Rigjenerimi i vlerave morale

Rigjenerimi i vlerave morale

Nga Erion Piciri - 26/05/2017

A ndryshon Shqipëria reale nga ajo pushtetare? A mund të funksionojë edhe tek ne ushtrimi i moralshëm i funksioneve publike? A i kemi njerëzit dhe kulturën e nevojshme për të ndërtuar një shtet modern? Janë pyetje ekzistenciale për çdo qytetar të përgjegjshëm, për të kuptuar se a ia vlen të rrisësh një familje dhe japësh kontribute në një vend si i yni.

Mbas reformash, dështimesh dhe zhgënjimesh të herëpashershme, në mungesë të një revolte të vërtetë rruge, mediumesh intelektuale apo vote, nuk janë të paktë ata që mendojnë se këtu vështirë të realizohet diçka e qenësishme. Një klerik i njohur duke komentuar reformën e fundit në drejtësi do thoshte se kjo punë është si ajo e një furre buke me teknologji të vjetëruar që sado të përmirësohet teknologjia, mielli do jete po ai i prishuri. Kjo i ka bërë shumë vetë të besojnë se nuk është vetëm çështje ligjesh por edhe fryme, kulture dhe njerëzish. Ka nga ata që shkojnë më larg, se po nuk importuam edhe një popull tjetër, zor se bëhet ky vend.

Në fakt popujt që kanë bërë ndryshime në rrugën e së mirës nuk kanë ardhur nga diku tjetër, por kanë pasur mençurinë të kuptojnë përvojat e tyre dhe të tjerëve, të vetpastrohen dhe mirëmbajnë një kulturë që i vë kufij abuzimit, korruptimit të mendjes dhe shpirtit. Kështu duhet të ndodhi edhe me ne. Nuk besoj se është i gjithi krunde ky mielli ynë. Me teknologji të importuar, me kurajë, duke pastruar vazhdimisht miellin nga krundet dhe me mjeshtra që e nderojnë profesionin e tyre, ka ende shpresë se mund të nxjerrim prodhime të mira. Duhet të ketë edhe këtu njerëz të zot dhe të ndershëm, që nuk kanë arritur ende ta thonë fjalën e tyre në krye të punëve të vendit, nuk kanë mundur të imponojnë sistemin e tyre të vlerave në hapësirën publike.

Në programet tona ekzekutive, tek Instituti i Lidershipit, kam pasur rastin të njoh njerëz të përgatitur të shoqërisë, nga grupe të ndryshme socio-profesionale, nga sektori publik dhe privat, ushtrues pushteti apo aspirantë të tij. Auditori kthehet shpesh në një fokus grup studimor ku përmes pyetjesh, përgjigjesh dhe diskutimesh kuptojmë një copëz të rëndësishme nga realiteti ynë, mbi atë se çfarë jemi dhe dëshirojmë të jemi, mbi atë çfarë besojmë se është vlerë e patjetërsueshme e kulturës tonë dhe atë që jemi të gatshëm për ta shkëmbyer për pasuri dhe karrierë. Qëndrimet më domethënëse, se ç’duhet ruajtur dhe ç’duhet ndryshuar në mendësinë tonë, i gjejmë të  trajtuara më poshtë.

Interesi personal dhe interesi publik

Një ndër sprovat më të mëdha të njeriut është momenti kur teston vlerat përballë dëshirave, ambicien përballë presionit që buron nga eproret, miqtë apo familjarët. Në këtë përballje gjithkush merr krah të ruajë vlerat dhe sakrifikoje dëshirat apo e kundërta. Kur je titullar institucioni publik sprovat shtohen. Presioni dhe joshjet bëhen më të papërballueshme. Njeriu vihet në sfidë me veten dhe ajo çfarë e shtyn në një drejtim a tjetër është qëllimi i jetës, vlerat ku beson, kultura që e rrethon, fryma që përshkruan kohën në të cilën jeton. Aty shikojmë prirjet që kemi kultivuar në kohë mbi drejtimin, detyrën, pasurimin, miqësinë dhe interesin publik.

Kam pasur rastin që me pjesëmarrësit e programeve të lidershipit, që në ditën e parë, t'i ftoj të vihen në pozita titullarësh dhe të diskutojmë rreth vendimmarrjes kur në lojë hyn paraja, mirënjohja, autoriteti i eprorëve apo edhe kërcënimi për largime nga puna dhe ndërprerje të karrierës. Pyetja që shtrohet ka të bëjë me qëndrimin tonë, si drejtues institucionesh publike kur duhet të vendosim për disa fonde për kryerjen e punëve a shërbimeve publike. Në tryezë do kemi dy oferta: e para që siguron cilësi të lartë punimesh/shërbimesh dhe e dyta që afron cilësi më të dobët por që na jep ne si titullarë, nën dorë, edhe një milion € shpërblim. Në rastin e parë fiton interesi publik dhe shteti, në të dytin firma e dobët dhe ne si titullarë institucioni. Rast tipik kur konfrontohet dëshira për pasurim të pandershëm me vendosmërinë për të kryer më së miri detyrën publike.

Duke bërë një përmbledhje të opinioneve të qindra pjesëmarrësve, rreth gjysma zgjidhte interesin publik mbi pasurimin individual ndërsa gjysma tjetër anonte nga përfitimi personal në dëm të atij publik. Afro një nga dy të pyetur kishin kurajën të merrnin paratë dhe t’i japin tenderin atij që nuk afron shërbimet më të mira, ndërsa po aq janë ata që nuk i tjetërsonte paraja. Por raportet ndryshonin kur ndershmëria vihej në provë nga faktorë të tjerë. Mbasi testohej ndershmëria jo vetëm në raport me pasurinë por edhe me ndërhyrjet miqësore, promovimet në karrierë apo/dhe presionin e eprorëve dhe grupeve të interesit, vetëm një në katër do qëndronin në krah të interesit publik përballë të gjitha formave të joshjes dhe frikësimit, ndërsa rreth tre në katër të pyetur do ia afronin tenderin apo punët publike atij që siguronte shërbimet më të dobëta duke nxjerrë ndonjë përfitim personal nga ky qëndrim. Më poshtë jepen disa qëndrime dhe motivime që kanë disa prej të pyeturve për një pozicionim a tjetrin. Vëzhgimet nuk synojnë përgjithësimin por duan të hedhin dritë mbi fenomenin,  klimën dhe perceptimet tona mbi ushtrimin e detyrave publike, mbi një kulturë që duket se është e përhapur në shoqërinë tonë.  

