Greqia po ndërmerr hapa të mëdhenj në zhvillimin e infrastrukturës digjitale me hapjen e qendrës më të madhe të të dhënave deri më tani, në përgjigje të rritjes së kërkesës globale për shërbime cloud dhe kapacitete për inteligjencën artificiale.
Të martën, kompania greke e energjisë dhe industrisë Metlen dorëzoi në përdorim objektin e ri për kompaninë Digital Reality, që zotëron mbi 300 qendra të dhënash në mbarë botën. Qendra e quajtur Athens-3 (ATH3), me një sipërfaqe prej 8,600 metrash katrorë, ndodhet në qytetin e Koropit, pranë Aeroportit Ndërkombëtar të Athinës.
ATH3 do të ofrojë shërbime të avancuara të ruajtjes, menaxhimit dhe përpunimit të të dhënave, duke shërbyer jo vetëm Greqinë, por edhe Evropën Juglindore dhe rajone më të gjera.
Bumi i inteligjencës artificiale ka rritur nevojën për qendra të dhënash me kapacitet të jashtëzakonshëm kompjuterik për trajtimin e modeleve komplekse. Sipas analizës së McKinsey, kërkesa për kapacitete të tilla në Evropë pritet të trefishohet deri në vitin 2030.
Kryeministri Kyriakos Mitsotakis, i cili ishte prezent në inaugurimin e ATH3, theksoi: “Brenda pesë vjetësh, sektori i teknologjisë do të kontribuojë me 10% në PBB-në e vendit tonë.”
Qendra ATH3 iu bashkohet kampusit ekzistues të Digital Reality në Greqi, përfshirë ATH1, ATH2 dhe HER1 në Heraklion.
Përveç Digital Reality, edhe kompania franceze DATA4 po zhvillon një kampus të ri në Peania, në lindje të Athinës, me një investim prej mbi 300 milionë eurosh. Ky projekt pritet të jetë funksional në fillim të vitit 2027 dhe është pjesë e një plani më të gjerë investimesh prej 7 miliardë eurosh në Evropë deri në vitin 2030.
DATA4 parashikon të krijojë mbi 7,000 vende pune në kampuset e saj evropiane dhe më shumë se 500 vende pune në Greqi.
Ky bum investimesh në qendra të të dhënave pozicionon Greqinë si një aktor të rëndësishëm në infrastrukturën dixhitale të Evropës juglindore dhe thekson rëndësinë e teknologjisë në zhvillimin ekonomik të rajonit.
© SYRI.net