Përmbytjet në Shkodër, Trushi në ditën e tretë nën ujë, banorët: Prej vitesh e njëjta situatë, mjafton të bjerë shi një ditë
Zona e Trushit në Bashkinë Shkodër ndodhet në ditën e tretë të përmbytjes, ndërsa reshjet e dendura të shiut dhe bllokimi i kanaleve vaditëse kanë izoluar plotësisht disa rrugë të zonës.
Banorët shprehen të dëshpëruar, pasi situata përsëritet çdo vit dhe askush nga institucionet nuk ka ndërhyrë për zgjidhje afatgjata.
“Situata është e njëjtë prej disa vitesh. Mjafton të bjerë shi 24 orë dhe përmbytjet rikthehen. Jemi lodhur duke kërkuar ndihmë,” – tregon një banor i zonës, teksa uji ka pushtuar tokat bujqësore dhe ka dëmtuar prodhimet.
Dëmet në bujqësi janë të konsiderueshme, ndërsa në një banesë raportohet prezencë uji në ambientet e brendshme.
LEXO EDHE: Moti i keq në Elbasan, reshje të dendura shiu dhe erëra të forta sjellin vështirësi në qarkullim
Trushi është një nga zonat më të ekspozuara ndaj përmbytjeve në territorin e Bashkisë Shkodër, dhe banorët kërkojnë ndërhyrje urgjente për pastrimin e kanaleve kulluese dhe investime që të parandalojnë përsëritjen e kësaj situate.