Armand Duka tregon raportet mes Brojës dhe Sylvinho-s

Armand Duka tregon raportet mes Brojës dhe Sylvinho-s

17:31, 30/11/2023

 

Kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), Armand Duka është rrëfyer së fundmi për raportet mes sulmuesit kuqezi Armando Broja dhe trajnerit Sylvinho.

Shqipëria arriti të kualifikohej në Euro 2024 pas një fushate kualifikuese të jashtëzakonshme ku arriti dhe vendin e parë në grup, duke lënë pas ekipe si Çekia dhe Polonia.

Megjithatë, super ylli i kuqezinjëve, Broja, nuk luajti asnjë minutë të vetme në ato kualifikuese. Shumë sugjeruan se ka një përplasje mes tij dhe trajnerit Sylvinho. Fjalët vijuan të rrjedhin edhe pse si lojtari ashtu dhe trajneri e kanë mohuar disa herë një përçarje në raportin mes tyre.

Së fundmi, në këtë debat është përfshirë edhe vetë Duka. Numri një i futbollit në Shqipëri duke folur për “Tribal Football” thekson se sulmuesi dhe trajneri kanë raporte të mira.

“Jam pyetur shumë herë për këtë dhe do të vazhdoj të them se nuk ka asnjë problem me Brojën. Nuk dua të them se janë lajme të rreme, por ka nevojë të sqarohen gjërat”, tha Duka.

“Broja ka një vit jashtë fushës me një dëmtim të rëndë dhe shpresoj që Armando të përmirësohet. Është një lojtar shumë i mirë, një talent i çmuar, një lojtar që Shqipëria rrallë e ka parë në historinë tonë. Broja është shumë i rëndësishëm për kombëtaren dhe jam i sigurt se do të jetë pjesë e kombëtares”, vijoi kreu i FSHF-së.

Në fakt, Armand Duka pret që ta shikojë Brojën në formë optimale për finalet e Euro 2024 që do të zhvillohen në Gjermani verën e ardhshme.

“Për shkak se ai ka kohë që është jashtë kombëtares, sfida e tij është të integrohet sa më shpejt me këtë grup lojtarësh. Ky grup lojtarësh ka qenë fantastik dhe po fiton. Tani Broja duhet të gjejë hapësirë dhe të bëhet pjesë e këtij grupi”, u shpreh Duka.

“Duke ditur nivelin e tij profesional, jam i sigurt se ai do ta kapërcejë këtë sfidë dhe do të jetë pjesë e skuadrës në të ardhmen e afërt”, përfundoi kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

>
Denonco