'Çështja Balluku, si një telenovelë politike', Cakrani: Pa masa sigurie, hetimi rrezikon të dështojë
Avokati Kujtim Cakrani, i ftuar ditën e sotme në “Kafe Shqeto”, u ndal te përplasja mes Prokurorisë së Posaçme dhe pushtetit ekzekutiv, duke e cilësuar situatën e krijuar rreth çështjes Balluku si një “telenovelë politike” që po përdoret për të deformuar thelbin e shtetit të së drejtës.
Sipas Cakranit, hetimi i SPAK-ut dhe reagimet e qeverisë përfaqësojnë dy pushtete të ndara me interesa të ndryshme, ku përplasja nuk duhet të shihet si konflikt personal, por si test real për funksionimin e drejtësisë dhe barazinë para ligjit.
Juristi theksoi se Prokuroria ka të drejtën dhe detyrimin kushtetues për të hetuar dhe për të kërkuar masa sigurie kur ekziston rreziku i prishjes së provave, intimidimit të dëshmitarëve apo deformimit të procesit hetimor, pavarësisht funksionit apo lidhjeve politike të personit nën hetim.
LEXO EDHE: Sulmet e Ramës ndaj drejtësisë/ Reagon KE: Gjyqësori të jetë i pavarur
Avokati solli në vëmendje edhe standardin e dyfishtë që po zbatohet nga institucionet, duke e krahasuar situatën me rastin e ish-Presidentit Ilir Meta, i cili ndodhet në paraburgim me arsyetimin e rrezikut për prishje provash, ndonëse nuk ushtron asnjë funksion publik. Në këtë kontekst, Cakrani ngriti pyetjen nëse drejtësia do të veprojë me të njëjtën masë për të gjithë, apo do të lejojë që pushteti politik të ndërhyjë në ecurinë e hetimeve.
Në përfundim, ai shtoj se edhe kupola e Policisë së Shtetit, të cilën e cilësoi si një strukturë të kriminalizuar, është e përfshirë në përgjime, arrestime dhe veprime të paligjshme, përfshirë ndalimin e ish-Presidentit në mes të rrugës nga forca të paidentifikuara.
LEXO EDHE: Kur Rama deklaronte se nuk mbaj njeri mbi shpinë: Pse për Ballukun i hapi ‘luftë’ SPAK-ut?
Cakrani theksoi se këto veprime përbëjnë shkelje të rënda të ligjit dhe cenim të rëndë të të drejtave themelore, duke vënë seriozisht në pikëpyetje funksionimin e shtetit ligjor në Shqipëri.
Deklarata e plotë:
"Pa dyshim që janë dy çështje krejt të ndryshme, sepse AKSHI është një procedim tjetër nga ana e Prokurorisë së Posaçme, ndërsa zonja Balluku është ajo telenovela ose komedia që kemi disa kohë që ne po e, po e ndjekim. Jo është arrestim i ligjshëm, jo është i paligjshëm, jo masa është e ligjshme e paligjshme.
Gjithsesi duhet të kuptojmë diçka Flavio. Problemi qëndron që e drejta e prokurorisë për të hetuar, padyshim që bie ndesh me, me organin ekzekutiv që është Këshilli i Ministrave për të vazhduar punën e saj. Kështu që të dy kanë, janë dy pushtete të ndara dhe padyshim të dy kanë qëllime të ndryshme. Dhe në kuptim të kësaj mendoj që organi i procedurës ka një të drejtë në këtë, në këtë rast sepse ka të drejtën e tij për të izoluar një person që të cilin ai mendon se në ushtrim të funksionit të tij publik, ai mund të prishë prova, të intimidojë dëshmitarët dhe të kryejë veprime që të fshehë, pra të fshehë provat ose t'i prishë ato dhe të deformojë realitetin.
Dhe në këtë drejtim SPAK-u nuk ka rrugë tjetër përveçse të kërkojë një masë sigurimi për personin. Atij nuk i intereson fare kush është zonja, çfarë roli ka, është mike, nuk është mike e kështu me radhë, me kryeministrit e kështu me radhë.
Problemi qëndron, ai ka interesin e tij që duhet të çojë një hetim deri në fund. Dhe të çojë një hetim deri në fund, i duhet patjetër që të marrë një masë sigurie, sigurimi ndaj kësaj, ndaj kësaj zonjës.
Ki parasysh diçka Flavio, sepse, padyshim që ne nuk mund, nuk punojmë me precedent, sepse Kushtetuta, kodi ynë i procedurës e kështu me radhë nuk e, nuk e njeh këtë, edhe vendimet e gjykatave gjithashtu, por mos harrojmë diçka.
Ne sot kemi ish-presidentin e Republikës, zotin Meta, i cili po mbahet në, në paraburgim vetëm me këtë pretendim, sepse po të dali, ai do prishë provat.
Që ai nuk kryen asnjë funksion publik, nuk ka asnjë mundësi të intimidojë e të prishë prova, është një person i lirë, privat e kështu me radhë. Dhe nëse do kishim një standard, pra do ndiqnim të njëjtin standard, atëherë i bie që zonja Balluku duhet patjetër ose zoti Rama ta largojë si ministre dhe prokuroria të vazhdojë punën e saj, ose prokuroria që të vazhdojë punën e saj e të çojë hetimet deri në fund, sepse po dështojnë nesër do thonë që, shiko, e shikon që prokuroria ishte politike, e shtyti ai, e shtyti ky dhe nuk po, nuk është fajtore kjo nëse nuk do gjenden prova.
Pra, kush do ta mbajë përgjegjësinë këtu nesër? Nëse dështon organi i akuzës, ajo zonja del e pafajshme për arsye sepse nuk u arritën të administroheshin prova, nuk u arritën të pyeteshin dëshmitarët, nuk u arritën të mbroheshin dëshmitarët nga intimidimet e kështu me radhë,
Unë e kam thënë dhe këtu tek ju dhe ju madje dhe më keni kritikuar kur unë kam thënë që kupola e Policisë së Shtetit, Shqipëri, është organizatë kriminale, nga drejtori i policisë dhe gjithë kupola e policisë.
Larg ata policët e ndershëm që rrinë aty në diell, në shi, në borë, në breshër që na mbrojnë ne e kështu me radhë, por kupola e Policisë së Shtetit, Republikës së Shqipërisë, është organizatë mafioze. Dhe faktet po e tregojnë që në çdo arrestim, në çdo telefon, përgjime, edhe ato që kanë ardhur nga jashtë Shqipërisë, është patjetër implikimi i policisë.
Fakti që drejtori i policisë së kësaj Republike urdhëroi operacionalen, grup që është një strukturë e posaçme për arrestimin e personave me rrezikshmëri të lartë, rrezikshmëri të lartë, arrestoi, rrëmbeu në mes të rrugës presidentin. Dhe mua kjo ma lejon këtë që unë t'i them, që drejtori i policisë me gjithë ata atje janë një organizatë kriminale.
Sepse unë nuk i vë dot drejtim tjetër, që ngrihet një polic, rrëmben presidentin në mes të rrugës, pa belxhin e policisë, pa numrin e identifikimit e pa logo e pa kështu".