Google njoftoi të enjten se një kërkesë e vetme me tekst drejtuar asistentit të tij të inteligjencës artificiale, Google Gemini AI Assistant, konsumon rreth 0.24 vat-orë, pak më pak se energjia e përdorur nga një televizor gjatë nëntë sekondave funksionimi. Sipas kompanisë, për të ftohur qendrat e të dhënave që operojnë AI, nevojiten rreth 2.26 mililitra ujë, ose pesë pika uji për çdo pyetje.
Industria e teknologjisë është përballur me shqetësime për ndikimin e aplikacioneve të AI në konsumim energjie dhe ujit, por Google thekson se qendrat e të dhënave po bëhen gjithnjë e më efikase. OpenAI, kompania prapa ChatGPT, në një krahasim të ngjashëm në qershor vlerësoi se një kërkesë mesatare e AI konsumon 0.34 vat-orë, gati po aq sa një furrë elektrike që punon për një sekondë.
Ekspertët paralajmërojnë se edhe pse kërkesat individuale mund të bëhen më efikase me përmirësimet teknologjike, vëllimi i madh i përdorimit të AI po rrit ndjeshëm kërkesën për energji në qendrat e të dhënave. Shifrat e raportuara nga Google dhe OpenAI nuk përfshijnë energjinë e madhe të konsumuar gjatë trajnimit fillestar të modeleve të AI në grupe të mëdha të dhënash.
© SYRI.net