Me moton “Mbroni botën tuaj- Vaksionohuni” shënohet Java Europiane e Imunizimit

Me moton “Mbroni botën tuaj- Vaksionohuni” shënohet Java Europiane e Imunizimit

15:27, 27/04/2022

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës e ka shënuar Javën Europiane të Imunizimit.

Shënimi i kësaj jave, ka për qëllim ngritjen e vetëdijes tek politikëbërësit, punëtorët shëndetësorë, prindërit dhe kujdestarët, e po ashtu edhe tek e gjithë popullsia, për rëndësinë e imunizimit, për të mbrojtur fëmijët nga sëmundjet e parandalueshme përmes vaksinimit dhe duke theksuar rolin kyq të profesionistëve shëndetësorë në ndërtimin e praktikave të parandalimit ndaj sëmundjeve ngjitëse vaksinë-preventabile.

Drejtori i IKSHPK-së, Naser Ramadani tha se në Kosovë, Programi i Zgjeruar i Imunizimit, është program me prioritet të lartë, dhe se të gjitha programet e miratuara dhe ndryshimet në vetë Programin e Zgjeruar të Imunizimit, duke përfshirë edhe kalendarin e vaksinimit, bëhen në përputhshmëri me rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe në vijë me Politikën e Imunizimit të miratuar nga Ministria e Shëndetësisë.

“Falë vaksinimit, Kosova sot nuk ka Paraliza të fëmijëve e as difteri, nga viti 1981, tetanus neonatal nga viti 1998, si dhe ka përqafuar Programin e Eliminimit të Fruthit dhe Kontrollës së Rubellës Kongjenitale”-tha ai.

Zëvendësministre e Shëndetësisë, Dafina Gexha tha se pandemia COVID-19 është shembulli më unik për të treguar se sa i ekspozuar është sot njerëzimi para rreziqeve shëndetësore, por në të njejtën kohë, ajo tha se është shembulli më i mirë për të dëshmuar se solidariteti midis njerëzve nuk duhet të njohë kufinj dhe duhet t’i kontribuojë mbrojtjes së solidaritetit.

Ndërsa, tha se Qeveria e Kosovës ka kontraktuar sasi të mjaftueshme të vaksinave kundër COVID-19, të miratuara nga EMA dhe FDA.

“Një tjetër aspekt, në të cilin kemi shtuar fokusin gjatë këtij viti është edhe porosia e disa qindra vaksinave kundër Human Papilloma Virusit, për herë të parë në Kosovë, me qëllim që vajzave të reja, sivjet, në baza vullnetare, e viteve në vijim, në mënyrë të rregullt, t’u ofrohet preventivë kundër kancerit të qafës së mitrës”, tha ndër tjerash ajo.

Përfaqësuesja e zyrës së UNICEF-it në Kosovë, Dafina Muçaj tha se që nga fillimi i pandemisë, UNICEF-i në Kosovë, ka bashkëpunuar me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike, në mënyrë që të minimizojnë impaktin e COVID-19 në imunizimin e rregullt.

“UNICEF së bashku me organizatat me bazë në komunitet, ka përkrahuar identifikimin derë-më derë të fëmijëve të cilët nuk janë vaksinuar, në mënyrë që Institucionet e Kujdesit Parësor Shëndetësor të vazhdojnë me vaksinimin plotësues të këtyre fëmijëve”- tha ajo.

Përfaqësuese e zyrës së OBSH-së në Kosovë, Edita Haxhiu, tha se objektivat e fushatës së këtij viti janë: të rrisin ndërgjegjësimin e publikut për mbrojtjen e ofruar nga vaksinat kundër sëmundjeve dhe vdekjeve gjatë gjithë jetës; të krijojnë mbështetje në mesin e profesionistëve të kujdesit shëndetësor për vaksinimin gjatë gjithë jetës; të angazhojnë politikëbërësit shëndetësorë dhe menaxherët e programeve të vaksinimit në miratimin e një qasjeje gjatë jetës ndaj vaksinimit.

Gjithashtu, ajo u shpreh se në muajt dhe vitet në vijim, programet e imunizimit në Rajon do të duhet të mbajnë mbulim të lartë vaksinimi në çdo nivel administrativ. Kjo nënkupton sigurimin e marrjes së lartë të shërbimeve të rregullta të imunizimit, lehtësimin e imunizimit të ri për fëmijët dhe të rriturit që kanë humbur dozat në të kaluarën, dhe integrimin në këto shërbime të të gjithë të ardhurve, përfshirë migrantët dhe refugjatët.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco