mbajtur mes tyre dhe Kurorës. Zonja Markle, e cila është në Kanada, nuk mori pjesë, duke e lënë Herrin t’i mbronte kundër gjyshes, babait dhe vëllait.

Ekspertët e marketingut pohojnë se Herri dhe Meghan kanë interes për të ruajtur integritetin e markës së tyre. Por logjika e kapitalizmit të shekullit të 21 është kundër një zgjidhjeje paqësore. Ata do kenë nevojë më shumë se trashëgimia e princit Herri, e cila përllogaritet se shkon nga 30 deri në 40 milionë sterlina, që të bëhen super të pasur. Garancia se marka e tyre do mbetet e nxehtë dhe me përmbajtje do të kërkojë që ata të shfrytëzojnë gjithnjë e më shumë vlera nga monarkia- mbase duke bërë zbulime për racizëm dhe seksizëm në zemër të familjes mbretërore. Drita, që Walter Bagehot tha se nuk duhet lejuar mbi magjinë e monarkisë, nuk është asgjë me shkëlqimin e fuqishëm të kapitalizmit të shekullit të 21-të.

Përgatiti SYRI.net

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco