Shkuan për të pirë kafe, por ekspresi ishte fikur, si u vranë dy të rinjtë për porosinë e 1 kafeje
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur rreth orës 01:45 të mëngjesit të sotëm (22 tetor 2025) pranë një karburanti në Durrës, ku një konflikt i çastit ka përfunduar me dy persona të vrarë.
Sipas burimeve nga gazetari Elton Qyno, ngjarja ka nisur kur shtetasi Daniel Pepa është konfliktuar me kamarierin e lokalit, duke këmbëngulur që t’i përgatitej një kafe. Kamarieri i ka thënë se nuk mund të shërbente më, pasi ekspresi ishte fikur dhe lokali ishte në mbyllje.
Në debat e sipër ka ndërhyrë një tjetër klient i lokalit, shtetasi Flori Paluçi, i cili i ka kërkuar Daniel Pepës të ulte zërin dhe të mos konfliktohej me kamarierin. Përplasja verbale mes tyre ka vijuar brenda lokalit, ndërsa më pas palët kanë dalë jashtë, ku konflikti ka degjeneruar në përdorim të armëve të zjarrit.
LEXO EDHE: LAJMI I FUNDIT/ Vriten dy persona me armë zjarri pranë një karburanti në Durrës
Nga hetimet paraprake dhe pamjet filmike të siguruara nga grupi hetimor, rezulton se:
Daniel Pepa ka qëlluar me armë dhe ka vrarë shtetasin Flori Paluçi.
Ndërkohë, në shkëmbimin e zjarrit, është përfshirë edhe shtetasi Aranit Kurti, i cili dyshohet se është vrarë nga Flori Paluçi, pak çaste përpara se ky i fundit të mbetej i vrarë nga Daniel Pepa.
Bilanci i ngjarjes së rëndë:
Të vrarë: Flori Paluçi, 33 vjeç dhe Aranit Kurti, 23 vjeç, të dy banues në Manëz.
Autor i dyshuar: Daniel Pepa, 21 vjeç, banues në Manëz,aktualisht i shpallur në kërkim
Policia ka shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të saj.
Grupi hetimor po punon për kapjen e autorit të dyshuar, ndërsa janë sekuestruar pamjet filmike të lokalit si dhe janë marrë dëshmitë e punonjësve dhe klientëve të tjerë.