Arritja historike e TAP/ Berisha: I them mafies së Sorosit se kam refuzuar ofertat ruse nga Gazprom

Gazsjellësi Transadriatik TAP njoftoi se ka dërguar në Europë mbi 10 miliardë metër kub gaz.

Lajmi historik vjen në momentin kur Europa po përpiqet që të shkëputet nga varësia ruse e gazit.

Ky lajm u përshëndet nga lideri historik demokrat, Sali Berisha, që ka kontributin për realizimin e këtij projekti strategjik.

Berisha tha se Shqipëria u rezistoi presioneve financiare ruse për të lejuar dërgimin e gazit rus nga pjesa jugore e Europës.

Në fund të fjalës së tij, Berisha dërgoi një mesazh për të gjithë ata që e kanë shpallur non-grata për korrupsion. Ai tha se ka refuzuar të gjitha ofertat përrallore nga rusët për të përkrahur projektet e tyre.

“Një mesazh për ata që më shpallën non-grata. I them mafies së George Soros, që vetëm për TAP-in më janë ofruar shuma përrallore, por ai qëndroi në mbrojtje të interesave të vendit të tij dhe evropiane. Isha i bindur se një darë gazi rus nga veriu dhe jugu ishte katastrofë për Europën,” tha Berisha.

I pyetur se për çfarë ofertash bëhet fjalë, Berisha tha se ato kishin ardhur nga gjiganti rus i gazit, nga kompania Gazprom.