Vera romake ishte pak pikante me 'shije buke së thekur dhe arrash'

Vera romake ishte pak pikante me 'shije buke së thekur dhe arrash'

11:22, 23/01/2024

Romakët njiheshin për dashurinë e tyre për verën. Por çfarë shije kishte vërtet një gotë verë në epokën romake? Në një studim të ri, studiuesit nga Universiteti i Gentit vendosën t'i përgjigjen kësaj pyetjeje, duke analizuar dolian romake - qypat e mëdhenj prej balte që romakët përdornin për prodhimin e verës.

Analiza e tyre sugjeron se vera romake kishte një aromë "pak pikante", me shije buke të thekur dhe arrash. Dhe ndonëse mund të mos tingëllojë e këndshme, studiuesit thonë se vera shkaktonte një 'ndjesi tharjeje' në gojë, e cila mund të ketë qenë e dëshirueshme për qiellzën romake. Studimet e mëparshme kanë dokumentuar dashurinë e romakëve për verën, e cila fermentohej, ruhej dhe dekantohej në dolia. Megjithatë, deri tani, pak dihet për pamjen, erën dhe shijen e këtij lëngu.

"Asnjë studim nuk e ka shqyrtuar ende rolin e këtyre enëve prej balte në prodhimin e verës romake dhe ndikimin e tyre në pamjen, erën dhe shijen e verërave të lashta", thanë autorët, të udhëhequr nga Dr Dimitri Van Limbergen. Në studimin e tyre, studiuesit krahasuan dolian romake me enë të ngjashme të prodhimit të verës të quajtura qvevri, të cilat përdoren ende sot në Gjeorgji. Analiza e tyre sugjeron se disa faktorë ndikuan në verën e romakëve, duke përfshirë formën, materialin dhe ruajtjen e enës.

Për sa i përket formës, baza e ngushtë e enës parandalon që trupat e ngurtë të rrushit të kenë shumë kontakt me verën ndërsa ajo dekantohet. Sipas ekspertëve, kjo rrit jetëgjatësinë e verës dhe i jep asaj një 'ngjyrë të bukur portokalli'.

Ndërkohë, duke e groposur dolinë në tokë, romakët mund të kontrollonin temperaturën dhe pH-në e verës. Kjo nxiste formimin e majave sipërfaqësore dhe një përbërje kimike të quajtur sotolon, sipas studiuesve, që do t'i jepte verës një shije pikante dhe shije buke të thekur dhe arrash.

Ndryshe nga enët e sotme industrialë, që janë metalike, enët prej balte të romakëve ishin poroze, duke lejuar oksidimin gjatë procesit të fermentimit.

"Kontakti i pakontrolluar i ajrit e kthen verën në uthull, por oksidimi i kontrolluar mund të rezultojë në verëra të shkëlqyera, pasi përqendron ngjyrën dhe krijon shije të këndshme barishtore, arra dhe frutash të thata", shpjeguan studiuesit.

Për më tepër, kjo baltë e pasur me minerale i jepte verës një 'ndjesi tharjeje' në gojë, gjë që studiuesit sugjerojnë se mund të ketë qenë e dëshirueshme për qiellzën romake.

Në përgjithësi, gjetjet sugjerojnë se romakët e dinin se çfarë po bënin kur bëhej fjalë për të bërë verë.

"Larg nga të qenit enë magazinimi të zakonshme, doliat ishin enë të projektuara me precizion, përbërja, madhësia dhe forma e të cilave kontribuonin në prodhimin e suksesshëm të verërave të ndryshme me karakteristika specifike organoleptike," thanë studiuesit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco