Referendumi në PD/ Mbyllen votimet në disa qytete, vijon faza e numërimit

Procesi i votimit për referendumin për kryetarin e Partisë Demokratike është mbyllur në disa qarqe të vendit, ndërsa në të tjera vijon ende ose ka nisur faza e numërimit të votave.

Bëhet me dije se votimi është përmbyllur në qarkun e Dibrës, si dhe në disa degë të tjera ku procesi ka përfunduar normalisht gjatë ditës së sotme.

Po ashtu, mbyllje të procesit të votimit raportohet edhe në qytete si Kavaja, Lushnja dhe Saranda, ku tashmë kanë nisur edhe procedurat e numërimit të fletëve të votimit.

LEXO EDHE: Mbyllet referendumI në Gjirokastër për kreun e PD/ Shehu: Votimi në përputhje me rregullat statutore

Ndërkohë, në disa bashki të tjera të vendit, procesi i votimit ka përfunduar dhe është kaluar në fazën e numërimit, si në Shkodër, ndërsa në Mallakastër procesi i numërimit është drejt fundit.

Në Berat dhe Skrapar gjithashtu ka nisur ose ka përfunduar numërimi, duke shënuar kalimin në fazën përmbyllëse të procesit zgjedhor në këto zona.

LEXO EDHE: Demokratët e Durrësit votojnë për kreun e PD-së/ Gazetarja: Proces i qetë në të dy degët

Në të njëjtën kohë, në disa qytete të tjera të vendit procesi i votimit ose numërimit vijon ende, në varësi të fluksit të pjesëmarrjes dhe përfundimit të procedurave zgjedhore në çdo degë të Partisë Demokratike.

Procesi pritet të përmbyllet plotësisht në të gjitha njësitë organizative gjatë orëve në vijim, ndërsa rezultatet përfundimtare do të dalin pas mbylljes së numërimit në çdo qendër votimi.