Namazi i Kurban Bajramit mbledh qindra besimtarë në qendër të Fierit

07:21, 27/05/2026

Qindra besimtarë myslimanë në Fier kanë falur në orët e para të mëngjesit të kësaj të mërkure Namazin e Kurban Bajramit në Sheshin Qendror të qytetit, duke kremtuar një nga festat më të rëndësishme të besimit islam.

Ceremonisë së faljes i parapriu fjala e kreut të Myftinisë Fier, Mikele Hazizolli, i cili theksoi rëndësinë shpirtërore dhe sociale të kësaj feste. Në mesazhin e tij ai u ndal te simbolika e Kurban Bajramit, duke e cilësuar atë si një festë që përçon sakrificën, solidaritetin dhe ndërgjegjësimin shpirtëror.

Besimtarët, ashtu si çdo vit, kryen ritin e faljes dhe më pas shkëmbyen urime e mesazhe dashurie, paqeje dhe mirëqenieje për familjet fierake.

Sipas traditës së kësaj dite të shenjtë për myslimanët, shumë familje kanë prerë kurban, ndërsa një pjesë e mishit është shpërndarë për njerëzit në nevojë, si simbol i solidaritetit dhe ndihmës ndaj njëri-tjetrit.

Ndërkohë, gjatë ditës pritet që familjet të mblidhen në dreka festive me miq dhe të afërm, duke vijuar atmosferën e gëzimit dhe bashkimit që sjell Kurban Bajrami.

Kjo festë në Fier po bëhet çdo vit edhe më masive, pasi një numër gjithnjë e më i madh besimtarësh të grupmoshave të ndryshme po i bashkohen riteve dhe traditave të besimit islam.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco