DeepSeek tronditi tregun dhe sfidoi dominimin amerikan në IA... Por, a ishte kjo vetëm një alarm fals?

DeepSeek tronditi tregun dhe sfidoi dominimin amerikan në IA... Por, a ishte kjo vetëm një alarm fals?

09:39, 10/08/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Presidenti amerikan Donald Trump sapo kishte hyrë në javën e parë të mandatit të tij kur një aplikacion i ri kinez i inteligjencës artificiale, DeepSeek, tronditi Silicon Valley-n.

Brenda natës, DeepSeek-R1 u bë aplikacioni më i shkarkuar falas në SHBA përmes Apple Store. Kompania pretendoi se biseduesi i tyre IA ishte në nivelin e ChatGPT, por me një kosto shumë më të ulët për zhvillim.

Këto pretendime – dhe popullariteti i papritur – shkaktuan rënien më të madhe ndonjëherë të vlerës së një kompanie në bursën amerikane: 600 miliardë dollarë humbje për gjigantin e çipeve Nvidia, rreth 17% e vlerës së saj.

Edhe aksione të tjera të lidhura me IA ranë për shkak të ndikimit.

Kjo solli dyshime për dominimin amerikan në IA, pasi Kina, e konsideruar më parë pas SHBA-së në këtë fushë, dukej se kishte kaluar në avantazh.

Investitori i njohur Marc Andreessen e quajti daljen e DeepSeek “momentin Sputnik” të IA-së, duke iu referuar garës hapësinore të Luftës së Ftohtë.

6 muaj më pas – ku është DeepSeek?

Sot, 6 muaj më vonë, DeepSeek nuk është më në faqet e para të mediave. Në San Francisko, nuk përmendet më në diskutimet e mbrëmjes – por aplikacioni nuk ka zhdukur.

DeepSeek vuri në pikëpyetje disa parime që ishin bërë standarde në industrinë e IA-së, si ai që thoshte: "më i madh do të thotë më i mirë."

Sipas Sid Sheth, CEO i d-Matrix, një startup i çipeve për IA, DeepSeek tregoi se me inxhinieri të zgjuar, mund të ndërtosh modele shumë të fuqishme edhe pa infrastrukturë të madhe.

Kur u shfaq në fund të janarit, shumë përdorues e shkarkuan menjëherë, përpara se kompanitë të ndalonin përdorimin e tij për arsye sigurie, pasi aplikacioni është i bazuar në Kinë.

Megjithatë, shumë amerikanë ende e përdorin, dhe disa startup-e në Silicon Valley e kanë zgjedhur si alternativë më të lirë ndaj modeleve të kushtueshme të kompanive amerikane.

Përdoruesit më të kujdesshëm e instalojnë DeepSeek-R1 në pajisjet e tyre lokale, në mënyrë që të mos lidhen me serverët në Kinë, për të shmangur rrjedhjen e të dhënave.

Një moment kthesë në garën SHBA-Kinë për IA

Ekspertët e shohin daljen e DeepSeek si një pikë kthese në rivalitetin teknologjik mes SHBA-së dhe Kinës.

Wendy Chang, analiste në Mercator Institute, thotë: “Deri atëherë, Kina shihej si e prapambetur në zhvillimin e modeleve të mëdha gjuhësore (LLM). DeepSeek e ndryshoi këtë perceptim.”

OpenAI, për shembull, shpenzoi 5 miliardë dollarë në vitin 2024, ndërsa DeepSeek deklaroi se zhvilloi R1 për vetëm 5.6 milionë dollarë, duke e mposhtur modelin GPT-o1 në disa testime.

Trump dhe kompanitë amerikane e përdorën këtë zhvillim për të nxitur investime në IA dhe për të paralajmëruar për rëndësinë strategjike dhe ushtarake të teknologjisë.

Zyrtarë të SHBA kanë ngritur shqetësime për lidhjet e mundshme të DeepSeek me ushtrinë dhe shërbimet sekrete kineze, ndërkohë që politika e privatësisë e kompanisë pranon se të dhënat mund të ruhen në serverët e saj në territorin e Republikës Popullore të Kinës.

A e ndryshoi DeepSeek qasjen ndaj IA?

Javën e kaluar, OpenAI publikoi për herë të parë në 5 vjet modele të hapura dhe falas, një hap që lidhet direkt me ndikimin e DeepSeek.

Sipas Sid Sheth:
“DeepSeek provoi se modele më të vogla e më efikase mund të ofrojnë performancë të lartë – dhe kjo ndryshoi mendësinë në industri.”

Megjithatë, disa besojnë se gjigandët amerikanë po kthehen sërish te qasja e vjetër: investime të mëdha, më shumë qendra të dhënash, më shumë çipe dhe më shumë fuqi kompjuterike.

OpenAI publikoi GPT-5, duke njoftuar rritje të ndjeshme të kapaciteteve kompjuterike.

Meta, nën drejtimin e Zuckerberg, ka investuar miliarda në IA, duke ofruar paketa pagese deri në 100 milionë dollarë për të rekrutuar talente nga rivalët.

Nvidia, kompania që u godit fillimisht nga DeepSeek, jo vetëm që është rimëkëmbur – por është bërë kompania më e vlefshme në historinë e bursës botërore.

Christopher Caen nga Mill Pond Research thotë:
“Narrativa fillestare e ndryshimit radikal rezultoi pak e ekzagjeruar.”

E ardhmja e DeepSeek

Sipas Marina Zhang, pedagoge në Universitetin e Teknologjisë në Sydney:
“DeepSeek po përballet me sfida serioze për të ruajtur vrullin.”

Produktet e reja janë vonuar – sidomos DeepSeek-R2, për shkak të mungesës së çipeve të avancuara dhe konkurrencës së ashpër nga SHBA dhe vetë Kina./BBC

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco