Nga Ben Hall - FT/
Mirë se u kthyet. Këtë javë, liderët europianë më në fund ngritën zërin për luftën me Iranin dhe, për një herë të vetme, folën njëzëri.
Kërkesa e presidentit amerikan Donald Trump që aleatët e NATO-s ta ndihmonin në një luftë që ai e nisi pa një plan daljeje u refuzua menjëherë nga kryeqytetet europiane.
Kjo nuk është lufta e Europës. Por Europa do të vuajë pasojat. Nga fundi i javës, sulmet e ndërsjella ndaj objekteve të gazit në të dy anët e Gjirit Persik çuan në rritje të menjëhershme të çmimeve globale të energjisë. Pasojat ekonomike për Europën e lanë në hije një samit të BE-së. Uniteti europian është i vlefshëm, por ka kufijtë e tij.
Marrëveshja bërthamore e vitit 2015 me Iranin ishte arritja më e rëndësishme diplomatike e BE-së, përpara se të prishej nga Trump në vitin 2018. Prandaj, fakti që Europa po qëndron si spektatore në një luftë të zhvilluar nga SHBA dhe Izraeli kundër Republikës Islamike tregon qartë dobësimin e rolit të saj global.
Siç ka thënë Pierre Vimont, një ish-diplomat francez dhe drejtuesi i parë i shërbimit të jashtëm të BE-së: “Europianët janë bërë vëzhgues dhe komentues në skenën ndërkombëtare. Ata nuk janë më aktorë.”
Siç raportuan kolegët e mi, reagimi i drejtpërdrejtë i liderëve europianë ndaj kërkesës së Trump ishte një “katarsis”. Ata po mësojnë të thonë jo, në vend që të heshtin ose të përpiqen të qetësojnë një president amerikan të paparashikueshëm dhe konfliktual. Kjo ndjesi është e mirë, kur nuk ka pasoja të menjëhershme. Por kjo mund të mos zgjasë.
Kërkesa kërcënuese e Trump-it që Europa të përfshihej në luftë dhe të ndihmonte në hapjen e Ngushticës së Hormuzit ishte gjithashtu një mundësi për disa vende që të sqarojnë qëndrimet e tyre. Kjo vlen sidomos për kancelarin gjerman Friedrich Merz, i cili fillimisht dukej disi mbështetës pas fillimit të sulmeve nga SHBA dhe Izraeli. Por përshkallëzimi i konfliktit dhe mungesa e një strategjie të qartë nga Trump e ndryshuan qëndrimin e tij, ose të paktën mesazhin.
Humbjae besimit
Sjellja e pamatur e SHBA-së ndaj Iranit e ka bërë më të lehtë për liderët e BE-së të kundërshtojnë Trump-it dhe të bashkohen në thirrjet për ulje tensionesh dhe ndalim të luftimeve. Ajo gjithashtu ka ndihmuar të zbuten dallimet që u shfaqën në fillim të konfliktit, kur kryeministri i Spanjës Pedro Sanchez kritikoi SHBA-në dhe Izraelin për një sulm të paligjshëm, ndërsa të tjerë si Merz dhe presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen shmangën dënimin.
Reagimi fillestar i Merz-it ishte i veçantë: “Nuk është momenti për t’u dhënë leksione partnerëve dhe aleatëve tanë. Pavarësisht dyshimeve tona, ne ndajmë shumë nga qëllimet e tyre, edhe pse nuk jemi në gjendje t’i arrijmë vetë.”
A janë këto dallime thjesht taktike në mënyrën si trajtohet Trump, apo tregojnë diçka më të thellë? Anthony Dworkin nga Këshilli Europian për Marrëdhënie me Jashtë mendon se reagimet fillimisht të paqarta tregojnë “një humbje besimi te parimi i rendit ndërkombëtar që europianët e kanë konsideruar gjithmonë themelor”.
Nathalie Tocci, drejtoreshë e Institutit Italian për Çështje Ndërkombëtare, shkruan se duke qenë se “Europa ka pretenduar prej kohësh se identiteti i saj bazohet në të drejtat, ligjin dhe multilateralizmin”, shpërfillja e këtyre do të dobësonte vetë kuptimin e asaj që Europa është dhe çfarë synon të arrijë.
Ruajtës apo aktorë?
Duke shkruar për Le Grand Continent, Guillaume Duval akuzon von der Leyen-in se “po përvetëson retorikën e Donald Trump-it” në një fjalim të mbajtur para ambasadorëve të BE-së. Sipas tij, ajo dukej sikur po linte pas dore të drejtën ndërkombëtare dhe multilateralizmin, duke i konsideruar të vjetruara.
Ai e kritikon atë që nuk e quajti sulmin SHBA-Izrael ndaj Iranit si të paligjshëm, si dhe për deklaratën e saj:“Europa nuk mund të jetë më ruajtëse e rendit të vjetër botëror. Ne do të vazhdojmë të mbrojmë sistemin e bazuar në rregulla, por nuk mund të mbështetemi vetëm tek ai për të mbrojtur interesat tona.”
Kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht braktisje e ligjit ndërkombëtar, por një pranim se Europa nuk mund të mbështetet më te të tjerët, në veçanti SHBA, për të zbatuar rregullat globale. Ajo duhet të forcojë kapacitetet e saj për të vepruar.
Nëse nuk e bën këtë, respektimi i saj ndaj ligjit ndërkombëtar do të tingëllojë bosh dhe do të vazhdojë të jetë thjesht një komentatore e ngjarjeve botërore.
Siç tha Jacob Funk Kirkegaard nga instituti Bruegel, kjo fillon me aftësinë e Europës për të penguar Rusinë pa ndihmën e SHBA-së. Derisa ta arrijë këtë, ajo nuk do të ketë ndikim të madh në krizat globale ku SHBA është e përfshirë.
Në këtë kuptim, Gjermania, me rritjen e shpenzimeve për mbrojtje, po bën më shumë për të mbështetur vlerat europiane sesa Spanja.
Zgjedhjet e javës nga Beni:Radio publike daneze zbuloi se ushtria e Danimarkës ishte e përgatitur të kundërpërgjigjej, me mbështetjen e Francës dhe aleatëve të tjerë, ndaj një operacioni të mundshëm amerikan për të marrë Groenlandën më herët këtë vit.
Amy Kazmin shkruan për përpjekjen e kryeministres italiane Giorgia Meloni për të reformuar sistemin e drejtësisë, një lëvizje e rrezikshme që ka ngritur shqetësime për dobësimin e kontrollit demokratik në Itali. / FT – Syri.net
© SYRI.net