Plarent Dervishaj planifikoi një tjetër atentat ndaj ‘Rrumit’, ja pse u mbajt sekret operacioni

Detaje të reja janë zbardhur nga operacioni "Komploti".

Burime bëjnë me dije se Plarent Dervishaj, Endrit Sinani, Julian Meçaj, shtetasi A.Sh (lidhje e ngushtë e Dervishajt), dhe Ramazan Rraja, pas dështimit të atentatit të vitit 2019 në mbikalimin e Shkozetit, po planifikonin një tjetër atentat ndaj Aleksandër Lahos ("Rrumit të Shijakut").

SPAK kishte siguruar informacione, dhe sipas të njëjtave burime, ndaj këtyre shtetasve, ishin paraqitur dy kërkesa të tjera nga kjo strukturë, të miratuara nga Gjykata e Posaçme në nëntor dhe dhjetor të vitit të kaluar, por që po me kërkesë të prokurorëve të çështjes, nuk janë ndërmarrë veprime ekzekutimi pasi pritej që disa nga të dyshuarit të ktheheshin në Shqipëri për festat e fundvitit.

Por më pas Prokuroria e Posaçme, duke vlerësuar se kishte kaluar një kohë e gjatë dhe mund të kishte ngjarje të tjera kriminale, prokuroria ka vendosur që të bëjë publik aksionin dhe të arrestojë 5 personat që sot dolën për masë sigurie. 

Gjykata e Posaçme la sot në burg shtetasit Bashkim Haxhija, Marsel Deçka, Endrit Sinani, Genti Ndërjaku i njohur edhe me emrin Kili Ndërjaku dhe Juljan Pjetri, të arrestuar për atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoja dhe 'Rrumit të Shijakut'.

Emrat e mësipërm akuzohen nga SPAK, se kanë konsumuar elementët e veprave penale të “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”. Gjithashtu akuzohen për veprat penale “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”.

Nga hetimet e SPAK rezultoi se Plarent Dervishaj ishte në konflikt me Aleksandër Lahon alias Pëllumb Muharremin i njohur si Rrumi, pasi e akuzonte si organizator të atentatit në fshatin Koxhas, ku udhëtonte në automjet bashkë me miqtë e tij Bashkim Haxhija dhe Jualin Meçaj. Ata mundën të mbijetonin, por Dervishaj pas kësaj filloi të thurte planin për eliminimin e kundërshtarit të tij dhe të prokurorit Arjan Ndoja.

Atentati ndaj prokurorit u organizua rreth orës 16:00 të datës 1 nëntor 2019 në autostradën Durrës-Tiranë, në afërsi të mbikalimit të Shkozetit, ku persona të armatosur qëlluan me armë zjarri mbi automjetin me targa AA 333 ZD, me të cilin udhëtonin shtetasit Andi Maloku, Arian Ndoja dhe Aleksandër Laho. Andi Maloku mori plagë të rënda dhe ndërroi jetë në spital, ndërsa prokurori dhe miku i tij mbijetuan.