Qytetarët e Durrësit 2 orë protestë marshim para bashkisë: 'S'na mbyti shiu por korrupsioni i Ballukut dhe vjedhjet e Sakos'
Qindra qytetarë të Durrësit marshuan sot drejt Bashkisë, duke denoncuar përmbytjet e përsëritura, mospasrimin e kanaleve kulluese dhe mosveprimin e institucioneve. Protestuesit mbanin pankarta me mbishkrime të forta: “Korrupsioni na mbyti, jo shiu!”, ndërsa thirrjet “Na u bashkoni!” dhe “Durrësi skenë krimi!” dëgjoheshin gjatë gjithë marshimit.
Banorët akuzuan kryetaren e Bashkisë, Emiriana Sako, dhe qeverinë për papërgjegjshmëri dhe korrupsion. Një qytetar i ri me aftësi të kufizuara u shpreh:
“50 milionë euro të vjedhura nga Belinda Balluku dhe 100 milionë nga Ervis Beberi do të ishin mjaftuar për të zgjidhur të gjitha kanalizimet e Durrësit. Nuk është faj moti, nuk është faj shiu, na ka mbytur qeveria!”
Një qytetare e moshuar shtoi me indinjatë:
“Emiriana Sako po na vjedh. Ky vend i bekuar drejtohet nga njerëz të korruptuar. Turp për ata që nuk veprojnë dhe lënë qytetin nën ujë! Do t’i ndëshkojë Zoti për këtë!”
Protestuesit kërkuan shpalljen e gjendjes së emergjencës, dëmshpërblim për banorët e dëmtuar dhe hetim të menjëhershëm për përdorimin e fondeve publike të destinacionit për kanalizimet dhe sistemimin e kanaleve kulluese. Ata akuzuan institucionet se masat e premtuara nuk janë zbatuar dhe se shumë fonde janë keqpërdorur, duke kontribuar drejtpërdrejt në përmbytjet që po përsëriten në qytet.
Lexo edhe: 'Qeveri që vjedh'/ I riu shpërthen në protestën e Durrësit: Na mbyti qeveria e korrupsioni, jo shiu
Protesta përfundoi pas dy orësh marshimi, me qytetarët që lanë një mesazh të qartë: ata nuk do të ndalen derisa drejtuesit e Bashkisë dhe qeveria të japin llogari dhe të sigurojnë zgjidhje për përmbytjet dhe për sigurinë e qytetit.