Lajmi i fundit

LIVE/ Kreu i PD, Sali Berisha paraqitet në SPAK

xAI padit Apple dhe OpenAI për marrëveshjen e integrimit të ChatGPT në iPhone

xAI padit Apple dhe OpenAI për marrëveshjen e integrimit të ChatGPT në iPhone

22:19, 25/08/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

xAI, kompania e Elon Musk, ka ngritur padi kundër Apple dhe OpenAI, duke akuzuar dy gjigantët e teknologjisë se kanë shkelur rregullat antitrust përmes marrëveshjes së tyre për integrimin e ChatGPT në iPhone.

Sipas Financial Times, xAI pretendon se marrëveshja mes Apple dhe OpenAI, e nënshkruar në vitin 2024, i jep ChatGPT avantazh ekskluziv si i vetmi chatbot gjenerativ i integruar në mënyrë të drejtpërdrejtë në smartphone-t e Apple. Në padi thuhet se kjo u siguron miliarda përdoruesish potencialë OpenAI-t dhe pengon konkurrencën në tregun e inteligjencës artificiale.

Padia akuzon gjithashtu Apple për manipulim të renditjes në App Store dhe vonesa në përditësimet e aplikacioneve për të dëmtuar Grok, chatbot-in e zhvilluar nga xAI. Musk e ka lidhur këtë me “mungesën e inovacionit” të Apple në sektorin e AI, duke kritikuar edhe problemet në lançimin e sistemit Apple Intelligence.

Nga ana e saj, OpenAI reagoi duke thënë se ky hap është “në përputhje me modelin e vazhdueshëm të ngacmimeve të Musk”. Apple nuk ka dhënë ende një koment për padinë, por më herët ka deklaruar se App Store është “i ndërtuar për të qenë i drejtë dhe paanshëm”.

Musk, që bashkëthemeloi OpenAI në vitin 2015 dhe e la bordin në 2018 pas përplasjes me Sam Altman, ka qenë prej kohësh një kritik i fortë i kompanisë. Ai është duke e paditur gjithashtu në Kaliforni, duke pretenduar se ndjekja e fitimeve përbën shkelje të marrëveshjeve fillestare. Më herët këtë vit, Musk bëri një ofertë për të blerë asetet kryesore të OpenAI, por kjo u refuzua.

Kjo padi vjen gjithashtu në vazhdën e marrëdhënieve të tensionuara mes Musk dhe Apple. Në vitin 2022, ai e akuzoi kompaninë se kërcënoi ta hiqte Twitter (sot X) nga App Store, ndërsa një vit më pas, Apple pezulloi përkohësisht reklamat në platformë pas polemikave publike me Musk.

Padia e fundit akuzon Apple dhe OpenAI se kanë përdorur edhe rrjetin social X për të “përhapur dezinformata mbi planin e tyre antikonkurrues”.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco