Gola, kartona dhe tension/ Derbi Tirana-Partizani mbyllet në barazim

Gola, kartona dhe tension/ Derbi Tirana-Partizani mbyllet në barazim

21:14, 03/12/2023

Tirana dhe Partizani barazuan 1-1 në derbin e 172 të kryeqytetit. Për javën e 15-të të Superligës në futboll, sfida e zhvilluar mbrëmjen e së dielës në "Air Albania" i kishte të gjitha. 

Sfida nisi me tetë minuta vonesë dhe për këtë u kujdesën tifozeritë, që ndezën një arsenal të vërtetë flakadanësh, me tymin që u bë pengesë për fillimin normal të sfidës. Pas fërshëllimës së parë, Tirana kontrolloi lojën dhe pati disa raste.

Ishte Florent Hasani që në minutën e 28-të kaloi bardheblutë në epërsi, duke dërguar pjesën bardheblu të stadiumit në festë. Më pas, në minutat 32 dhe 34 kishte tension, me tifozët që u bënë protagonistë duke hedhur sende të forta në fushë.

Të lënduar mbetën Najdovski dhe Qirko, teksa arbitri Juxhin Xhaja ftoi dy kapitenët për të folur me ultrasit, duke dhënë sinjalin se nëse situata vijonte do detyrohet të ndërpriste sfidën. Pas vijimit të lojës dhe me shtatë minuta shtesë, pjesa e parë u mbyll 1-0 për bardheblutë.

Fraksioni i dytë nisi me grintë, teksa sërish bardheblutë e filluan mirë. Latifi humbi një rast të pabesueshëm te Tirana. Në vijimin e lojës dhe konkretisht në të 69 minutë Doka dhe Rrapaj u përplasën mes tyre.

Duhej minuta e 80-të që i sapofuturi Albers Keko të vendoste ekuilibrat për 1-1 me një goditje fluturimthi. Më pas Përgjoni gaboi te Tirana, ndërsa e gjithë ndeshja u mbyll 1-1. Tirana ka 14 muaj pa sukses në derbi dhe fitorja e fundit ishte në 2 tetorin e 2022 me dopietën e Xhixhës. Ndërkohë Partizani ka tre barazime radhazi.

Në fundin e javës së 15-të është Egnatia me 33 pikë që kryeson, ndjekur nga Partizani me 29 pikë (një ndeshje më pak) dhe Tirana me 22 pikë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

>
Denonco