Nga Franziska Tschinderle, PROFIL
Kur Vendim Kapaj flet për fyellin e tij, sytë i mbushen me lot. Instrumenti, thotë ai, vlen më shumë se gjithçka tjetër që zotëron. Një fyell i vërtetë magjik. Vetëm katër fëmijët e tij janë më të çmuar, thotë ai, por fëmijët dhe fyelli janë dy gjëra krejtësisht të ndryshme. Megjithatë, te Kapaj fyelli është trashëgimi familjare. Prej 300 vjetësh ai është përcjellë brez pas brezi, nga babai te djali, gjithmonë tek ai që tregon talent muzikor.
Kapaj, i lindur në vitin 1959 në një fshat të vogël të Shqipërisë së Jugut, i bie fyellit që nga mosha 11-vjeçare. Asnjëherë nuk e ka lënë pas apo e ka humbur. As në vitet 1990, kur si emigrant u arratis përtej kufirit në Greqi për të gjetur punë.
Një instrument shumë i lashtë
Është e pamundur që emri i fyellit të Kapajt të përkthehet në gjermanisht. Në shqip quhet thjesht fyell. Bëhet fjalë për një instrument shumë të lashtë prej druri ose bronzi, që tradicionalisht luhet nga barinjtë në zonat malore të Shqipërisë dhe Ballkanit.
Kapaj konsiderohet si një nga fyelltarët më të mirë, në mos më i miri, i Shqipërisë. Ai ka interpretuar në festivale muzikore, me orkestra simfonike, në televizion dhe në konkurse jashtë vendit. Sipas tij, ka shitur rreth 6.000 CD. Megjithatë, ai kurrë nuk ka mundur të jetojë vetëm nga muzika. Ajo ka qenë gjithmonë një burim të ardhurash shtesë: herë në një festë ditëlindjeje, herë në një dasmë.
Kur në korrik të vitit 2025 një këngëtar mik nga zona e telefonon dhe i thotë se në qytet ndodhej një kompozitor suedez që dëshironte ta dëgjonte duke luajtur, Kapaj nuk bëri asnjë pyetje. Ai u takua me të në një teqe, tempull lutjeje i një urdhri dervishësh. Teqeja është pothuajse po aq e vjetër sa fyelli i tij, e ndërtuar në shekullin e XVII, dhe ndodhet mbi një kodër me pamje nga deti.
Aty ai i luajti suedezit këngë me fyell për pesë orë rresht. Të thuash se mysafiri i huaj mbeti i mahnitur është pak. Kapaj tregon se kompozitori, të cilin ai nuk e njihte, u rrëqeth dhe nisi të qante. Pastaj i tha: "Zoti më ka çuar te mjeshtri". Të paktën kështu e kujton Kapaj.
Kontratën nuk e lexoi siç duhet
Më pas, suedezi dhe ekipi i tij mblodhën mikrofonat dhe pajisjet e regjistrimit, shkuan së bashku për të ngrënë dhe Kapajt iu dha një kontratë, të cilën ai e nënshkroi pa e lexuar me kujdes. Që atëherë nuk dëgjoi më asgjë nga suedezi dhe ngjarjen pothuajse e kishte harruar.
Derisa, një javë më parë, shpërtheu një bujë e pabesueshme mediatike dhe shumë njerëz nisën ta pyesnin për fyellin e tij.
Shkaku ishte premiera në kinema e një produksioni hollivudian me buxhet prej 250 milionë dollarësh. Javën e kaluar, më 17 korrik, doli në mbarë botën filmi “Odisea”, ekranizimi i Christopher Nolan i veprës klasike të Homerit, me superyjet Matt Damon, Anne Hathaway, Zendaya dhe Robert Pattinson.
Ndërsa kritika shkruante pa pushim për filmin e ri të Nolanit, Kapaj u pushtua papritur nga mediat shqiptare. Televizionet shfaqën një pamje të listës së solistëve që kishin kontribuar në kolonën zanore. Njëri prej tyre ishte James Blake, këngëtari britanik i njohur për këngën "Retrograde", me rreth 140 milionë dëgjime. Dhe në atë listë të shkurtër figuronte edhe emri: Fyell – Vendim Kapaj.
Vetëm atëherë 67-vjeçari e kuptoi se për çfarë qëllimi suedezi i panjohur kishte regjistruar interpretimin e tij. Kapaj këmbëngul se gjatë takimit në teqenë e dervishëve nuk dinte asgjë për ndonjë film. Ai thjesht kishte bërë atë që bën gjithmonë kur njerëzit ia kërkojnë me mirësjellje: kishte vendosur fyellin në buzë dhe kishte luajtur.
Dhe tani muzika e tij gjendet në kolonën zanore të një filmi hollivudian!
Dikush mund të mendojë se Kapaj ndihet i mashtruar ose i lënë pas dore. Por ai nuk mban mëri dhe nuk është i zemëruar.
"Jam krenar dhe i lumtur, sepse e kam çuar vendin tim në Hollywood," thotë ai.
Suedezi që kishte ardhur në Shqipërinë e Jugut në korrik 2025 është kompozitori i famshëm Ludwig Göransson, fitues i tre Oscarëve, gjashtë Grammy-ve, dy Golden Globe dhe dy Emmy.
Revista profil i dërgoi atij një kërkesë me shkrim për këtë histori, por deri në mbylljen e redaksisë nuk mori përgjigje.
Edhe Göransson, ashtu si Kapaj, mori instrumentin e tij të parë muzikor në moshë të re: një kitarë elektrike. Kur një orkestër simfonike interpretoi kompozimin e tij të parë, ai ishte vetëm 16 vjeç. Më pas studioi në akademinë e muzikës, u shpërngul në Los Anxhelos dhe u bë kompozitor filmash. Së fundmi ai kompozoi muzikën për "Oppenheimer", gjithashtu një film i regjisorit britaniko-amerikan Christopher Nolan.
Kapaj nuk dëshiron të tregojë se sa mori për incizimin verën e kaluar. Kjo është çështja e tij private, thotë ai. Nuk duhet të ketë qenë shumë, sepse gjatë bisedës ai pranon se në disa dasma në Shqipëri është paguar më mirë.
Kapaj merr një pension prej 100 eurosh në muaj. Dhe këtë vetëm sepse disa vite më parë u punësua edhe një herë për një kohë të shkurtër në bashki. Gjatë jetës së tij ai nuk kishte paguar kontribute shoqërore apo taksa, gjë që në Shqipërinë e viteve 1990 dhe 2000, pas rënies së komunizmit, nuk ishte e pazakontë. Që të kishte të paktën të drejtën për një pension minimal, ai punoi së fundmi dy vjet e gjysmë në Bashkinë e Vlorës, një qytet-port në bregdet, si pastrues mbeturinash.
Me pensionin e tij nuk mund të jetojë, thotë ai. 100 eurot shkojnë menjëherë për energjinë elektrike dhe ujin.
"Fatmirësisht i kam fëmijët e mi", thotë ai. Ata kujdesen për të dhe ai bën një jetë të mirë.
"Mediet në Shqipëri më paraqesin sikur nuk kam para. Kjo nuk është e vërtetë. Unë jam një njeri i kënaqur", thotë ai.
Njëra nga vajzat e tij, tregon ai me krenari, ka studiuar psikoterapi në Vjenë. Një vajzë tjetër punon për Prokurorinë. Kur Kapaj shkroi në grupin familjar në WhatsApp se muzika e tij dëgjohet në filmin e ri të Christopher Nolan-it, njëra nga vajzat iu përgjigj: "Çfarë rastësie, unë po e lexoj pikërisht librin".
15 ditë në këmbë deri në Athinë
Edhe Kapaj i njeh udhëtimet aventureske të Odiseut dhe, në njëfarë mënyre, edhe ai ka pasur Odisean e tij. Ajo e çoi në vende të ndryshme të Mesdheut dhe, për një periudhë, ishte e mbushur me dhimbje.
Pas rënies së komunizmit, qindra mijëra shqiptarë u larguan si emigrantë drejt Italisë ose, si Kapaj, drejt Greqisë.
Ndjenja e të qenit i huaj në një vend të ri, malli për fshatin e vet, për familjen dhe për gjuhën e vet krijuan një zhanër të veçantë muzikor, thotë Kapaj. Punëtorët emigrantë e shndërruan dhimbjen e tyre në këngë dhe melodi.
Në shqip ekziston një shprehje për këtë: "Kurbeti është më i zi se korbi".
Edhe këto këngë dhimbjeje Kapaj ia luajti kompozitorit të famshëm nga Suedia. Dhe bashkë me to edhe një pjesë të biografisë së tij.
Kapaj lindi në vitin 1959 në një fshat të quajtur Kërkovë. Nga kodrat shihet deti dhe ishulli i vetëm i Shqipërisë, Sazani. Ky është ai vend ku Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump, dëshiron të ndërtojë një hotel luksoz.
Në fëmijërinë e Kapajt diçka e tillë do të kishte qenë e paimagjinueshme. Vendi ishte i izoluar dhe shërbimi sekret kontrollonte se kush hynte dhe kush dilte. Kush arratisej rrezikonte të qëllohej për vdekje.
Gjatë kohës së diktaturës Kapaj punonte në industrinë e naftës. Pas rënies së saj ai bëri atë që bënë shumë burra në Shqipërinë e Jugut: emigroi.
Në vitin 1991 ai eci 15 ditë në këmbë nga fshati i tij deri në Athinë. Kur mbërriti, këmbët i ishin mbushur me gjak.
Në bagazh kishte bukë, sheqer dhe fyellin 300-vjeçar.
Gjatë rrugës ai luante herë pas here në rrugë dhe fitonte kështu pak para, por sapo mbërriti në Athinë ndaloi së luajturi.
Një mik shqiptar e pyeti atëherë pse nuk luante në metro.
Kapaj iu përgjigj: "Unë jam artist".
Për të, të luante muzikë për të lypur para ishte diçka pa nder.
Në vend të kësaj ai u punësua në një kamping në gadishullin e Peloponezit, "Camping Paradise", ku pastronte plazhin me rërë.
Pronarët silleshin mirë me të, por përveç kësaj ai përjetoi shumë racizëm, sepse ishte mysliman dhe kishte një emër që grekët nuk mund ta shqiptonin.
Për këtë arsye ai e quajti veten "Christos", që do të thotë "i shenjtëruari", dhe u pagëzua, jo aq nga bindja, sa për t'u asimiluar.
Odiseu u kthye në shtëpi pas dhjetë vjetësh. Për Kapajn ishin pesë. Pastaj ndodhi drama e vërtetë e jetës së tij.
Për dekada me radhë kapitalizmi kishte qenë i ndaluar në Shqipëri. Për rrjedhojë, njohuritë e popullsisë për investimet financiare ishin shumë të pakta.
Në vitin 1997 pjesë të mëdha të popullsisë investuan në skema piramidale mashtruese.
Kapaj humbi të gjitha paratë që kishte fituar me aq mund në Greqi.
"Ishte e dhimbshme", thotë ai sot, "por nuk isha i vetmi."
Në kulmin e skemave piramidale, sipas vlerësimeve, deri në 75 për qind e familjeve shqiptare kishin investuar para – në total mbi 1 miliard dollarë amerikanë.
Puna e fundit: pastrues mbeturinash
Kapaj fillon përsëri nga e para. Ai punon në kantierë ndërtimi, në furra buke, si shitës peshku dhe, krejt në fund, edhe si pastrues mbeturinash.
Ai mërzitet që tani pikërisht këto pamje të tij po qarkullojnë në media. Dhe mund ta kuptosh. Ai, flautisti mjeshtëror, që gjatë gjithë jetës ka punuar në kaq shumë profesione, reduktohet tani pikërisht në këtë punën e fundit.
Të hënën, më 20 korrik, Kapaj shkon me familjen e tij në një kinema Cineplexx në kryeqytetin Tiranë.
Për herë të parë ai sheh filmin, për të cilin nuk dinte asgjë dhe që tani po bën kaq shumë bujë.
Në një skenë ai e njeh përsëri fyellin e tij.
Odiseu është i lidhur pas direkut të një anijeje për t'i rezistuar këngës joshëse të sirenave.
I magjepsur nga këngët e tyre, ai u lutet njerëzve të tij që t'ia zgjidhin prangat. Por ata nuk e bëjnë një gjë të tillë.
Odiseu ulërin dhimbjen e tij pothuajse të padurueshme.
Në atë çast dëgjohet, pothuajse e mbuluar nga britmat dhe zhurma, një muzikë e butë, si një jehonë e largët: fyelli magjik i Kapajt.
© SYRI.net