Kur vlerat tejkalohen nga përfitimi i pandershëm

Gjen gjithnjë një masë njerëzish që ambienti nuk i tjetërson. Një menaxhere e zonja, tek të pesëdhjetat, me eksperiencë të gjatë në sektorin privat dhe publik nuk mund ta konceptonte dot të merrte një vendim të influencuar nga paraja apo ndërhyrjet e natyrave të tjera. Motivimi qëndronte tek edukata familjare. Mjedisi ku ishte rritur nuk ia lejonte të korruptohej. Kishte një disiplinë punë dhe vlerash që i respektonte prej një jete dhe këtë mënyrë jetese nuk mund ta tjetërsonte për asgjë. Por nëse pozicionimi ishte i mirë kah vlerave, kur vinte puna të luftonte që këto vlera të dominonin organizatat, institucionet, marrëdhëniet midis njerëzve dhe vendin në tërësi, kishte një stepje. Ndoshta dhe kjo ishte një trashëgimi kulturore familjare por edhe shoqërore. Gjithnjë na është thënë rri i ndershëm por mos u ngatërro, mos merr flamurin dhe mos rreziko. Në pjesën e fundit të këtij shkrimi do ndalemi edhe në këtë aspekt, sepse vlerat po nuk u mbrojtën rrezikojnë edhe ata që i ruajnë ato.

Më ka bërë përshtypje vendosmëria për të kryer detyrën me përkushtim e atyre që operojnë tek organizata joqeveritare që punojnë me të huaj apo edhe sistemin bankar. Rezistenca e tyre ndaj joshjes së parasë, ndaj miqësive dhe presionit, ka qenë e lartë. Argumentimi i qëndrimit është mjaft domethënës – si një leksion pune dhe jete. Një çift që punonin prej kohësh vetëm me të huaj na treguan 'sekretin' e kësaj vendosmërie. Sistemi ku ata punonin promovonte ndershmërinë dhe përkushtimin ndaj misionit, punës dhe organizatës. Kur ti punoje mirë dhe drejt, kur jepje maksimumin, promovoheshe në karrierë, rriteshin honoraret por njëkohësisht ishe krenar për vlerat e organizatës për të cilën ti kontribuoje. Kënaqësi e veçantë ishte për ta edhe kontributi që jepnin në përmirësimin e shoqërisë, ecja në rrugën e ikonave të organizatës, krenaria e mentorëve për arritjet e tyre si dhe faktin që ata vetë po ktheheshin në modele për të tjerët.

Një grup tjetër që në masë të konsiderueshme refuzonte çdo formë korruptimi vinte nga sipërmarrjet e mesme dhe të vogla. Në disa seminare me grupe të tilla homogjene nga bota e biznesit shikoje se në këtë kategori refuzimi ndaj korruptimit ishte në masë të madhe. Nga rrëfimet e tyre kuptoje se operimi me tregun dhe mbijetesa në sajë të respektimit të klientit, kishte lënë gjurmë në kohë.

Në grupin e atyre që nuk i joshte paraja por krenoheshin me vlerat ishin edhe arsimtarët e cikleve të ulëta. Njëra prej tyre e gjente motivimin tek ndershmëria dhe korrektësia e një jete, tek shpërblimi që merrte në formë respekti prej prindërve dhe komunitetit. Nuk bëj diferencim midis nxënësve dhe është kënaqësi të marr mirënjohjen e tyre për punën time. Por kur iu ofrua e njëjta çështje në një mënyrë tjetër, ku nuk bëhej fjalë për para por një ndërhyrje 'miqësore', qëndrimi ndryshonte. Njeriu që e kishte promovuar në karrierë dhe e kishte vënë në atë vend pune i kërkonte miqësisht që tenderin ta merrte i dyti, ai më pak konkurruesi, dhe jo i pari që garantonte më të mirën për interesin publik. Këtu mësuesja mendonte se me shume gjasa do t'i mbaronte punë mikut. Për mirënjohje dhe miqësi njeriu duhet ta tregojë veten. Një opinion që ndahej nga shumë pjesëmarrës dhe bënte që 50% fillestar të thellohej në anën e atyre që do ia jepnin tenderin atij që do bënte punë më të dobëta. Në këtë mënyrë balanca fillonte të anonte nga individualja dhe miqësorja në dëm të kolektives. 

Kishte nga ata që rezistonin ndaj parasë, miqësisë, mirënjohjes, por jepeshin ndaj presionit të superiorëve apo kur vihej në diskutim karriera. Këtu shikon se na mungon kultura e luftëtarit, heroit, e njeriut që sakrifikon shumë për idealet, për komunitetin dhe për vendin. Ndoshta ky është edhe testi i një qytetari të vërtetë që i bindur për rrezikun vazhdon të ecë me vendosmëri drejt përmbushjes së rolit të tij në shoqëri. Një ndër katër të pyetur i rezistonin të gjithave dhe mbanin me ndershmërinë. Si kjo kategori njerëzish do na duhej të popullonim institucionet tona publike. Këto padyshim janë pjesa e shëndetshme e shoqërisë që qoftë nga tradita apo nën influencën e kulturës perëndimore dhe organizatave ndërkombëtare kanë ruajtur një sistem vlerash që nuk i tjetërson nga pushteti apo përfitimet e pandershme. Por ky grup është minoritar në fokus grupet e programeve tona dhe ndoshta në shoqërinë tonë në tërësi. Fitimet e pandershme të pushtetit janë të forta tek shumë prej nesh. Burimi i infeksionit i përhapur dhe ende i patrajtuar.

Kur përfitimi i pandershëm tejkalon vlerat

Sikurse e përmenda pak me sipër afro 50% e të pyeturve, në një bisedë të lirë, do rrekeshin të merrnin një milionëshin e famshëm. Motivet janë nga më të larmishmet dhe mund të ndahen në disa argumentime tipike. Disa mendojnë se nëse nuk do t'i merrnin ata gjithkush tjetër do të merrte ryshfetin, do sakrifikonte cilësinë e punëve publike për të nxjerrë ndonjë lek për veten. Këtu ishte një pikë ku thuajse bashkoheshin të gjithë. Si ata që e refuzonin të korruptoheshin dhe ata që nuk refuzonin ishin në një mendje se kushdo tjetër në një rast të ngjashëm do zgjidhte paranë. Konstatimi i fundit sinjalizon një proces korruptimi total në kohë. Për t’iu shmangur izolimit dhe ndëshkimit edhe ata më të ndershmit do tjetërsohen në kohë për të mbijetuar ose do largohen, siç ka ndodhur rëndom në gjithë këto vite.  

Një tjetër motivim fliste për një shoqëri që ushtrimin korruptiv të pushtetit e ka bërë rregull të legjitimuar dhe një kod të ri morali kulturor. Është një sistem i ngritur në këtë mënyrë. Na kanë marrë para dhe kur të jepet mundësia për të marrë duhet të shfrytëzosh rastin. Dikush që nuk ishte i pari që rrekej entuziast mbas një milionëshit na rrëfeu një motivim domethënës. Kur u pyet se çfarë e shtynte të vepronte kështu ai argumentoi: 'Unë kam studiuar në një universitet publik në jug të vendit. Isha një student mesatar që lexoja, por që të merrja provimin duhet të paguaja nën dorë profesorët. Ishte bërë rregull që thuajse në çdo lënde të fusje lekët brenda fletës së provimit që të merrje notën. Kështu mësoi në leksionet e universitetit se kur të jepet mundësia duhet të përfitosh të bësh edhe ndonjë lek''.

Dikë tjetër e joshte mirëqenia e eprorëve te tij. Në vendin e punës kishte parë se si për mirëmbajtje rrugësh, për disa riparime të vogla merren me qindra milion lekë dhe do donte të ishte edhe ai në atë pozicion të rregullonte jetën brenda disa ditësh.

Historitë e një punonjëseje në një bashki të madhe të vendit ishin po aq domethënëse. Përgjigjen për një milionëshin e dha përmes përvojave personale dhe familjare duke ngritur pyetjen se si mund të mbijetojë njeriu në një realitet të tillë. Punoja tek tatimet, tregonte ajo, dhe një ditë kap një parregullsi, një përpjekje për t'i sjellë dëm financave publike. E paraqes rastin tek drejtori, por në vend të përgëzohesha, brenda një jave më nxjerrin nga puna. Kërkoja një takim të më komunikonin psenë, por as nuk më qasën më në zyrë. Drejtori e kishte axhendën e zënë me takime të ‘rëndësishme’ Sipas fjalëve të kolegëve kisha shkelur lart dhe nuk isha e besueshme për atë vend pune. I hedh në gjyq, fitoj gjyqin, 6 rroga dëmshpërblim, por jo vendin e punës. Me bashkëshortin e saj kishte ndodhur  ndryshe, sepse ai iu përshtat sistemit. Ai është njeri shumë i përgatitur dhe mbasi ndenji ca kohë pa punë, u përfshi në ‘punë’ partie. Punonte me një politikan opozite. Ndodhi që një ditë 'figura' e partisë u bë ministër dhe e dërgoi bashkëpunëtorin e tij në një institucion publik që kishte lidhje me biznesin. Punonte për vete dhe për të. Një për vete dhe disa për 'figurën' e qeverisë. Kështu jetuam disa kohë mirë derisa u ndërruan pushtetet. Tani po punon serish me një 'figurë' tjetër partie me shpresën se një ditë do ta shpërblejë. Ky është vendi ynë. Si t'ia bëjmë milionëshit, ta lemë dhe të mbetemi pa punë apo ta marrim dhe të mbajmë vendin e punës dhe një pjesë të parave t’i ndajmë me të tjerët? Si për t'i vënë kapakun kësaj mëdyshjeje një drejtoreshë shkolle na kujtoi një shprehje të vjetër popullore: 'ndershmëria është virtyt i budallait'. Që e riformuluar besoj se do të thoshte se: 'pandershmëria është virtyt i të zgjuarit'. Një tjetër i përfshirë në politikë që kishte përfituar tenderime preferenciale, e mbronte me fanatizëm këtë kulturë. Ai kishte fituar një tender qindra mijë eurosh për pastrimin e qytetit, dhe ia dinte realisht shijen parasë të fituar në këtë mënyrë. Për të nuk ishte një përfytyrim seminari por një realitet i prekshëm. Nuk kishte vrasje ndërgjegjeje por dukej gjëja më normale në këtë botë. Sipas tij dikush do ta fitonte tenderin dhe a ka më mirë se atë ta marrë një njeri i afërt me kryetarin e bashkisë, që e ka ndihmuar këtë të fundin të zgjidhet në postet publike dhe kësisoj ka edhe legjitimitetin për t'i përdorur fondet publike. Kështu funksionon. Ndryshe del nga sistemi. Unë iu jap vota, ata poste dhe lekë me kushtin që unë t’ua kthej në shpenzime elektorale, ndonjë vëmendje të vogël ndaj zgjedhësve dhe vota për të qëndruar në  pushtet. Në të njëjtën linjë ishte edhe një drejtoreshë në administratën publike, aktiviste partie. Kjo mënyrë të operuari ishte në themel të lëvizjes së saj politike. Motoja e liderit të tyre dhe që ua kujtonte shpesh të tijve ishte: ‘Partia ushqehet me pushtetin’. Që do të thotë se pushteti tjetërson paranë publike në para partiake dhe me paranë partiake mbajmë militantët, pasurohemi dhe riblejmë qëndrimin në pushtet. Një sistem korruptiv i ndërtuar nga merimanga djallëzore në rrjetën e të cilave kapet një shoqëri e tërë. 

Më të ekspozuar ndaj kësaj kulture korruptive duken ata të sektorit publik dhe që vijnë nga partitë politike. Ju duket një normalitet marrja e parasë dhe nuk ka vrasje ndërgjegjeje. Nga ky kod po infektohen organizatat rinore. Ata janë të infektuarit dhe mirëmbajtësit më të rinj të këtij sistemi. Për shumë të rinj në organizata rinore kjo nuk është një problem por një model suksesi. Pushteti, paraja, transaksioni i interesave, blerja, shitja dhe kontrolli përmes kësaj mënyre i masave të njerëzve të varur për një mundësi në jetë, ju duket shumë atraktive, ëndërruese, pjesë e suksesit dhe ushtrimit të pushtetit. 'Heronjtë' e tyre, liderë të tranzicionit politik shikohen si të suksesshëm edhe falë aftësive për të bërë para dhe kapur pushtet me mjete të pandershme. Kjo kulturë ka lëshuar rrënjë. Energjia rinore po keqpërdoret.

Në trajnimet e lidershipit kam vënë re se të rinjtë në organizata politike në një masë të konsiderueshme ishin të prirur të merrnin një milionëshin dhe kur i pyesje se pse militonin në atë parti, thuajse mungonte lidhja me ideologjinë apo sistemin e vlerave që promovonte, një pakicë e lidhte me traditën familjare, shumë më shumë me një mundësi punësimi në shtet. E kam ëndërr më thoshte një djalë i mirëedukuar, kryetar i një forumi politik rinor të punësohem tek prokurimet. 95% e njerëzve sipas tij do t'i merrnin paratë nëse do u jepej mundësia. Pjesa dërrmuese e të pyeturve binin dakord në këtë pikë. Janë të shumtë ata që mendojnë se kështu funksionon e gjithë bota. Kjo i lehtëson dhe i bën të ndjehen mirë në rrugën e tyre. Ideja se pak njerëz të ndershëm jetojnë midis nesh, e kthen në modë kulturën korruptive dhe me kohë nëse nuk ndërmerren lëvizje të forta për rigjenerim vlerash, vendi është i humbur. Kur njerëzit e një shoqërie kanë kurajë të pranojnë publikisht se mezi presin t'ju jepet mundësia të korruptohen, mund të themi pa frikë se mjedisi në të cilin ata punojnë dhe jetojnë është i kontaminuar. Kur vlerat më të mira njerëzore si ndershmëria, e vërteta dhe integriteti konsiderohen të vjetruara dhe pandershmëria, përfitimi i publikes dhe gënjeshtra janë vlera në modë, kalbëzimi total i karakterit, mendjes dhe sjelljes mund të jetë një proces i pakthyeshëm.

Rigjenerimi i vlerave morale

Lufta kundër kleptokracisë është jo vetëm çështje ligjore por më së shumti çështje kulture, modeli, përgjegjësie ndaj detyrave publike dhe besimi tek shteti dhe mes njëri-tjetrit. Nëse kultura ta inkurajon dhënien dhe marrjen e ryshfetit, nëse ka humbur besimi se të gjithë jemi pjesë e një sistemi organik që duhen ta ruajmë dhe mirëmbajmë, edhe ligjet më të mira ka gjasa të mos zbatohen. Për këtë arsye kombet e zhvilluara marrin pjesë në një proces permanent lartësimi dhe rigjenerimi të vlerave që udhëheqin drejtimin e moralshëm të punëve të shtetit dhe marrëdhënieve midis njerëzve. Shumë kombe kanë kulturën e vigjilencës ndaj çdo tendence për të minuar të drejtën, të ndershmen dhe të moralshmen. Janë të përcaktuara qartë mënyrat e pranueshme të nxjerrjes së parasë dhe krijimit të pasurisë si dhe ato të pandershmet që ndëshkohen si nga ana morale dhe ligjore. Të gjithë kemi nevojë për paranë, por për të arritur tek ajo nuk duhet të tjetërsohemi, nuk duhet të shkelim vlerat tona. Në traditën tonë ne kemi një trashëgimi jo fort pozitive - funksionet publike janë parë shpesh si burim fitimi dhe dominimi. Shumë syresh nuk i rezistojnë dot tundimit. Me punën e shtetit, me pasuritë publike, disa bëjnë tregti, postin publik e përdorin si pronë për përfitim personal. Kjo është kthyer tashmë në modë. Por ka edhe nga ata që gjënë më të shtrenjtë kanë vlerat, profesionin dhe prestigjin dhe këta të fundit duhet të inkurajohen, të mediatizohen, të bëhen bashkë dhe të kthehen në një model dominues. Më poshtë po sjellim historitë e dy njerëzve ambiciozë, njëri që i ruajti vlerat dhe arriti suksese në jetë dhe tjetri që i shkeli dhe u rrënua.   

