FOTO/ Kontributi i artistëve në ribashkimin e Berlinit

FOTO/ Kontributi i artistëve në ribashkimin e Berlinit

22:50, 09/11/2019
A+ Aa A-

Në 30 vitet që nga koha e rrëzimit të Murit të Berlinit, që i dha fund ndarjes dhjetra vjeçare mes pjesës lindore dhe asaj perëndimore të qytetit, artistët janë ata që i kanë dhënë jetë të re, ndërtesave të braktisura të stilit komunist në Berlinin Lindor.

Siç njofton Charles Maynes i Zërit të Amerikës, kjo skenë kulturore u bë një forcë shtytëse e pajtimit të Lindjes dhe Perëndimit, një proces që vazhdon edhe sot e kësaj dite, sipas VOA.

Gilbert Florian i di shumë mirë kufizimet e jetës në ish-Gjermaninë Lindore komuniste.

Si gazetar aspirant në Republikën Demokratike të Gjermanisë (Gjermania Lindore), ai kaloi dy vjet në një burg të Stasit të Gjermanisë Lindore.

Ai u burgos për dokumentimin e një skene nëntokësore të muzikës punk në Berlin që konsiderohej "subversive" nga autoritetet.

"Republika Demokratike e Gjermanisë e kishte pasur gjithnjë këtë frikë të tmerrshme nga gjithçka që ishte e ndryshme...madje edhe nga kritikat më të vogla ndaj saj."

Rënia e Murit të Berlinit në vitin 1989 ndryshoi gjithçka. Dhe mes lirive të reja politike, erdhën edhe artistët.

Jim Avignon ishte ndër ata që e panë Berlinin Lindor si një kanavacë për pikturimin e tij të parë të historisë.

“Unë e pikturoja me personazhe atë që ndodhte në atë kohë. Ju mund të shihni biznesmenë që po merrnin nën kontroll Lindjen. Kam pikturuar Portën e Brandenburgut me një shenjë të restorantit McDonalds.”

Berlini ishte i hapur për biznes, por ishte gjithashtu, papritmas, thjesht më i madh. Dhe në ndërtesat dhe fabrikat e dikurshme të destinuara për proletariatin komunist u hapën klube, bare, galeri dhe studio.

Muzikanti Paul Frick ishte në mesin e atyre që nxituan të përqafojnë skenën.

"Kjo u bë papritmas një përvojë e të jetuarit në një qytet më të madh dhe e eksplorimit të gjithçkaje, pasi hapësira e Berlinit është mjaft e madhe. Duhen shumë vite për ta zbuluar atë me të vërtetë."

Një ekspozitë e re e quajtur ‘Asnjë celular në dyshemenë e vallëzimit’ eksploron frymën e asaj kohe.

Një periudhë politikisht çorientuese, kur skena e vallëzimit siguronte një mundësi të rrallë për gjermanolindorët dhe gjermanoperëndimorët që të takoheshin në kushte të barabarta. Një vend, thotë kuratori i ekspozitës, ku gjermanët mund të mblidheshin për t’u ribashkuar pa folur në të vërtetë për ribashkimin.

"Thjesht imagjinoni nëse Koreja e Veriut dhe ajo e Jugut do të ribashkoheshin tani dhe të gjithë të rinjtë do të kërcenin nën tingujt e një lloji të ri të muzikës. Kjo ishte ajo që ndodhi në fillim të viteve 90 në Berlin", thotë Felix Hoffman, kurator i ekspozitës Co-Berlin.

Ajo frymë është akoma gjallë, edhe tani.

Në një të premte mbrëma, kohëve të fundit, ishte një grup nga Moska që tërhoqi turmat në një klub afër vendit ku dikur qëndronte Muri.

Pas 30 vjetësh, Berlini vazhdon të jetë një lidhje thelbësore midis Lindjes dhe Perëndimit. Por tani qyteti është plotë mundësi e jo kufij.

Një qytet që të tregon se, pavarësisht nga cila pjesë jeni, ndonjëherë ne të gjithë duhet të çlirohemi nga kufizimet që kemi. 

     

    © SYRI.net

    Lexo edhe:

    Komentet

    Shto koment

    Denonco