Brexit/ Johnson plan për 100 ditët e para nëse fiton zgjedhjet

Brexit/ Johnson plan për 100 ditët e para nëse fiton zgjedhjet

14:03, 05/12/2019
A+ Aa A-

Konservatorët britanikë shpresojnë për një tjetër mandat qeverisës në zgjedhjet e 12 dhjetorit. Boris Xhonson ka zbuluar programin e 100 ditëve të para me fokus Breksitin dhe 7 prioritete të tjera. Ai vazhdon të ruajë avantazhin me 10 pikë përballë opozitarëve laburistë.

Kryeministri, Boris Xhonson, ka prezantuar planin e 100 ditëve të para në qeveri nëse fiton zgjedhjet e parakohshme që mbahen javën e ardhshme.

Xhonson tha se fokusi i tij do të jetë realizimi i Breksitit në fund të janarit 2020.

Prioritete të tjera do të jenë rritja e pragut të sigurimeve shoqërore, ulja e taksave për shtresat me të ardhura të pakta, rritja e buxheteve të mbrojtjes, diplomacisë, shëndetësisë dhe arsimit, përmirësimi i shërbimeve celulare në zonat rurale dhe prezantimi i një sistemi të pikëzuar për emigrantët, që rrit kontributet e tyre për shërbimin shëndetësor.

"Ta kemi absolutisht të qartë. Ky është moment historik për ne. Popullit britanik i ka mbetur 7 ditë që të zgjedhë mes një qeverie mazhoritare ose një tjetër parlamenti të paralizuar," deklaroi Xhonson.

Opozitarët i kanë quajtur fantazi premtimet elektorale të konservatorëve.

Laburistët e Xheremi Korbinit thonë se nëse Xhonson rivjen në pushtet, sektorët si shëndetësia rrezikojnë të privatizohen.

Në manifestin e tyre, theksi vihet te shtetëzimi i shërbimeve bazë, pagat më të larta në shtet, shpenzimet në infrastrukturë dhe shëndetësi, dhe adresimi i emigracionit dhe ndryshimeve klimatike.

Sondazhet e fundit vënë konservatorët me 10 pikë avantazh para laburistëve, edhe pse 21 për qind e të intervistuarve thonë se mund të ndërrojnë mendim në datën 12 dhjetor.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco