Rrjeti global, çelësat lokalë: Kush e kontrollon internetin tuaj?

Rrjeti global, çelësat lokalë: Kush e kontrollon internetin tuaj?

16:28, 27/05/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Gjatë vitit të kaluar, interneti u kufizua 313 herë në gjithsej 52 shtete. Pas këtij numri fshihen aplikacione të bllokuara, rrjete të fikura dhe miliona njerëz të shkëputur nga shërbimet bankare, puna dhe komunikimi.

Nga Rusia dhe Irani deri në Afganistan, kontrolli mbi internetin është bërë një nga mjetet kryesore që qeveritë e përdorin për ta rrënjosur pushtetin, ndërsa qytetarët detyrohen të bëhen gjithnjë e më të aftë në aspektin digjital vetëm për t’i përdorur platformat që pjesa tjetër e botës “së lirë” i merr si të mirëqena.

Ndërprerja ose bllokimi i internetit po vazhdon pavarësisht shumë kornizave ligjore rajonale dhe ndërkombëtare, si dhe ndikimeve të tyre shkatërruese, ndërsa qeveritë vazhdojnë të fshihen pas argumentit të “sigurisë kombëtare”, shpjegon për Radion Evropa e Lirë FeliciaAnthonio, menaxhere e fushatës “#KeepItOn në Access Now”, një organizatë që punon për mbrojtjen e të drejtave digjitale.

“Në realitet, këto kufizime shkelin të drejtat e njerëzve, u lejojnë autoriteteve të fshehin abuzimet me të drejtat e njeriut dhe krijojnë një boshllëk informacioni që amplifikon dezinformatat e rrezikshme që janë kërcënim për jetën e njeriut”, thotë Anthonio, e cila drejton një fushatë që bashkon individë dhe organizata nga 106 vende që punojnë për t’i dhënë fund kufizimeve të internetit.

Kufizimet si rrugë drejt kontrollit në Iran

Kontrolli mbi informacionin është bërë një nga mjetet themelore të liderëve autoritarë që synojnë t’u fusin thellë rrënjët e regjimeve të tyre. Freedom House në raportin e saj të fundit thekson se ekzistojnë vetëm 18 vende në botë me qasje të lirë në internet.

Nga vendet e Ballkanit Perëndimor, Serbia u përfshi në listë, por u vlerësua si “pjesërisht e lirë” sa i përket lirisë së internetit, një rënie nga vlerësimi i vitit të kaluar si “e lirë”.

Edhe ndër këto 18 vende, gjysma kanë përjetuar rënie të lirive në periudhën e fundit. Liritë në internet kanë qenë në rënie për 15 vjet radhazi dhe askund kjo nuk është më e dukshme sesa në Iran, një vend ku banorët u zgjuan në ditën e fundit të shkurtit me një luftë të re dhe pa internet.

Pas raportimeve se presidenti i vendit urdhëroi rikthimin e qasjes në internet, monitoruesi i pavarur NetBlocks regjistroi një rikthim të pjesshëm të internetit pas 88 ditësh.

Qasja në aplikacione dhe përdorimi i përditshëm “pa brenga” i internetit me të cilin jemi mësuar nuk ishte i mundur në Iran as para 28 shkurtit, për shkak të ndërprerjeve të shpeshta, kufizimeve dhe përdorimit të VPN-ve për të komunikuar lirshëm. Interneti u fik gjithashtu gjatë protestave të janarit, në të cilat mijëra demonstrues u vranë.

Sipas disa vlerësimeve, ndërprerjet e internetit kontribuojnë në humbje të drejtpërdrejta ekonomike prej 30 deri në 40 milionë dollarë në ditë, shpjegon për Radion Evropa e Lirë Pooyesh Azizeddin, studiues i teknologjisë që monitoron çështjet e internetit në Iran.

Ndalimi i fundit i internetit nuk është si rast i izoluar teknik, shpjegon Pooyesh, por pjesë e një plani qeveritar për të ndërtuar infrastrukturë të brendshme që do të monitorohej dhe kontrollohej.

“Rezultati është ngufatja e shoqërisë në mënyrë sistematike. Njerëzit shkëputen nga informacioni, puna, arsimi, kontakti me familjen, komunikimi emergjent dhe debati publik”.

Dëmi më i madh është i natyrës politike dhe shoqërore. Për shumë iranianë, ai shpjegon se hapësira digjitale ishte vendi i fundit për t’u shprehur, për lidhje dhe jetë të pavarur, pasi hapësirat publike fizike u vunë nën kontroll të rreptë.

“Kufizimi i kësaj hapësire i detyron njerëzit të kalojnë në platforma të vëzhguara vendase, ku privatësia dhe anonimiteti zëvendësohen nga mbikëqyrja shtetërore”, theksoi ai.

Ndërprerja e internetit filloi menjëherë pas sulmeve amerikano-izraelite ndaj Iranit. Që atëherë, trafiku i internetit në Iran praktikisht ka pushuar së ekzistuari. Një numër i madh njerëzish në vend nuk kanë qasje në aplikacione, faqe interneti dhe shërbime online.

Siç shpjegon Pooyesh, ata që kanë para, aftësi teknike ose status në institucione apo lidhje politike ka mundësi të gjejnë një mënyrë për t’u lidhur me internetin. Ekziston edhe opsioni i Starlink, megjithëse zyrtarisht është i ndaluar në Iran, por kostoja e pajisjeve është e lartë.

Përveç kësaj, Qeveria ka njoftuar qasje selektive në internet për grupe të caktuara si sipërmarrësit, tregtarët dhe profesorët.

Megjithatë, për shumicën e njerëzve, ajo që mbetet, shpjegon ky ekspert, është migrimi i detyruar drejt shërbimeve vendase brenda të ashtuquajturit internet iranian, ku përdoruesit mund të “identifikohen dhe gjurmohen”.

Përvoja e përdorimit të internetit në Iran dhe në një vend evropian nuk mund të krahasohen. Dhe, nuk bëhet fjalë vetëm për internet më të ngadaltë ose kufizime në platforma të caktuara.

“Në Iran, vetë qasja formësohet nga censura, mbikëqyrja, kontrolli i identitetit dhe rreziku politik”, shpjegon ky studiues.

Ajo që ekziston tani në Iran nuk është një internet “normal”, shton ai. Qasja është e pabarabartë, e rrezikshme, e shtrenjtë dhe e fragmentuar.

Kur ka kufizime, disa njerëz përdorin VPN, pra rrjete virtuale private, ose metoda të tjera për të anashkaluar bllokadën, por kjo kërkon njohuri teknike, kontakte të besueshme dhe përditësime të vazhdueshme.

“Të tjerë përpiqen të përdorin internet satelitor ose karta SIM ndërkombëtare, por këto opsione janë të shtrenjta, të vështira për t’u siguruar dhe mbartin rreziqe ligjore dhe të sigurisë.”

Pa internet me vite të tëra në Rusi

Se si është të përdorësh internetin në kushte të tilla, është diçka shumë e zakonshme për banorët e Rusisë.

Që nga viti 2018, rusët kanë kaluar gjithsej 37.076 orë pa qasje të plotë në shërbimet e internetit, sipas matjeve të Internet Society.

Kjo përkthehet në katër vjet dhe 99 ditë.

Në parim, në vend ekziston qasje normale në internet.

Megjithatë, në realitet, Rusia prej vitesh, paralelisht me pushtimin që nisi ndaj Ukrainës, ka kryer edhe censurë që synon mediat dhe platformat e pavarura.

Sipas matjeve të Open Observatory of Network Interference (OONI), 279 domene mediatike janë të bllokuara në Rusi.

Edhe faqja e Radios Evropa e Lirë është e bllokuar në Rusi, ndërsa redaksian tani funksionon nga Riga dhe Praga pasi REL-i u detyrua të mbyllte zyrën e saj në Moskë. Që nga viti 2017, REL është etiketuar si “agjent i huaj”, ndërsa që nga viti 2024 si “organizatë e padëshirueshme” në Rusi.

Në të njëjtën kohë, rusët po përpiqen të prezantojnë versionet e tyre të YouTube, Telegram dhe aplikacioneve të tjera të njohura përmes aplikacionit Max, për të cilin autoritetet shpresojnë se do të bëhet një “super-aplikacion” që do të përfshijë të gjitha shërbimet në një vend.

Aplikacioni Messenger Max u prezantua vitin e kaluar me mbështetje publike nga presidenti Vladimir Putin, ndërsa nga shtatori të gjithë telefonat e rinj mobilë të blerë në Rusi do ta kenë Max të para-instaluar. Kritikët thonë se kjo është një përpjekje për mbikëqyrje politike dhe censurë.

“Rusia ende nuk është Iran”, thotë Mikhail Kilmarev, aktivist për të drejtat digjitale dhe drejtor i Shoqatës për Mbrojtjen e Internetit.

“Në parim ekziston qasje normale në internet, në kuptimin që njerëzit lidhen, paguajnë operatorët dhe marrin shërbime të internetit”, thotë Kilmarev. Ai shton se në disa shërbime ende mund të qasesh pa pasur nevojë të anashkalohen kufizimet.

Megjithatë, nëse dëshiron të përdorësh platformat e bllokuara, duhet të dish si t’i anashkalosh kufizimet. Dhe shumë gjëra janë të bllokuara, përfshirë platformat e Meta-s, X, Telegram dhe Viber. Për këtë arsye, njerëzit përdorin VPN, dhe sipas vlerësimeve të Kilmarevit, ky sistem për anashkalimin e kufizimeve përdoret nga mbi 60 milionë njerëz, ose rreth 60 për qind e të gjithë përdoruesve të internetit në Rusi.

Edhe YouTube është i bllokuar në vend, ndërsa disa shërbime të Google funksionojnë, por shumë dobët. Siç shpjegon Kilmarev, Gmail funksionon, por është e ndaluar të përdoret për regjistrim brenda vendit.

“Pra, në fakt, ata nuk e përdorin atë”, shpjegon ky ekspert i të drejtave digjitale.

Në një ambient të tillë, bllokadat dhe kufizimet po e bëjnë komunikimin gjithnjë e më të vështirë, ndërsa Qeveria ruse prej kohësh censuron përmbajtjen online për të kufizuar opozitën, monitoron trafikun e internetit me arsyetimin e sigurisë dhe forcon kontrollin mbi mediat.

Se sa e ndërlikuar është sot të flasësh me dikë në Rusi, këtë e di mirë vetë Kilmarev, i cili nuk jeton më në vend, por ende komunikon me njerëzit atje.

“Qëkurse Telegrami u bllokua, nuk mund të komunikoj realisht me nënën time, e cila është në moshë dhe nuk mund ta ndezë e fikë lehtë VPN-in. E kuptoj mirë si duket e gjithë kjo. Dhe natyrisht, duket tmerrësisht”, thotë ai.

Ai thekson se kufizimet filluan derisa ai ende jetonte në vend dhe se ishte shumë e dukshme se si gjërat po bëheshin gjithnjë e më keq.

Sot, organizata e tij po punon në një projekt përmes të cilit, me një rrjet prej dhjetë mijë aktivistësh, u ofrojnë rusëve VPN falas.

“Aktivisti e ndihmon përdoruesin të lidhet me internet. Ne kemi rreth gjysmë milioni përdorues”, tregon ai./ REL.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco