Një numër gjithnjë e më i madh përdoruesish po publikojnë pa dashje bisedat e tyre me inteligjencën artificiale në rrjete sociale dhe platforma publike, duke rrezikuar ndjeshëm privatësinë personale dhe profesionale.
Këto biseda shpesh përmbajnë të dhëna të ndjeshme – që nga dyshimet për marrëdhënie personale, deri te informacione konfidenciale të punës – të cilat mund të bëhen lehtësisht të aksesueshme përmes një kërkimi në Google.
Ekspertët e sigurisë kibernetike paralajmërojnë se këto veprime përbëjnë një kërcënim serioz për privatësinë. Të dhënat e ekspozuara mund të përfundojnë në duar të gabuara, duke u përdorur për mashtrime, vjedhje identiteti apo dëmtim të reputacionit personal dhe të kompanive.
“Mos ndani kurrë biseda me AI që përmbajnë informacione personale, të ndjeshme apo profesionale,” këshillojnë ekspertët, duke shtuar se nëse dëshironi të ndani ndonjë pjesë të bisedës, duhet të përdorni vetëm fragmente neutrale dhe të redaktuara, duke shmangur ndarjen e linkëve të historikut.
Rreziqet janë reale dhe në rritje. Përdoruesit duhet të jenë të vetëdijshëm se edhe kur një shërbim është falas, të dhënat janë monedha më e shtrenjtë. Në këtë epokë dixhitale, mbrojtja e informacionit është më shumë se një zgjedhje – është një detyrim.
© SYRI.net