Kina mbërthen Serbinë duke e zhytur në borxhe

Kina mbërthen Serbinë duke e zhytur në borxhe

Nga Barbara Surk - 11/09/2017

Kur Presidenti i Kinës Xi Jinping zgjodhi një qytet industrial buzë Danubit për të njoftuar se Serbia ishte qendra e iniciativës infrastrukturore “Një brez, një rrugë” me vlerë 900 miliardë dollarë, kjo ishte një deklaratë e fortë se vendi i tij po hapte një dyqan në pjesën juglindore të Evropës.

Nga një uzinë çeliku e kohës së komunizmit në Smederevo, rreth 28 milje në lindje të Beogradit, Xi premtoi vitin e kaluar të derdhte pará në rrugë e hekurudha për të krijuar një korridor transporti për mallrat kineze drejt tregjeve të Evropës Perëndimore.

E quajtur Rruga e Re e Mëndafshit, ajo do të shkojë nga Kina në Gjermani, përmes portit të Pireut në Greqi, duke kaluar përmes Ballkanit.

Kjo është një lëvizje e zgjuar, e cila e vendos iniciativën në një kurs përplasjesh me projektet e Bashkimit Evropian në rajon.

Strategjia e tij shfrytëzoi edhe marrëdhëniet e trazuara të BE me vendet e Ballkanit Perëndimor që kërkojnë hyrjen në bllok dhe është një sinjal që – me tërheqjen e SHBA nga skena globale – Kina synon të zgjerojë influencën mu në zemër të Evropës.

Po Serbia çfarë fiton?

Gjatë vizitës shtetërore të Presidentit Xi, ai tha se Kina do të hapte vende pune, duke përmirësuar standardin e jetesës e ngritur rritjen ekonomike të vendit. Më e rëndësishmja, duke ia hapur ekonominë Kinës, Serbia çimentoi përkrahjen e Pekinit përballë presionit të Bashkimit Evropian për të njohur pavarësinë e Kosovës.

“Nuk do të ishte mungesë modestie apo e gabuar të thoshim se Serbia është partneri kryesor i Kinës në Evropë”, tha ministrja e ndërtimit Zorana Mihajloviç.

Disa në Kinë e kanë vënë pikëpyetje dobinë ekonomike të shpenzimeve të mëdha të Pekinit. Jashtë Kinës, disa të tjerë druhen se ambiciet e Kinës do të ndihmojnë qëndrimin në pushtet të liderëve autoritarë në vende si Serbia dhe do t’i lënë ato vende të zhytura në borxhe dhe me projekte me probleme ambientale.

Por fjalët e z. Xi shpëtuan 5200 vende pune në Smederevo, një qytet me 100 mijë banorë që për dekada të tëra është varur nga uzina e çelikut. Kompania shtetërore kineze HBIS Group e bleu uzinën, e vetmja në Serbi, për 46 milionë euro. Pronari i mëparshëm, U.S. Steel, ia kishte shitur qeverisë serbe më 2012 për shifrën simbolike 1 dollar.

“Duam të krijojmë një situatë ku të fitojnë të gjithë”, tha Xi pas shitjes.

Tani, ambiciet e Kinës në Ballkan kanë krijuar kushtet për një përplasje të mundshme me planet e Bashkimit Evropian, me vende si Serbia që e shohin veten në mes.

Premtime të pambajtura

Mileta Gujanicic, punëtor çeliku dhe udhëheqës sindikalist, është një nga ata që shpresojnë që Kina ta realizojë vizionin që ka për uzinën e Smederevos. Ai ka punuar atje për 40 vjet dhe thotë se është mësuar me mënyrat e amerikanëve, të cilët i quan “aristokracia e botës industriale”.

“Gjithë jetën më është thënë se kapitalizmi, sidomos ai amerikan, ishte i keq”, thotë Gujanicic, 63 vjeç. “Por ne punëtorët kemi qenë të vlerësuar, të mirëpaguar e të respektuar kur uzinën e kishin amerikanët”.

