Një analizë e re shkencore hedh dritë mbi origjinën e Qefinit të famshëm të Torinos, duke konfirmuar edhe një herë dyshimet se bëhet fjalë për një artefakt mesjetar dhe jo për pëlhurën që mbështolli trupin e Jezu Krishtit.
Sipas një studimi të botuar në revistën shkencore Archaeometry, imazhi i dukshëm në çarçafin prej liri nuk është rezultat i kontaktit me një trup të vërtetë, por është prodhuar nga një skulpturë basorelievi.
Autori i analizës është eksperti brazilian i rikonstruksioneve 3D, Cicero Moraes, i cili përdori mjete digjitale për të simuluar mënyrën se si pëlhura do të kishte marrë formën e një trupi njerëzor krahasuar me një sipërfaqe të rrafshët në reliev. Rezultatet ishin të qarta: vetëm skenari me basoreliev prodhon një imazh që përputhet me atë që shfaqet në Qefin, ndërsa vendosja e pëlhurës mbi një trup real rezulton në një figurë të shtrembëruar.
Moraes sqaroi për “Live Science” se skulptura që ka shërbyer si matricë mund të ishte prej druri, metali apo guri, dhe e pigmentuar ose ngrohur në mënyrë selektive për të krijuar efektin e gjurmës. Studimi i tij mbështet përfundimet e datimit me radiokarbon të vitit 1989, sipas të cilit pëlhura daton nga vitet 1260–1390, çka përjashton mundësinë që ajo të jetë nga koha e Krishtit.
Edhe eksperti italian Andrea Nicolotti, profesor i Historisë së Krishterimit në Universitetin e Torinos, bie dakord me përfundimet e Moraes, duke theksuar se analiza nuk sjell risi thelbësore, por konfirmon një hipotezë të vjetër. “Për të paktën katër shekuj, është ditur se imazhi në pëlhurë nuk mund të jetë rezultat i kontaktit me një trup tredimensional,” deklaroi ai në faqen skeptic.com.
Qefini i Torinos, një objekt që prej shekujsh ka qenë subjekt adhurimi, kurioziteti dhe debate shkencore, vazhdon të ruajë interesin si një nga artefaktet më enigmatike të historisë së krishterimit.
© SYRI.net