Deputeti i Partisë Demokratike, Eno Bozdo, i ftuar në SYRI TV me moderatorin Arnold Kariqi, komentoi të dhënat e fundit mbi emigracionin në Shqipëri, si edhe procesin e votimit të zhvilluar në Partinë Demokratike.
Bozdo tha se sipas të dhënave të publikuara së fundmi nga Banka Botërore, Shqipëria renditet e para në Ballkanin Perëndimor për emigracionin neto gjatë viteve 2024-2025.
Duke komentuar procesin e referendumit per kryetarin e PD-së, Bozdo tha se votat po numërohen në degët ku janë hedhur dhe jo në selinë qendrore, duke e konsideruar këtë një standard transparence.
‘Në fakt është Banka Botërore, sepse INSTAT-i përgjithësisht mundohet që këto lajme t’i japë të kamufluara ose për gjysmë. Është Banka Botërore e cila, përpara, mos gaboj, maksimalisht një jave, ka publikuar gjetjet dhe statistikat e saj për gjithë Ballkanin Perëndimor, duke analizuar vitet 2024–2025.
Për fat të keq, Shqipëria qëndron në krye të listës së Ballkanit Perëndimor për braktisjen, emigracionin neto. Emigracion neto do të thotë diferenca mes atyre që ikin dhe atyre që vijnë. Dhe shifrat janë tronditëse. Në vitet 2024 dhe 2025 janë më shumë se 48 mijë e 400 shqiptarë të cilët kanë ikur drejt vendeve të tjera dhe ky është efekti i emigracionit neto. Pra kanë ikur më shumë, ndërkohë që ka pasur një fluks shumë të vogël hyrjesh.
Çka do të thotë që në dy vitet e fundit Shqipëria është zvogëluar me një bashki të nivelit të mesëm. Dhe këta janë rreth 50 mijë shqiptarë, nëse do ta rrumbullakosim, pasi një pjesë e madhe ikin edhe pa dokumente.
Patjetër, ne i referohemi kësaj si një fenomen asimetrik. Çka do të thotë se ata që ikin, largohen sepse janë të pakënaqur me situatën këtu dhe, me probabilitet shumë të lartë, 70–80% në përgjithësi janë mbështetës të opozitës. Sigurisht që mund të ketë edhe reflektime; ne do t’i shohim shifrat tani ku jemi dhe patjetër që do të ketë edhe pasqyrim në rezultatet përfundimtare.
Por gjithsesi duhet të kuptojmë që Partia Demokratike gjatë kësaj kohe ka bërë anëtarësime të reja; janë brezat e rinj që vijnë, kështu që mendojmë të kemi një efekt përgjithësisht të përmbajtur. Shpresojmë shumë. Të shohim shifrat, sepse besoj se do të na japin një panoramë shumë të qartë të asaj që po ndodh.
Kam përshtypjen që, në përgjithësi, ky ka qenë qëndrimi ynë vazhdimisht. Nuk e kemi sjellë, si në rastin e votimeve në gjithë republikën, që i kemi numëruar në seli. Por kjo, shikoni, votat duhet të numërohen atje ku hidhen. Dhe ne e kemi lënë të hapur për mediat; pra, le të themi, kur numërohen votat në Berat, meqenëse i takoj asaj zone, mediat do të jenë atje.
Tani po shikoj që po numërohen në dhomën tjetër këtu, në hyrjen tjetër, votat për Këshillin Kombëtar dhe për degën 2 të Tiranës; janë të gjitha mediat të fokusuara.
Transparenca është shumë e rëndësishme në këtë proces: numërimi i votës një më një dhe dalja e rezultatit ekzaktësisht ashtu siç e ka hedhur votën demokrati, siç ka dashur të votojë. Kështu që jemi të përkushtuar për të bërë procesin më të mirë dhe më transparent. Dhe besoj që sot po e arrijmë.
Është një ndër proceset më të mira, që nuk shënohet si i tillë vetëm për pjesëmarrjen e qartë të demokratëve, por në mënyrë absolute edhe për shkak të punës së madhe përgatitore, pasqyrimit, reflektimit dhe pastrimit të listave në lista reale, jo lista të tejfryra, siç kemi pasur situata para shumë vitesh, kur listat trashëgoheshin nga viti në vit.
Besoj që është një ndër proceset, ndoshta procesi më i mirë nga pikëpamja organizative. Dy-tri gjëra të vogla për t’u korrigjuar, që nuk quhen as gabime, janë të pashmangshme në një proces të tillë. Por nga pikëpamja e standardit të organizimit zgjedhor dhe transparencës, Partia Demokratike sot ka vendosur një standard të ri. Një standard i ri që do të përshëndetet nga shqiptarët dhe do të vlerësohet shumë për këtë punë që është bërë.’, tha deputeti Eno Bozdo ndër të tjera në SYRI TV.
© SYRI.net