Kryeministri Edi Rama ndodhet në momentin e tij më kritik si drejtues i një qeverie të korruptuar deri në gen, ku pasi fitoi kohë me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila hoqi masën e GJKKO për pezullimin nga detyra të zëvendëskryeministres Belinda Balluku, tashmë ndodhet para një tjetër zhvillimi, ku SPAK ditën e sotme ka kërkuar heqjen e imunitetit të vartëses së tij, me qëllim arrestimin e saj.
Përmes një reagimi kërcënues në X, Rama i ka shpallur zyrtarisht ‘luftë’ SPAK, duke e kërcënuar se do të mbajë një qëndrim lidhur me kërkesën për të arrestuar zëvendësen e tij, madje duke paralajmëruar edhe rishikimin e Reformës në Drejtësi me forcën e kartonëve.
‘S’mund dhe s’do ta paragjykojmë kërkesën e prokurorit special, por duke qenë se ndryshe nga proceset e tjera, ku ne si rregull s’flasim për përmbajtjen e çështjeve, këtë herë na kërkohet të japim opinionin tonë, ne do të angazhohemi me të gjithë përgjegjësinë tonë përpara shqiptarëve që na dhanë 83 mandate, e do të përgatitemi për të mbajtur një qëndrim të drejtë, të qartë e të denjë, si forca udhëheqëse e vendit dhe e Reformës në Drejtësi’, thuhet në reagimin e Ramës.
Por mos të harrojmë se çfarë deklaronte Rama më herët, kur SPAK kërkonte arrestimin e ish-zëvendësit të tij, Arben Ahmetaj, apo kur ish-kryetari i grupit socialist në Këshillin e Mandateve, Bledi Çuçi, theksonte se PS do të votojë çdo heqje imuniteti nga çdo krah politik.
Në 14 korrik 2023, në reagimin e tij të parë pas votimit në parlament për heqjen e imunitetit ndaj Arben Ahmetajt duke i hapur kështu rrugë arrestimit të tij, Rama theksoi në mesazhin e tij drejtuar qytetarëve, se ai dhe as PS nuk do të mbajnë mbi shpinë asnjë thyerje besimi karshi qytetarëve.
‘Për hir të këtij misioni dhe për t’u kthyer shqiptarëve, me sa fuqitë e mia ma lejojnë, nderin e jashtëzakonshëm që më kanë bërë duke më besuar udhëheqjen e këtij vendi, unë jam gati të mbaj pa asnjë ankim baltën e pambarimtë që kundërshtarët e të gjitha llojeve më hedhin çdo ditë padrejtësisht fytyrë e në gjoks prej vitesh, por nuk kam qenë, nuk jam, e nuk do të jem kurrë gati, të mbaj në shpinë bashkë me Partinë Socialiste, askënd që e kujton gabimisht shpinën e madhe të kësaj familjeje politike, kurrizin e një kali që mund ta kalërojë për të shirë për vete, në lëmin e pushtetit të marrë nga populli’, u shprehte Rama.
Gjithashtu kujtojmë edhe deklaratën e ish-kryetarit të Grupit Parlamentar të PS-së, Bledi Çuçi në mbledhjen e Këshillit të Mandateve rreth 1 vit më parë, ku theksonte se ‘ne si PS do të votojmë çdo kërkesë për heqje imuniteti të çdo krahu’.
Duke i krahasuar këto qëndrime publike dhe deklarata të Ramës dhe ish-drejtuesve në PS në lidhje me qëndrimin ndaj organeve të reja të drejtësisë për heqjen e imunitetit për vartësit e tij dhe qëndrimin e sotëm ndaj kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit për Belinda Ballukun, kuptohet se kryeministri e ka humbur këtë bejetë tashmë, pasi të gjithë e kuptojnë se mbrojtja e zëvendëses së tij është mbrojtje e vetes së tij, nga një arrestim i mundshëm.
© SYRI.net