PAMJE ME DRON/ Oboti nën ujë, banorët: Shkarkimet nga HEC-et rëndojnë situatën në Anën e Malit

Situata në zonën e Obotit, në njësinë administrative Ana e Malit të Bashkisë Shkodër, është përkeqësuar ndjeshëm gjatë orëve të natës. Lëvizja e banorëve është bërë gjithnjë e më e vështirë, ndërsa niveli i ujit ka shënuar rritje të ndjeshme, si pasojë e shkarkimeve nga hidrocentralet.

Banorët e zonës tregojnë se uji ka hyrë në oborre dhe në tokat bujqësore, duke shkaktuar dëme të mëdha në bujqësi.

Sipas tyre, përmbytjet po përsëriten nga dita në ditë, ndërkohë që ndihen të braktisur dhe pa asnjë mbështetje konkrete nga institucionet shtetërore.

LEXO EDHE: Shkodër/ Automjetet e ushtrisë zëvendësohen me varka, rritet sipërfaqja e përmbytur nga HEC-et

Në njësinë Ana e Malit llogaritet se mbi 600 hektarë tokë bujqësore ndodhen aktualisht nën ujë, duke rrezikuar seriozisht jetesën e qindra familjeve që mbijetojnë nga bujqësia dhe blegtoria.

Banorët kërkojnë ndërhyrje urgjente nga shteti, si për menaxhimin e situatës së përmbytjeve, ashtu edhe për dëmshpërblimin e dëmeve të shkaktuara.

Ata shprehen se çdo vonesë po thellon krizën dhe po e bën të pamundur rikthimin në normalitet.

LEXO EDHE: 'Në dorë të Zotit', banori e Shkodrës mes ujit: 100 dynym tokë e përmbytur, në oborr 1.5 metra! Askush s'vjen ta shohë

Situata në qarkun e Shkodrës vijon të mbetet problematike, ndërsa reshjet, prurjet e larta dhe shkarkimet nga HEC-et po rëndojnë edhe më tej gjendjen në zonat e ulëta.