Manaxhimi nga ana e kinezëve është ndryshe, thotë. Deri tani, pronarët e rinj e kanë mbajtur premtimin për të ruajtur vendet e punës. Por asnjë nga premtimet e zotit Xi nuk është realizuar.

Kontratat e punëtorëve janë pas një velloje sekreti, standarded e sigurisë kanë rënë, mirëmbajtja është minimale dhe kontaktet mes pronarëve dhe punonjësve nuk ekzistojnë. Fshirja e të drejtave të punëtorëve dhe mospërfilja e ligjeve të punës nga ana e punëdhënësve janë shqetësuese, thotë Gujanicic.

Presidenti ambicioz i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, e ka përqafuar vizionin e z. Xi. Vuçiç u zgjodh në maj ne qëllimin e deklaruar për ta afruar me Perëndimin vendin sllav me shtatë milionë banorë.

Ai ka premtuar të transformojë vendin në një destinacion tërheqës për investimet e huaja, pas viteve me sanksione ndërkombëtare për rolin e Serbisë në luftërat ballkanike të viteve ’90.

Korridore pushteti

Ndërsa Kina hedh sytë nga rajoni, BE është ende fuqia kryesore atje dhe projektet e bllokut po ecin përpara. Stili i dy fuqive nuk mund të ishte më i ndryshëm.

Për shembull, për të parandaluar një raund të ri konfliktesh në Ballkan, evropianët hartuan një plan më 2014 për të lidhur armiqtë e vjetër, Serbinë e Shqipërinë, me autostrada dhe hekurudha të reja, për të nxitur lëvizjen e njerëzve e të mallrave.

Iniciativa, e njohur si Procesi i Berlinit dhe e përkrahur nga kancelarja Angela Merkel, është pjesë e një plani më të gjerë integrimi evropian për vendet e Ballkanit. Plani synon të unifikojë ligjet e transportit të dy vendeve me ato të Bashkimit Evropian dhe të fuqizojë bashkëpunimin midis kufijve të kontestuar ballkanikë.

Në Samitin e Triestes, në korrik, vendet pjesëmarrëse — Albania, Bosnja e Hercegovina, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia, të gjitha kërkojnë të hyjnë në BE— ranë dakord për krijimin e një zone ekonomike rajonale si pjesë e përpjekjeve për konsolidimin e një tregu prej 20 milionë njerëzish.

Por zyrtarët ballkanikë ankohen prej kohësh për procesin e gjatë burokratik, që shkon deri në 1 vit, për marrjen e fondeve të nevojshëm nga Brukseli. Ndërsa presidenti serb e ka përqafuar iniciativën, Shqipëria dhe Kosova kanë rezerva poltike, duke u druajtur se një treg i përbashkët rajonal do të bëhej zëvendësues i anëtarësimit të plotë në BE.

Në rastin e Serbisë, përkrahësit e saj më zemërgjerë tradicionalisht – Rusia dhe anëtarë të BE të tillë si Gjermania — kanë kërkuar që Beogradi të ndryshojë stilin e qeverisjes në shkëmbim të fondeve.

Brukseli kërkon një numër ndryshimesh juridike, politike dhe ekonomike para se Serbia të anëtarësohet. Ndërsa Rusia, në përpjekje për ta mbajtur Serbinë sa më larg Perëndimit që të jetë e mundur, i ka premtuar armë dhe energji me ulje çmimi si kundërvënie ndaj forcave të NATO-s në Kosovë dhe Mali i Zi, i cili u bashkua me aleancën në maj.

Rusia kontrollon edhe pjesën më të madhe të sektorit të energjisë dhe ka pasur influencë të konsiderueshme mbi liderët në Beogradët që nga rënia e Slobodan Milosheviçit më 2000.

Risi ballkanike

E tani vjen Kina, relativisht risi në rajonin e trazuar të Ballkanit, duke ofruar pará me kushte të pakta por të rëndësishme.

Kina te Serbia gjen tërheqëse fondet publike, standardet e ulët mjedisorë dhe presionin e paktë për transparencë në marrëveshjet e biznesit. Por Serbia duhet të përqafojë modelin e Pekinit për zhvillim nën udhëheqjen e shtetit.

Serbia ka shumë gjasa që të fryhet edhe me borxhe të mëdha. Shumica e investimeve janë hua nga banka kineze, zakonisht me afat 20-30 vjet me normë interesi 2-2.5%. Deri tani, Kina i ka huazuar Serbisë rreth 5.5 miliardë euro për ndërtimin e urave, autostradave dhe hekurudhave.

Kina po derdh pará edhe në fqinjët e Serbisë, duke shkaktuar frikë se prania e Pekinit në Ballkan nuk është thjesht biznes por gjeopolitikë. Znj. Mihajloviç, ministre e infrastrukturës, deklaroi hapur se ishin të dyja, një shenjë për zyrtarët në Bruksel se dhimbja e kokës shkaktuar nga Ballkani tani është kthyer në migrenë.

Mihajloviç tha se Pekini po mbronte interesat e Serbisë në botë dhe lëvdoi Pekinin që nuk njihte atë që ajo e quajti “pavarësia e paligjshme e Kosovës”. Njohja e sovranitetit të Kosovës është një kusht kyç për Beogradin që t'i bashkohet Bashkimit Evropian.

Kina i ka dhënë hua Malit të Zi qindra miliona dollarë dhe mijëra punëtorë për të ndërtuar një autostradë strategjike por të shtrenjtë midis Beogradit dhe portit malazez të Barit në detin Adriatik.

Kina e testoi fillimisht modelin e ndërtimit në Serbi më 2010, kur çoi mijëra punëtorë nga kompania shtetërore China Road and Bridge Corporation për të ndërtuar një urë një milje të gjatë mbi Danub.

Më 2014, kryeministri Li Keqiang inauguroi urën me vlerë 170 milionë euro, të ndërtuar me huanë e dhënë nga Export-Import Bank of China dhe të pagëzuar me emrin e shkencëtarit serb Mihajlo Pupin.

Një tjetër marrëveshje e madhe infrastrukture është linja e trenit ekspres që do të lidhë Beogradin me Budapestin. Nyja 217 milje e gjatë do të përfshijë një linjë mallrash përgjatë linjës së vjetër të pasagjerëve, përjetësuar në romanin e Agatha Christie “Vrasje në Orient Express”.

Por disa vende evropiane e shohin me dyshim rolin e lidershipit të Kinës në integrimin ekonomik në oborrin e tyre të pasmë, duke u druajtur se normat e reja të iniciativës “Një brez, një rrugë”, bashkë me vlerat e vjetra qeverisëse në Ballkan, do të sfidojnë ato të Bashkimit Evropian, sipas Michal Makockit, ekspert i marrëdhënieve Evropë-Kinë.

“Korridorët ekonomikë kinezë dhe projektet e infrastrukturës përsërisin preferencën e Kinës për vendime të udhëhequra nga shteti në vend të të bazuara mbi tregun, me politizimin e investimit, fondet dhe vendimet e kontratave, duke refuzuar modelin e BE të procedurave të hapura e transparente të tenderave”, shkruan Makocki në një material për Këshillin Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë.

Gujaniçiç, lideri sindikalist nga Smederevo, thotë se udhëheqja serbe ka shkatërruar ligjet e punës në shkëmbim të fondeve të huaja.

“Nuk mund të them se e kuptoj komunizmin kinez, por ajo që këta po bëjnë këtu po na shkatërron”, thotë Gujaniçiç për liderët serbë. “Ata po fitojnë pikë për zgjedhjet e ardhshme me paratë e të tjerëve. Ata kujdesen vetëm për pushtetin e tyre në kurriz të punës sonë”.

Marrë nga New York Times-Përgatiti Syri.net

Lexo edhe

Komentet

krasasi tp11/09/2017 19:51

Oligarkija dhe komunizmi jane ne simbioz dhe ne ofensiv ndaj vlera perendimore e demokratike.Jugosllavija e Re eshte pjella e pare. Te tjera konfigurime do lindin me vone me siguri.Kina marshon jo me topa ,as me raketa, por me "muzike", si Rama, ju kujtohet kenga "ra lala nga fiku" dhe sazeve qe ju binte me zonjen dhe "stafin".

Shto koment