Një byzylyk i ri i zhvilluar nga studiuesit e kompanisë Meta premton të revolucionarizojë mënyrën sesi njerëzit ndërveprojnë me teknologjinë, duke mundësuar kontrollin e pajisjeve kompjuterike pa prekje fizike.
Pajisja, e vendosur në kyçin e dorës, përdor sinjale elektrike të prodhuara nga muskujt e parakrahut për të dërguar komanda në një kompjuter nëpërmjet inteligjencës artificiale.
“Byzylyku neuromotor”, siç e quan Meta, është i aftë të kapë edhe dridhjet më të imëta të muskujve dhe t’i përkthejë ato në veprime të qarta digjitale – duke e bërë të mundur që përdoruesi të shkruajë në ajër ose të luajë një lojë me vetëm një lëvizje të lehtë të gishtit.
Në një demonstrim video, një përdorues shkruan në ajër fjalët “përshëndetje botë” dhe sistemi i njeh ato në kohë reale. Kjo teknologji shmang nevojën për ndërhyrje kirurgjikale, ndryshe nga shumë ndërfaqe të tjera tru-makinë, dhe përdor elektroda që vendosen jashtë trupit për të regjistruar sinjalet e trurit të transmetuara përmes muskujve.
“Vendosëm të ndiqnim një qasje që nuk kërkon të shpojmë në trupin tuaj për të dëgjuar trurin. Mund ta bëjmë nga jashtë,” tha Thomas Reardon, nënkryetar i kërkimeve në Meta Reality Labs.
Sipas tij, qëllimi është krijimi i një teknologjie universale që mund të përdoret nga çdokush, pavarësisht stilit të lëvizjes apo nevojave fizike. “Ne ndoqëm qasjen: si do ta ndërtonim këtë që të funksiononte menjëherë për tetë miliardë njerëz?”
Meta ka publikuar mbi 100 orë të dhëna muskulore nga më shumë se 300 pjesëmarrës dhe shpreson që ky studim të shërbejë si një udhërrëfyes për komunitetin shkencor në zhvillimin e ndërfaqeve të tjera neuromotore.
Përveç kontrollit të pajisjeve, kjo teknologji mund të ketë ndikim të rëndësishëm edhe në fushën e aksesueshmërisë për persona me aftësi të kufizuara. Meta parashikon që kurba e përmirësimit të vazhdojë me rritjen e të dhënave dhe përfshirjen e më shumë përdoruesve në procesin e trajnimit të inteligjencës artificiale.
Teknologjia është ende në fazën eksperimentale, por premtimet e saj e sjellin edhe më afër realitetit ndërveprimin me kompjuterin përmes mendimit.
© SYRI.net