Microsoft njoftoi se të ardhurat vjetore nga platforma e saj cloud, Azure, kanë arritur në mbi 75 miliardë dollarë, një rritje prej 34% krahasuar me vitin e kaluar. Azure është në qendër të strategjisë së kompanisë për zhvillimin e Inteligjencës Artificiale, por deri tani kjo ishte hera e parë që Microsoft publikonte të ardhurat e saj.
Raporti financiar vjetor i kompanisë tregoi edhe një rritje prej 24% të fitimit tremujor, që arriti në 34.3 miliardë dollarë, ose 3.65 dollarë për aksion, duke tejkaluar pritshmëritë e analistëve. Të ardhurat për periudhën prill-qershor ishin 76.4 miliardë dollarë, 18% më shumë se një vit më parë.
Microsoft ka mbi 400 qendra të dhënash në gjashtë kontinente dhe po investon fort për të përballuar kërkesën në rritje për cloud dhe AI, ndonëse mbetet pas Amazon Web Services, që raportoi 107.6 miliardë dollarë të ardhura vjetore.
Për të përballuar kostot e larta të infrastrukturës, kompania ka pushuar rreth 15 mijë punonjës këtë vit, edhe pse numri total i punësuarve mbetet 228 mijë. Reduktimet janë mirëpritur nga investitorët, pasi Microsoft dhe kompani të tjera po rrisin ndjeshëm shpenzimet kapitale. Vetëm për tremujorin korrik-shtator, Microsoft planifikon 30 miliardë dollarë investime.
Në raportin vjetor, kompania përmend gjithashtu tarifat amerikane dhe pasiguritë gjeopolitike si rreziqe që mund të ndikojnë në zinxhirin e furnizimit për teknologjitë cloud dhe AI.
© SYRI.net