Besimtarët myslimanë në Sarandë kanë festuar sot Kurban Bajramin, duke u mbledhur në orët e para të mëngjesit për faljen e namazit në orën 06:45 në mjediset e xhamisë së qytetit, si dhe në hapësirat përreth saj ku u organizua ceremonia fetare.
Në falje morën pjesë qindra qytetarë, të cilët u bashkuan në lutje dhe shkëmbyen urime për këtë ditë të shenjtë.
Për shkak se Myftiu i Sarandës, Bledar Mullai ndodhet në Mekë për kryerjen e ritualit të Haxhit, falja e namazit u drejtua nga Banart Pajollari.
Gjatë fjalës së tij, ai përcolli mesazhe për paqe, harmoni, mirëkuptim dhe vëllazëri mes njerëzve, duke theksuar rëndësinë e solidaritetit dhe respektit reciprok në shoqëri.
Pas përfundimit të faljes, besimtarët shkëmbyen urime për më shumë begati, shëndet dhe paqe në familjet e tyre, ndërsa kremtimet e Kurban Bajramit vijojnë edhe në ambiente familjare.
© SYRI.net