'Katër krime në 24 orë', gazetari: Shqipëria në alarm dhune, dita e djeshme ishte si në Ukrainë
Shqipëria u trondit nga një valë dhune e paprecedentë, ku brenda një dite ndodhën katër ngjarje të rënda kriminale në qytete të ndryshme të vendit. Gazetari Fatjon Gjini, nga studioja e Kafe Shqeto e përshkroi situatën si një "buletin lufte", duke bërë një rezyme të detajuar të kësaj dite të zezë.
Seria e krimeve nisi në Tiranë, në zonën e Komunës së Parisit, ku një konflikt për motive financiare mes dy kolegëve në një piceri përfundoi në tragjedi. Indrit Selimllari u vra me thikë nga kolegu i tij, Filip Shehu, në një lokal të mbushur me dëshmitarë. Sipas autorit, shkak u bë bullizmi dhe një borxh i papaguar.
LEXO EDHE: FOTO/ Vrasje në lokalin e mbushur me klientë te Komuna e Parisit, gazetari zbulon detajet
Ngjarja e dytë e rëndë u regjistrua në Durrës, ku ndodhi një krim brenda familjes. Marian Koldheli dyshohet se vrau babain e tij, një ngjarje që u raportua fillimisht si pasojë e problemeve të shëndetit mendor të autorit. Ky rast thekson problematikën komplekse të dhunës në familje, e cila kërkon një hetim të thelluar për të zbardhur të gjitha rrethanat.
Në Berat, një tjetër jetë u shua për një arsye tejet banale.
LEXO EDHE: Arrestohet autori/ Djali masakroi me thikë babanë, policia jep detaje: Krimi ndodhi në banesë
42-vjeçari Keli Hoxha u vra me thikë në Kalanë e Beratit nga Kristo Mema, një i moshuar që ofronte shëtitje me kalë për turistët. Konflikti lindi pas një mosmarrëveshjeje për çmimin e disa fotografive që viktima u bëri fëmijëve të tij me kalin e autorit, duke degjeneruar në një akt fatal.
LEXO EDHE: Vrau 42-vjeçarin në Kalanë e Beratit, publikohet fotoja e autorit
Dita u shënua edhe nga një akt i dhunshëm në Shkodër, ku një punonjës i administratës tatimore, Enea Busulja, i shpëtoi një atentati me lëndë shpërthyese. Sasia e tritolit e vendosur në makinën e tij shpërtheu sapo ai e ndezi mjetin, duke e lënë të plagosur. Policia po heton disa pista, përfshirë atë të konflikteve për shkak të detyrës. Kjo panoramë e zymtë tregon një realitet shqetësues të përhapjes së dhunës në mbarë vendin, me motive që variojnë nga ato familjare dhe financiare deri te më banalët.
LEXO EDHE: EMRI/ Shpërthim me tritol në Shkodër, plagoset punonjësi i tatimeve
Fatjon Gjinaj:
"Po, është një statistikë lufte. Ka ditë që edhe në Ukrainë, kur bëhet bilanci i ngjarjeve nga lufta me Rusinë, dalin tre ose katër viktima. E tillë ishte dita e djeshme në Shqipëri.
Ne u habitëm kur ndodhi një ngjarje në Manzë, ku dy njerëz u vranë për një kafe. Një pjesë e shoqërisë shqiptare e ka “kafen” diçka të shenjtë, por dje tre njerëz u vranë, njëri për xhiro me kalë. Kam përshtypjen se gjithçka lidhet me para, të paktën ky është versioni që jep policia.
Dje në Tiranë, në Komunën e Parisit, u vra Indrit Selimllari, punonjës i një picerie, nga kolegu i tij Filip Shehu.
Autori është arrestuar, ndërsa viktima ndërroi jetë në spital. Konflikti nisi për një pretendim financiar; autori ka deklaruar se ishte bullizuar nga kolegu.
Sipas dëshmitarëve, pas një debati, Shehu e sulmoi viktimën me thikë në qafë përpara klientëve të shumtë në lokal.
Në Durrës, në lagjen Shkallnur, Marian Koldheli dyshohet se vrau babain e tij. Fillimisht u raportua se vuante nga probleme të shëndetit mendor, por kjo mbetet për t’u sqaruar. Policia po heton rrethanat e ngjarjes, që shihet si një tjetër rast i rëndë dhune në familje.
Në Berat, 42-vjeçari Keli Hoxha u vra nga 62-vjeçari Kristo Mema në Kalanë e qytetit. Viktima ishte me fëmijët e tij për të bërë fotografi me kalin e autorit. Debati për çmimin degjeneroi në dhunë, dhe Mema e goditi me thikë, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Ngjarjet nisën në Shkodër, ku punonjësi i tatimeve Enea Busulja ra pre e një atentati me tritol. Sasia e lëndës shpërthyese në makinën e tij shpërtheu sapo ai ndezi motorin. Ai mbeti i plagosur, ndërsa policia po heton disa pista, përfshirë edhe atë të detyrës së tij si inspektor.
Është e rëndë u përdor lëndë shpërthyese dhe nuk mund të thuhet se ishte vetëm për t’i dhënë një mesazh. Autorët duket se e kishin në shënjestër, dhe nuk përjashtohet që synimi të ketë qenë eliminimi i tij".