‘Paratë e Albcontrol shkuan te Air Albania’/ Pse nuk heton SPAK?

Supervizori i kontrollit ajror në Rinas, Andel Trebicka, ka bërë një akuzë të rëndë në një intervistë televizive. Ai tha se paratë e destinuara për Albcontrol, kanë shkuar për Air Albania dhe për aeroportin e Kukësit.

Trebicka kërkoi hetim për këtë skandal. Por edhe pse Shqipëria po kalon një moment të pazakontë në histori, pasi qielli i saj është bllokuar, SPAK dhe organi i akuzës nuk kanë lëvizur gishtin.

Këto akuza të forta për paratë e devijuara nga Albcontrol për te Air Albania vijnë në kohën kur BIRN raportoi se kriza financiare në Albcontrol ka nisur që në vitin 2018.

Jo rastësisht ky është viti kur u themelua në mënyrë të dyshimtë kompania Air Albania.

Albcontrol është zhvatur vazhdimisht, për të ardhur në këtë pikë kur qeverisë i ka mbetur vetëm të akuzojë në mënyrë të çuditshme opozitën.

Jo vetëm kaq, por ministrja Belinda Balluku, që vetë e ka drejtuar Albcontrol, po u përmend çdo minutë kontrollorëve pagat, duke harruar se nuk është ankuar vetë ndonjëherë për pagën stratosferike që ka marrë në postin e dikurshëm.

Të gjitha këto duhet të ishin subjekt i hetimit direkt të prokurorisë dhe SPAK.