Respektimi i vlerave sjell shpërblimin

Në vitin 1972 Jon Huntsman-i, një profesionist i ri 35 vjeçar, filloi të punonte në Shtëpinë e Bardhë si një asistent special i Presidentit Nixon. Ai ishte njëherësh sekretar stafi nën drejtimin e Bob Haldeman-it, shefit të kabinetit të Richard Nixon-it. Ky president amerikan njihet në histori si një ushtrues i frikshëm i pushtetit, që i përdorte vartësit për punë të pandershme dhe kishte instaluar një kulturë besnikërie të paprinciptë. Sic tregon edhe Huntsman-i vetë në librin me titullin domethënës Winners Never Cheat - Even in Difficult Times, shefi i tij direkt Heldeman-i " i ofronte besnikëri të verbër Nixon-it dhe kërkonte të njëjtën gjë nga stafi i tij". Një ditë, tregon Huntsman-i, Heldeman-i më kërkoi të 'ndihmonim' presidentin dhe të vëzhgonim një politikan që i kundërvihej një iniciative të Shtëpisë së Bardhë. Detyra ishte të infiltronte disa nga punonjësit e tij amerikano-latinë në mënyrë që të nxirrnin ndonjë informacion parregullsie për ta përdorur më pas për qëllime politike. Detyra për të cilën punoja dhe presioni i shefit tim, më bëri që fillimisht të pranoja, thotë Huntsman-i, por kur po i jepja në telefon udhëzimet një drejtori të biznesit tim, u ftillova - ajo që po bëja vinte ndesh me vlerat e mia të një jete. Kështu u tërhoq nga kjo punë dhe informoi Heldeman-in, njeriun e dytë më të rëndësishëm të vendit, se nuk do u thoja punonjësve të mi të spiunonin kënd. Ndonëse Heldeman-i nuk pranonte përgjigje të tilla nga vartësit dhe i shikonte si mungesë besnikërie, për Huntsman-i ishte më e mirë ndarja sesa tjetërsimi. Disa muaj më vonë nga ky incident ai iku nga ajo punë.

Jon Huntsman bëri një zgjedhje të vështirë midis dy opsioneve - t'i ishte mirënjohës dhe besnik dikujt që e kishte punësuar apo të qëndronte besnik dhe i ndershëm me vetveten, në vlerat që e kishin kultivuar në jetë. Zgjodhi të dytën, ruajti integritetin, shpëtoi veten nga banka e të hetuarve që përfshiu pothuajse të gjithë stafin e Nixon-it dhe u shpërblye në jetë me ngritjen nga asgjëja të një korporate me të ardhura mbi 12 miliardë dollarë dhe listuar nga Forbes si një ndër njerëzit më të pasur të Amerikës.

Jo të gjithë pjesëtarët e administratës së ngushtë të Nixon-it e bëne një zgjedhje të tillë. Ata ranë pre e presionit, mirënjohjes dhe besnikërisë ndaj njerëzve të gabuar. Vetë Heldeman-i u gjet fajtor në skandalin e Watergate-it dhe vuajti 18 muaj burgim për konspiracion dhe pengim të drejtësisë. Kështu pagoi mirënjohjen dhe besnikërinë e verbër ndaj Nixon-it. Ndërsa Huntsman-i u largua me nder nga kjo punë dhe vijoi rrugëtimin e tij duke u kthyer në një ndër biznesmenët më të mëdhenj të Amerikës.

Kur disa njerëz ngjiten në ato maja të pushtetit, kur shijojnë reputacionin, influencën dhe avancimin e karrierës, harrojnë nga vijnë dhe ku shkojnë, harrojnë misionin e qenies së tyre në këtë botë, perëndi bëhet ai që i punësoi dhe avancoi në karrierë, mirënjohja dhe besnikëria ndaj tij dhe klanit zëvendësojnë çdo princip profesional dhe ndjenjë njerëzore, në fund rënia është e pashmangshme.

Rasti i Huntsman-it është frymëzues për etikën e punës në administratë, politikë dhe biznes. Parimet që e kishin rritur përgjatë fëmijërisë ishin këshilltarët e tij më të mirë, pohon ai. Vite më pas kujton një ngjarje tjetër, këtë radhë në fushën e biznesit, me një sipërmarrje që e kishte ngritur me Mitsubishin në vitin 1980 në Tailandë. Kishin investuar së bashku 30 milion euro, kur një ditë merr një telefonatë nga partnerët në Tokio, që e njoftonin se duhet t'i paguanin qeveritarëve një ryshfet vjetor prej 250 mijë $ secili. Huntsman refuzoi dhe njoftoi partnerët e Mitsubishit se do t'i shiste interesat e tija në këtë vend. Tërheqja i solli një humbje prej 3 milion $. Një kosto e lartë por e merituar për të ruajtur vlerat e tij. Sipas Huntsman-it duhet "harruar se kush arrin i pari dhe kush arrin i fundit. Njerëzit e mirë dhe të nderuar i mbyllin garat dhe jetët e tyre, me stil të madh dhe respekt". Janë parime që gjithsecili prej nesh i ka dëgjuar nga prindërit apo gjyshërit dhe që një njeri i suksesshëm si Huntsman-i na bind se pavarësisht se çdo dëgjojmë dhe ç’modele do na dalin përgjatë jetës, çelësi i suksesit është busulla morale e vogëlisë që të tut ta japin si një thesar që t'ia dalësh në jetë, si një thesar që duhet t'jua lësh trashëgimi të tjerëve mbas teje, në familje dhe mbarë shoqërinë.

Vlerat duhet të jenë prioritare. Ato duhet të udhëheqin mendimet dhe veprimet në kohë qetësie dhe vështirësie. Brenda këtyre kufijve duhet të funksionojë dëshira për para, mirënjohja, besnikëria ndaj të tjerëve dhe suksesi i karrierës së gjithkujt. Kujt i hyn në punë të gënjëjë veten, të vetshpallet rekordmen me rezultate të paqena, fitues me gara të blera.

