Fitorja për titullin kampion/ Martini: E dimë, Apolonia nuk i hap rrugë askujt!

Fitorja për titullin kampion/ Martini: E dimë, Apolonia nuk i hap rrugë askujt!

13:37, 25/05/2021

Të mërkurën do të jetë një javë shumë e nxehtë për Kategorinë Superiore.

Titulli do të vendoset në ndeshjen e fundit. Teuta dhe Vllaznia shkojnë në kuotë pikësh të barabarta në këtë finish, nga 63 të tilla, me durrsakët që kanë vetëm një gol më shumë.

Titulli kalon përmes Apolonisë dhe Laçit, respektivisht, me të cilat do të luajnë nesër “djemtë e detit” dhe shkodranët. Trajneri Edi Martini është shkodrani i vetëm, që dëshiron që titulli të shkojë te Teuta, që e drejton:

“Normale, është ndeshja e fundit e kampionatit dhe vlen titullin. Jemi të mobilizuar në maksimum që të shpallemi kampionë. Nuk e kemi mendjen te Vllaznia. Ne duhet të bëjmë lojën tonë dhe të fitojmë ndeshjen. Normale, që një sy dhe një vesh duhet të jetë në Shkodër, megjithëse unë mendoj që në këtë moment na ka ardhur fati në dorë në ndeshje të fundit, djemtë e dinë sa e rëndësishme është, ekipi është i mobilizuar në maksimum dhe shpresojmë të bëjmë më të mirën.

Sfida me Brdaric? Po, është e vërtetë, ne kemi ndenjur dhe kemi pirë kafe së bashku, por këto janë biseda trajnerësh, ku njëri kërkon të dekurajojë tjetrin, është si një lojë shahu. Unë e kam thënë më bindje, duke qenë se janë dy ekipe; Laçi dhe Apolonia, se nuk do ta kemi të lehtë. Laçi ka bërë një kampionat mjaft të mirë, ndërsa Apolonia ka treguar se me djem të rinj befason këdo. Nuk do ta kemi të lehtë, por fusha do ta tregojë.

E nesërmja është një ndeshje që duhet ta përgatisim për të gjithë skenarët, edhe për lojën e nervave, shpejtësinë e lojës dhe për arritjen te goli. Është një ndeshje që në letër duket e lehtë, por duhet t’ia bëjmë hyzmetin dhe ta trajtomë sikur po luajmë ndaj një ekipi për kampion. Pra, neglizhenca nuk ekziston.

Deklaratat e Kokëdhimës? Janë normale, pasi deri më tani, Apolonia i ka luajtur të gjitha ndeshjet ‘fair’, nuk i ka hapur rrugë askujt, madje iu ka marrë pikë dhe ekipeve pretendente. Mungon Aleksi? Kemi disa alternativa, por Karabeci dhe Avdyli do të jenë në balotazh për një fanellë titulluari. Presioni i titullit? Unë kam bindjen se lojtarët nesër do të jenë më të angazhuar se kurrë. Normalisht jemi një hap përpara ekipeve të tjera, jemi shumë pranë titullit, por nesër mbetet për t’u parë si mund të shkojnë gjërat”. 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

>
Denonco