Hulumtime të reja sugjerojnë se inteligjenca artificiale mund të përdorë ndryshime të fshehta në zërin e njeriut për të zbuluar shenja të hershme sëmundjesh, përfshirë kancerin e laringut. Ky lloj kanceri mbetet një problem serioz global: në vitin 2021 u diagnostikuan rreth 1.1 milionë raste dhe afërsisht 100,000 persona humbën jetën. Faktorët kryesorë të rrezikut përfshijnë duhanpirjen, konsumimin e lartë të alkoolit dhe infeksionin me HPV. Shanset e mbijetesës ndryshojnë shumë, në varësi të vendndodhjes dhe fazës së tumorit në momentin e diagnostikimit.
Zbulimi i hershëm është vendimtar, por metodat aktuale diagnostikuese, si endoskopia nazale me video dhe biopsitë, janë invazive dhe jo gjithmonë të aksesueshme shpejt. Kjo mund të vonojë diagnozën dhe trajtimin. Një studim i publikuar në Frontiers in Digital Health propozon një qasje alternative: analizimin e zërit me ndihmën e inteligjencës artificiale.
Shkencëtarët zbuluan se ndryshime shumë të vogla në zë mund të tregojnë probleme në kordat vokale. Këto lezione mund të jenë beninje, si noduset ose polipet, por ndonjëherë sinjalizojnë edhe fazat e hershme të kancerit të laringut. Studiuesit analizuan elemente si toni, lartësia e zërit, volumi dhe qartësia, duke përdorur mbi 12,500 regjistrime zanore nga më shumë se 300 pjesëmarrës në Amerikën e Veriut.
Analiza u përqendrua në tregues të matshëm të të folurit, përfshirë frekuencën bazë, variacionet e vogla të saj, ndryshimet në amplitudë dhe raportin harmonik-zhurmë, që mat cilësinë e tingullit kundrejt zhurmës në sfond. Studiuesit gjetën dallime të qarta tek burrat midis zërave normalë, atyre me lezione beninje dhe pacientëve me kancer të laringut. Këto modele nuk u panë qartë te gratë, ndoshta për shkak të numrit më të vogël të të dhënave.
Rezultatet sugjerojnë se analiza e zërit mund të shërbejë si biomarker praktik për zbulimin e hershëm të kancerit. Hapi i ardhshëm është trajnimi i algoritmeve me baza më të mëdha të dhënash dhe testimi në mjedise klinike reale.
Sipas studiuesve, nëse rezultatet konfirmohen, mjetet diagnostikuese të bazuara në zë mund të hyjnë në testime pilot klinike brenda pak vitesh, duke ofruar një mënyrë të thjeshtë, jo-invazive dhe të shpejtë për identifikimin e hershëm të rrezikut për kancer. / Scitech Daily – Syri.net
© SYRI.net