Investime milionëshe në Bashkinë e Matit janë vënë në qendër të akuzave për keqpërdorim të fondeve publike dhe klientelizëm politik. Projektet kryesore, përfshirë Unazën e re të Burrelit dhe rikonstruksionin e shesheve të qytetit, ngrenë pikëpyetje serioze mbi nevojën dhe transparencën e tyre.
E ftuar ditën e sotme në 'Kafe Shqeto', deputetja e PD Denisa Vata tha se para zgjedhjeve lokale janë kryer investime "fasadë" në rrugët e fshatrave, me një shtresë asfalti vetëm 3 centimetra të trashë, të cilat tashmë janë shkatërruar.
Kulmi i këtyre investimeve problematike, sipas deputetet është Unaza e Burrelit, një projekt me vlerë 1.2 milionë euro për vetëm 1 kilometër rrugë.
Ky investim konsiderohet i panevojshëm, aq më tepër që është realizuar në një zonë me rrezik të lartë rrëshqitjesh toke.
Për ironi, në të kaluarën, vetë bashkia ka dëmshpërblyer familje për dëmet e shkaktuara nga lëvizjet e dherave pikërisht në atë zonë, duke e bërë vendimin për të ndërtuar unazën edhe më të dyshimtë.
Lidhjet e dyshimta nuk ndalen me kaq. Investimi në unazë justifikohet me bllokimin e qendrës së qytetit nga dy projekte të tjera: rikonstruksioni i dy shesheve kryesore.
Tenderin për sheshin "Ahmet Zogu" mësohet se e ka fituar e njëjta firmë, pronari i së cilës është kapur më parë në Maqellarë në një skandal të blerjes së votave në favor të Partisë Socialiste.
Vata u shpreh se ky fakt hedh hije të rënda dyshimi mbi integritetin e procesit të tenderimit dhe lidhjet mes biznesit dhe politikës në këtë zonë. Denoncimet tregojnë për një model përjashtues ndaj biznesit lokal.
Që prej ardhjes së Partisë Socialiste në drejtimin e Bashkisë Mat, thuhet se asnjë tender nuk është fituar nga biznesmenë vendas, me përjashtim të një rasti të vetëm, kompanisë "Ulza SHPK".
Në përfundim, deputetja opozitare u shpreh se kjo situatë ka krijuar një klimë monopoli dhe ka shuar konkurrencën e ndershme, duke përqendruar fondet publike në duar të pakta.
Deklarata e plotë:
“Shiko Flavio, në Mat para zgjedhjeve të vitit 2025, ka pasur investime, domethënë, fasadë, investime në kuptimin që në disa rrugë fshatrash, pothuajse 16, 17 fshatra janë investuar asfalti, por një asfalt 3 cm.
Dhe, siç ke për shembull rrugën e Macukullit, Burgajetit, rrugën e Frankthit e cila është shembur, rruga e Karicës, rruga e shumë fshatrave të tjerë që kanë përfunduar tashmë të shembura dhe pa një rezistencë. Por kulmi i gjithë kësaj është unaza e Burrelit.
Një investim 1.2 milion euro për 1 km. Asnjërit nuk i duhej unaza e Burrelit për ta bërë në në këtë kuptimin që hajde ta bëjmë shpejt e shpejt, nuk ishte ndonjë emergjencë.
Shiko, po të marrësh çdo qytetar të thjeshtë të qytetit dhe ta pyesësh për unazën e Burrelit, ore një më të thjeshtin do të thotë që nuk i nevojitet të bëhej një investim i tillë, sepse unaza e Burrelit gjithmonë është shembur.
Pra, ne kemi disa vendime të Këshillit Bashkiak Mat ndër vite që familjet që ndodhen pranë unazës së Burrelit janë dëmshpërblyer për këtë fakt. Pra sepse ka patur rrëshkitje toke, ju kanë prishur shtëpiat e shumë e shumë probleme të tjera. Dhe çfarë ndodh? Investohet në unazën e Burrelit.
E di pse është investuar në unazën e Burrelit? Përveçse për të përfituar disa para, në unazën e Burrelit është investuar sepse të dy sheshet e qendrës së Burrelit janë të bllokuara. Pra janë bërë investime në një qytet të vogël si Burreli, dy sheshe pranë njëri-tjetrit janë investuar me pllaka mermeri apo ku di unë se çfarë.
Dhe më e bukura, është se në sheshin Ahmet Zogu, në qendër të qytetit, e di kush e ka fituar tenderin? E njëjta firmë, e njëjta firmë që u kap në në në Maqellarë duke blerë vota për Partinë Socialiste.
Pra, makinat në emrin e pronarit të firmës që ka fituar sheshin e qendrës së Burrelit, është i njëjti që u kap në Maqellarë, për të blerë vota për Partinë Socialiste.
Pra, me ardhjen e Partisë Socialiste në drejtimin e Bashkisë Matit, asnjë tender nuk është fituar nga biznesmenë matjanë. I vetmi biznesmen që ka fituar tender është "Ulza SHPK".
© SYRI.net