Rruga drejt suksesit mund të jetë e gjatë por shkurtimi i saj me veprime komprometuese mund të çojë dem investimin e një jete. Më mirë të ngadalësosh shpejtësinë, ndoshta edhe të ndalesh apo të shkosh një hap pas, se sa të devijosh nga boshti i vlerave që të motivojnë ty dhe të tjerët që të rrethojnë. Cënimi i pastërtisë prek në mënyrë të parikuperueshme krenarinë, vetvlerësimin, vetbesimin, motivimin por edhe besimin që njerëzit kanë ndaj teje.

Shkelja e vlerave sjell ndëshkimin

Viti 1989 ishte viti i revolucionit anti-komunist në Rumani dhe një sërë figurash të reja nga shoqëria civile dhe bota akademike u përfshinë në politikë. Njëri prej tyre ishte edhe Adrian Nastase. Ai shkëlqeu si politikan i niveleve të larta që e nisi karrierën politike si Ministër i Jashtëm në fillim vitet  '90, si kryetar Parlamenti në vitet ‘92-96, nën kryetar i parë i partisë kryesore të vendit në ‘96-00, si kryeministër i gjithëpushtetshëm në fillim vitet 2000 dhe dy herë të tjera kreu i Dhomës së Deputetëve deri nga fillim-vitet 2010.

Një politikan me formim elitar, Nastase ishte profesor universitar prej tre dekadash, profesor i asociuar në Universitetin Pantheon Sorbonne të Parisit, me shumë botime në të drejtën ndërkombëtare, në revistat vendase dhe të huaja, por edhe një qeveritar eficient, me realizime ekonomike, politike dhe diplomatike. Brenda mandatit të tij si kryeministër, në vitet 2000-2004, ai aderoi vendin në NATO, mbylli negociatat me BE-në dhe mori ditën e anëtarësimit, hapi rrugën e Prokurorisë Speciale (DNA), siguroi një rritje ekonomike mesatare prej 6.1% në katër vitet e qeverisjes. Dy dekada karrierë politike në nivelet më të larta dhe për këdo do ishte një derë për të hyrë në histori dhe për të lënë një trashëgimi.

Po ç’ndodhi me ngjitjen dhe rënien e tij? E zuri sëmundja e pushtetit, e pasurisë dhe arrogancës. I pëlqeu paraja e pandershme, jeta prej aristokrati të ri të tranzicionit, gjunjëzimi i njerëzve rreth tij, përdorimi i tyre, shpërdorimi i pasurisë kombëtare, dhënie oportunitetesh për biznes tek oborri i tij i sipërmarrësve që ia kthenin favoret në rrugë të tjera. Në atë kohë u fol shumë për një kontratë me kompaninë e ndërtimit të rrugëve Bechtel, që dëmtonte shtetin dhe në qoftë se nuk do anullohej dhe rinegociohej do t'i sillte buxhetit humbje prej miliarda eurosh. Dyshime pati për privatizime dhe kontrata energjie që dëmtonin shtetin dhe sillnin kompanive përfitime të mëdha. Kjo i shkaktoi humbjen në zgjedhjet presidenciale dhe rënien përfundimtare nga lartësitë e pushtetit.

Prokuroria speciale e akuzoi më pas për financime të parregullta të fushatës presidenciale, për marrje rryshfeti, favorizime në emërime, shantazh dhe korrupsion. Gjykata e Lartë e gjeti fajtor dhe e dënoi dy herë në 2012 dhe 2014. Bashkë me të u dënuan edhe disa nga bashkëpunëtorët e tij. Në rastin e parë, kur policia shkoi ta arrestonte dhe ta dërgonte të kryente dënimin, ish-kryeministri pati një krizë nervore dhe tentoi të vriste veten në dhomën e tij luksoze të punës. Shpëtoi me një plagosje në qafë falë ndërhyrjes në momentin e duhur të oficerit të policisë. Mbas dënimeve iu tërhoq edhe mundësia e mësimdhënies nga Universiteti i Bukureshtit. Kështu u rrënua karriera e një politikani të spikatur, u rrënua prestigji i tij shoqëror dhe profesional. Rasti tipik i një njeriu ambicioz që arrin gjithçka në jetë por përgjatë rrugëtimit nuk frenon dot dëshirat për para dhe pushtet, nuk tregon vetëpërmbajtje për t’i arritur gjërat në rrugë të ndershme. Nuk e kishte kot Lincoln-i kur thoshte se ndershmëria është politika më e mirë. Ky koncept merr një vlerë të veçante në vendet në tranzicion nga regjimet autoritare dhe korruptive drejt atyre demokratike, morale dhe ligjore. Këtë leksion besoj se e ka mësuar nga përvoja e tij edhe Adrian Nastase, sikurse duhet ta mësojë çdo kush që merr të ushtrojë funksione publike. Herët a vonë pandershmëria ndëshkohet.

Gjithçka që të afrohet në politikë duhet parë si një test karakteri dhe aftësie për të merituar nivelet e larta drejtuese. Shumë syresh e kuptojnë si arritje të merituar të gjenialitetit të tyre. Nuk ka gjë më të gabuar. Humbja e drejtimit se për ku je nisur, për ç’qëllim ke arritur në ato nivele, mund të tjetërsojë dhe komprometojë realizimet. Kur u hyn vetja në qejf, kur shijojnë përulësinë servile të vartësve, kur ju shijon marrja e pasurive të pamerituara, aty fillon tatëpjeta.?Pushteti të jepet për t'u shërbyer të tjerëve, jo vetes dhe familjes. Të drejtosh është sakrificë jo oportunitet për të vjelë të mira materiale, për të gëzuar privilegje, për të tjetërsuar pasuritë publike tek miqtë dhe farefisnia. Sa më lart të ngjitesh aq më kujdes duhet të kesh, se rrezikon çdo moment të biesh dhe të rrënosh gjithçka ke ndërtuar. Rruga e vetme për të ndenjur gjatë dhe me nder në ato maja të thepisura të pushtetit mbetet mençuria për të operuar me integritet të lartë.

Pasuria e pushtetit nuk qëndron tek paraja por tek nderimi që të bëjnë njerëzit. Emri i mirë dhe prestigji janë pasuri e pashtershme që të ndjek në këtë jetë dhe përtej saj, paratë nuk e blejnë vlerësimin e sinqertë të njerëzve. Ata që i hyjnë politikës dhe marrin pushtetin për të mbushur xhepat nuk kuptojnë asgjë as nga politika dhe as nga misioni i saj, thesarin që ajo të rezervon kur i përkushtohesh me gjithë shpirt. Të jesh politikan është profesion i nderuar, profesion i sakrificës dhe rrezikut të personales në dobi të publikes. Politika është arti i qeverisjes në përfitim të të shumtëve, jo marifeti i gënjeshtrës dhe përvetësimit të të mirave publike për veten dhe klanin.

Lufta për vlerat sjell fuqizimin

A ndryshojmë ne nga pushtetarët tanë? Të dhënat e pjesshme tregojnë se jo. A duhet të ndryshojmë diçka tek vetja dhe tek elitat tona? Sigurish që po. Ringritja morale është e vetmja rrugë për fuqizimin e këtij kombi. Në një vend si yni, njerëz si Jon Huntsman-i përfundojnë të izoluar, të përjashtuar, pa mundësi zhvillimi karriere profesionale dhe pasurimi të ndershëm, ndërsa njerëz si Adrian Nastase jo vetëm nuk ndëshkohen, por promovohen, drejtojnë institucione, kontrollojnë pushtete, krijojnë pasuri të paimagjinueshme, paraqiten si modele suksesi, i japin shpirt kohës tonë nga shpirti i tyre dekadent. Kjo është rrënuese. Në sisteme të pandershme, i miri përulet ose ikën dhe fuqizon një komb tjetër, i ligu mbetet për të sunduar mbi kombin e tij. Kjo duhet të ndalet. Ndershmëria shpërblehet, pandershmëria ndëshkohet, duhet të jetë motoja e Shqipërisë së kohës tonë. Kështu një komb promovon pjesën e tij më të mirë, më të fuqishme dhe eklipson pjesën e tij me karakter të dobët. Në këtë formë e mira përhapet dhe e keqja fillon gradualisht të zvogëlohet.

Një popull që i ka mbijetuar sfidave të historisë është e pamundur të mos kuptojë se ku qëndron fuqizimi i tij, është e pamundur mos nxjerri njerëz të mençur dhe kurajozë, që të luftojnë për shëndetin moral të shoqërisë së tyre. Veçse kjo nuk është një sfidë pushtetarësh por mbarë qytetarësh. Nuk vjen suksesi nga ata që kultivuan dështimin, nuk rindërtohet karakteri i një kombi nga njerëzit me karaktere të deformuara të tij. Po nuk u ndje pjesëmarrja energjike e Shqipërisë reale, asgjë nuk përmirësohet, e ardhmja nuk do jetë më e mirë se e shkuara. Pa zgjim, pa luftë vlerash, nuk ka ndryshim. Se çështja më e mprehtë e një kombi nuk është varfëria e tij materiale por varfëria e tij morale, tjetërsimi dhe rrënimi i karakterit. Të tjerat janë rrjedhoja. Duhet të godasim shkakun që të kontrollojmë pasojat. Varfëria morale e njerëzve, sjell varfërinë intelektuale, varfërinë ideore, varfërinë e idealeve, ëndrrave dhe shpresave, që janë motori i optimizmit dhe realizimeve kombëtare.

Aty ku procesi historik i degradimit  ka qenë i avancuar, kur është djegur jo vetëm sipërfaqja por edhe brendia, vështirë të ndërtohet diçka e qenësishme. Se sado reforma të ndërmerren, në shkretëtirë nuk mund të kthehet jeta. Por duhet të besojmë se ka ende shpresë, ende jemi në kohë. Në vëzhgimet e mësipërme, situata nuk është optimiste por u evidentuan disa kategori potenciale që mund të ndërmarrin një luftë frontale ndaj kulturës korruptive. Njerëz të ndershëm nga sektori privat, i vogël dhe i mesëm, profesionistë në sipërmarrje që funksionojnë në bazë të tregut, ata që kanë punuar me rrjete organizmash ndërkombëtare, njerëz me parime të konsoliduara nga tradita familjare, etika profesionale, besimi fetar, krahina që ruajnë një kulturë ndershmërie autentike e të tjera grupe dhe individë të ndërgjegjshëm, mund të marrin pjesë aktive në rigjenerimin e vlerave të shoqërisë tonë. Një lajm i mirë është se edhe ai mazhoritet pjesëmarrësish që anonin drejt një përfitimi personal në dëm të publikes, në ushtrimin e funksioneve publike, nuk e kishin bërë atë realisht. Ata ishin infektuar nga një mendësi kolektive, por kur njiheshin me tiparet e liderit autentik, e kuptonin se në Shqipëri nuk paskemi pasur kurrë liderë të vërtetë dhe ajo që ishte mbjellë prej tyre ishte një bimë e helmuar. Këtu fillonin të ndryshonin opinion. Gjithçka është çështje fryme dhe këtu ka shpresë se e ardhmja do jetë ndryshe nga e tashmja.

Po nga duhet nisur? Tek ndryshimi i opinionit dominues. Për sa kohë që marrja e ryshfetit do konsiderohet në masë të gjerë një e mirë që të takon në sajë të aftësisë që ke treguar për të kapur një pozitë, si logjikë natyrale e mirëmbajtjes së rrjetit ku ke hyrë, gjërat nuk kanë se si të rregullohen. Shtrati ku rrjedh e keqja është konsoliduar në kohë. Kjo duhet ndryshuar - t'i hapet luftë mendësisë, simbolikës dhe promovuesve të këtij modeli.

Njerëzit kanë një tendencë natyrale të asociojnë veten me simbolika pozitive që u afrojnë identitet, prestigj dhe vlerësim social. Për sa kohë korrupsioni ka vetëm përfitime materiale, standard të lartë jetese, përkatësi të fuqishme grupi që të afron pasurim dhe karrierë, adhurim shoqëror për arritjet e tua në këtë mënyrë, asnjë ndëshkim të ligjit apo opinionit publik, gjërat nuk do ndryshojnë. Vendet që kanë kuptuar se kjo është formulë dështimi kanë reaguar në historinë e tyre, kanë nxjerrë mësime dhe kanë krijuar një tjetër kulturë, një tjetër simbolikë. Kroatet e lidhën luftën me korrupsionin në vendin e tyre si një luftë kundër një kulture të huaj me kulturën e tyre. Edhe prokurorisë speciale antikorrupsion i vunë emrin e një çete që luftonte otomanët. Një gjetje për t'i etiketuar të korruptuarit si një pushtues i huaj që vjen të cënojë integritetin dhe qytetërimin e vendit të tyre. Në këtë lloj forme krijohet një front i dyfishtë sa ligjor por edhe simbolik. Luftohet i korruptuari por edhe mendësia, kultura që ai mbart në hapësirën publike. Kur ne të shohim masivisht, pasurimin korruptiv dhe kriminal, si një sëmundje shoqërore, si një rrezik të ekzistencës tonë kombëtare, punët do fillojnë të ndryshojnë. Kur të ndalojmë përfaqësimin dhe pastrojmë elitat nga kjo kategori, ndryshimi ka filluar të konsolidohet.

Për këtë nuk duhet revolucion por një luftë konstante, fillimisht individuale në çdo front. Shpesh thuhet se i vetëm nuk mund të arrish gjë. Kjo është një premisë dekurajuese. Historia njerëzore ka ndryshuar në sajë të disa njerëzve të guximshëm. Kjo botë është bërë më e mirë se ka pasur disa njerëz me parime dhe karakter të fortë që nuk janë bërë mënjanë por e kanë luftuar të keqen. Ata kanë rrezikuar dhe ia kanë dalë – suksesi i tyre është transformuar në zhvillim për të tjerët. Edhe një njeri i vetëm mund të kthejë rrugëtimin e gabuar të kombit të tij, nëse ka qëllime të qarta, mjaftueshëm kurajë dhe vendosmëri për të bërë ndryshimin. Edhe ky njeri i vetëm mund të jetë çdo njeri i thjeshtë. Në rrugëtimin e tij do dalin edhe shumë të tjerë që në heshtje ndajnë të njëjtat vlera. Robert Coles, profesor i Etikës Shoqërore të Universitetit të Harvardit, në librin e tij Lives of Moral Leadership, flet për rëndësinë e këtij njeriu, për rolin e tij/tonin në skenën morale të botës që na rrethon, për energjinë dhe frymëzimin që buron nga qëndresa tij/jonë, për mënyrën se si forca etike dhe morale e njeriut të thjeshtë kthehet në burim inkurajimi dhe konsolidimi të fibrës morale të kombit, si iniciues i një marshimi të përbashkët të të ngjashmëve në krah të njëri-tjetrit, në rrugëtimin e mbrojtjes së vlerave më të mira njerëzore.

Njëherësh e nisur, çdo përpjekje mbledh një energji të paparashikuar më parë dhe kthehet me kohën në uragan. Sikurse pohon në teorinë e saj studiuesja gjermane Elisabeth Noelle-Neuman, tek The Spiral of Silence: Public Opinion – Our Social Skin: grupi që ka disponibilitetin më të madh për të mbrojtur publikisht pikëvështrimin e tij, në kohë do bëhet dominues. Nëse ne do luftojmë për parimet tona, një ditë jo shumë larg nga sot, rigjeneruesit e vlerave morale do përbëjnë shumicën e re drejtuese dhe Shqipëria do hyjë në një tjetër erë të qytetërimit të saj...

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Denisa29/05/2017 14:38

Nje pedagog shum i mir dhe nje njeri me vlera do ishte shum i cmuar per shqiperin nese do ishte ne listen e deputeteve...

Frenk27/05/2017 08:21

Nuk e di ku i ka syte ai Basha qe nuk e vendos deputet zotin Piciri. A ka te krahasuar pena e art e talentit te rralle zoti Piciri me injoranta si Paloka dhe Mul Noka? Zoti Piciri te behet deputet. Po e therret nje popull i tere. Shikoni komentet ketu.

Kri kri26/05/2017 23:29

Nje talent i tille si i famshmi Piciri nuk duhet lene te shkoje dem. Mund te them me plot gojen Osho shqiptar qe i kullon mjalt e shkuar mjaltit nga goja.

Fallus26/05/2017 17:42

Na pri Erion Piciri, na ke pas.

Levizja "Per Rilindje te vertete te vlerave26/05/2017 16:28

Me ne fund nje fije shprese, nje njeri qe thote te verteten e madhe duke e kapur vertet nga rrenja problemin e jo nga deget si gjithe te tjeret. Dua te besoj se ky do te jete fillimi i nje levizje te vertete shoqerore qe do te coje ne ndryshimin e vertete qe presim te gjithe. Eshte koha qe te pushojme se prituri ndryshimin por te fillojme te behemi pjese e tij. Eshte mire qe t'u thuhet atyre njerezve parimore e te ndershem se ata jane shpetimi e shpresa e kombit e jo turpi i tij, sic trajtohen ne ditet e sotme. Eshte mire qe t'u behet e ditur atyre te korruptuarve e moralisht te bjerrurve se ata nuk do te kene me shperblimet e privilegjet qe gezojne deri tani por vetem ndershkimin ligjor qe meritojne.
Dua te besoj ashtu si autori se keto dite jane shume shume prane, nese shumica prej nesh vertet e duan qe te ndodhin.

Shto koment

Denonco