Veizi nga foltorja e PD-së: Qeveria ka dështuar, Shqipëria po humbet të rinjtë dhe shpresën

Veizi nga foltorja e PD-së: Qeveria ka dështuar, Shqipëria po humbet të rinjtë dhe shpresën

18:42, 02/03/2026

Amarildo Veizi, gjatë fjalës së tij në foltoren e Partisë Demokratike para Kryeministrisë, u shpreh se situata në vend ka arritur në një pikë kritike për qytetarët shqiptarë.

Ai theksoi se qeverisja aktuale ka dështuar në çdo sektor, nga arsimi dhe shëndetësia, te ekonomia dhe mundësitë e rinisë, duke e shndërruar Shqipërinë në një vend me rritje të moshës mesatare, humbje të vitalitetit dhe largim të të rinjve jashtë vendit.

 Veizi nënvizoi se opozita është e vetmja që tregon të vërtetën, zbulon dështimet e qeverisë dhe i bën thirrje shqiptarëve të reagojnë për të rikthyer dinjitetin, shpresën dhe zhvillimin e vendit.

Fjala e tij:

Të nderuar shqiptarë, demokratë dhe çdo opozitar që refuzon të dorëzohet, mirëmbrëma kryetar i Partisë Demokratike, zoti Berisha.

Sot kam kërkuar fjalën para jush për të folur për disa pika shumë të rëndësishme që ne i kemi prekur vazhdimisht, dhe ndryshe nga foltoret e tjera, sot vetë atmosfera e kësaj mbledhje midis nesh na jep një ndjesi të ngjashme me atë që u përjetua më 2 mars 1444. Sot është kjo datë, 2 mars. Disa vite më parë, për këdo që ka gjak shqiptari në vena, kjo është një datë e shenjtë. Në atë vit të largët, Gjergj Kastrioti nuk mblodhi thjesht ushtarë; ai mblodhi vullnete. Ishte momenti i shenjtë ku interesi kombëtar u vendos mbi çdo ego personale. Besëlidhja e Lezhës ishte momenti i shenjtë kur shqiptari kuptoi se pa bashkim, liria është vetëm një ëndërr që tretet. Ai moment na kujton se ky vend është ndërtuar mbi sakrificën e atyre që nuk ikën, por qëndruan për ta bërë Shqipërinë fortesë të qytetërimit.

Nuk ka ditë që propaganda e Rilindjes të mos e nisë dhe ta mbyllë me refrenin e lodhur: fajin e ka opozita që nxi realitetin. Opozita nuk nxin asgjë. Opozita është thjesht ajo që po i çjerr maskën kësaj qeverie. Ne jemi pasqyra ku kjo mazhorancë sheh dështimin e vet, dhe, ngaqë nuk i pëlqen imazhi, dëshiron ta thyejë. Ne jemi ata që tregojmë se rrugët nuk kushtojnë sa floriri, por vidhen si flori. Ne nuk e nxiim realitetin; ne thjesht ndezim dritën që njerëzit të shohin të vërtetën, dhe jemi po ne ata që reagojmë.

Ku janë të rinjtë sot? Zotërinjtë e qeverisë, ju që flisni për turizmin dhe shifrat imagjinare, ne ju flasim për jetët e njerëzve. Ndryshimi i asaj që flitet në këtë foltore me ato që dëgjohen në media është një ndryshim drastik për ata që i quajnë shifrat e vërteta dhe propagandën. Për të folur pak në gjuhën tuaj, shihni ku e keni çuar Shqipërinë këto vite.

Në 2013-ën, kur fajin e kishte opozita, mosha mesatare ishte 33 vjeç. Sot, që meritën e keni ju, është 41 vjeç. Në 2013-ën, kur fajin e kishte opozita, Shqipëria renditej e para në rajon për testet e PISA. Sot, që meritën e keni ju, jemi në rënie të pikut, të 62-tët në botë, poshtë çdo fqinji. Në 2013-ën, kur fajin e kishte opozita, buxheti për arsimin ishte 3.5% e prodhimit të brendshëm bruto. Sot, që meritën e keni ju, ka rënë në 2.2%.

Në 2013-ën, kur fajin e kishte opozita, raportohen ndërtimi i 1,000 dhe rikonstruksioni i 1,300 shkollave të ndryshme. Sot, që meritën e keni ju, janë mbyllur mbi 750 shkolla dhe rreth 70,000 nxënës më pak. Në 2013-ën, kur fajin e kishte opozita, qytetarët paguanin më pak për shëndetësinë nga xhepi. E sot, që meritën e keni ju, paguajnë rreth 60% të kostos së mëparshme.

Në 2013-ën, kur fajin e kishte opozita, Shqipëria ishte te grupi i vendeve me të ardhura të mesme të larta. Sot, që meritën e keni ju, jeni vendi me fuqinë blerëse më të ulët dhe me çmimet më të larta në rajon. Në 2013-ën, kur fajin e kishte opozita, lindshmëria premtonte rritje të kombit. Sot, që meritën e keni ju, lindjet kanë rënë me 22%. Ky është suksesi juaj mbi djepin shqiptar. Brenda 13 viteve kemi humbur vitalitetin tonë. Mosha mesatare është rritur me gati shtatë vite, dhe kjo do të thotë se po plakemi dy herë më shpejt se vendet e rajonit.

Vetëm nga mungesa e prodhimit dhe e konsumit të prodhimit, ekonomia jonë humbet miliona euro çdo vit. Ku janë këto miliona euro? Janë ata të rinj dhe të reja që, në vend që të ardhurat t’i marrin dhe t’i shpenzojnë në këtë vend, sot ne eksportojmë falas të gjithë trurin e kombit tonë, duke i bërë të punojnë për vendet e Bashkimit Europian. Këto janë sigurimet, këto janë të ardhurat e shqiptarëve.

Vitin e kaluar, Partia Demokratike prezantoi një program që ishte dritëshkurtër për ata që vjedhin, por shpërthimtar për ata që punojnë. Dua ta nis dhe të theksoj diçka shumë bazike, por të vlefshme për një shtet si Shqipëria. Propozuam minimumin etik 200 euro. Nuk ishte thjesht një premtim elektoral; ishte hapi i parë i një shteti që njeh dinjitetin njerëzor. Krahasojeni këtë me lëmoshën që lëshon qeveria sot, ku inflacioni ka gllabëruar çdo rritje fiktive të rrogave.

Do të doja të theksoja më së shumti diasporën, që sot është elementi më i rëndësishëm për Shqipërinë. Nuk është thjesht një numër llogarie apo një listë votuesish që kujtohen në prag zgjedhjesh. Ndërsa qeveria sot kërkon votën e diasporës dhe e ka bërë më së miri këtë përpara një viti, si një mjet për të mbajtur pushtetin, Partia Demokratike në ditët e saj më të vështira themeloi departamentin Brenga. Lindi si një nevojë; kjo strukturë lindi si një urë bashkëpunimi midis diasporës, midis atyre shqiptarëve që e kanë lënë Shqipërinë dhe atyre që dëshirojnë t’i tërheqin ata sërish, duke i angazhuar në detyra të ndryshme politike, dhe të gjithë këta, profesionistë dhe studentë pa dallim moshe. Ky angazhim, ky kontribut i vullnetshëm i dhënë përpara çdo interesi elektoral, dëshmon sa koherentë jemi ne si parti me nevojat e vërteta të shoqërisë, duke ju dhënë vendin e vet përpara se vota juaj të bëhej interes politik.

Thirrja ime e fundit është më shumë një detyrim moral, duke marrë njëherë shkas nga dita e shenjtë që Shqipëria ka sot. Vëllezër dhe motra në diasporë, ju që jeni detyruar të ikni me dhimbje në shpirt. Më 2 mars 1444, princat shqiptarë lanë mënjanë interesat e tyre për një kauzë më të rëndësishme. Ata kuptuan se nuk ishte rëndësi kush kishte kështjellën më të madhe, ndërsa vendi i tyre nuk do të ishte më. Sot ju bëj thirrje, bashkohuni…

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco