'8 ditë izolim për Juglindjen', gazetarja: Dhjetëra fshatra të bllokuara dhe qytetarë të detyruar të kalojnë nga Skrapari

13:40, 27/02/2026

Shembja totale e urës në aksin kombëtar Librazhd-Prrenjas, pranë zonës së Murrashit, ka shkaktuar një paralizë të plotë të qarkullimit, duke izoluar të gjithë pjesën juglindore të vendit nga kryeqyteti dhe pjesa tjetër e Shqipërisë.

Situata e krijuar prej tetë ditësh ka sjellë vështirësi të jashtëzakonshme për banorët e dhjetëra fshatrave, të cilët tashmë janë të detyruar të ndjekin një itinerar shumë më të gjatë përmes Skraparit për t'u furnizuar me ushqime apo për të marrë shërbime shëndetësore.

Gazetarja e Syri Televizion, Margarita Mëhillka raporton se bllokimi ka prekur rëndë edhe qytete si Prrenjasi dhe Korça, si dhe ka ndikuar në trafikun ndërkombëtar me Maqedoninë e Veriut, duke lënë mjete dhe qytetarë në pritje për orë të tëra.

Ndërkohë që në terren vijojnë punimet për ndërtimin e një rruge provizore që do të mundësojë rihapjen e pjesshme të qarkullimit, si shkak i mundshëm i kolapsit shihet presioni i ardhur nga punimet për ndërtimin e Korridorit të Tetë, segmenti i të cilit po ndërtohej direkt mbi urën e shembur.

Fatmirësisht, prej dy ditësh nuk ka pasur rrëshqitje të tjera toke dhe është mundësuar një kalim i kufizuar vetëm për këmbësorët. Por kriza e transportit në zonë rrezikon të thellohet edhe më tej.

Rruga e vetme alternative për automjetet e vogla, ajo e vjetra që kalon përmes Hotolishtit dhe Spatharit, ka shfaqur probleme serioze. Banorët kanë raportuar për një çarje të konsiderueshme në këtë aks, duke ngritur alarmin për një rrezik të mundshëm shembjeje edhe këtu.

Si përgjigje ndaj këtij rreziku të ri, Policia Rrugore ka marrë masa të menjëhershme. Gjatë ditës së sotme është bllokuar tërësisht kalimi në segmentin Hotolisht-Spatharë për të gjitha mjetet e tonazhit të rëndë, si autobusë dhe kamionë, me qëllim shmangien e një kolapsi të dytë. 

Deklarata e gazetares:

"Aksi nacional Librazhd-Prrenjas, një aks ky jetik për të lidhur juglindjen me kryeqytetin dhe pjesët e tjera të vendit, vijojnë punimet ditën e sotme, për shkak se është duke u krijuar dhe mundësia e hapjes së një rruge provizore në anë të rrugës ekzistuese, e cila ndodhet pranë urës në zonën e Murrashit, ura e cila u shemb totalisht.

Ndërkohë që, ditën e sotme vijojnë punimet për të bërë të mundur hapjen dhe qarkullimin në këtë rrugë, për t'a bërë rrugën provizore e cila do të shërbejë për të lidhur pjesën e juglindjes me pjesën tjetër të vendit.

Ndërkohë që kjo situatë ka sjellë shumë vështirësi në jetën e banorëve, të cilët do të duhet që të marrin rrugën tjetër nga Skrapari e më pas të dalin në Librazhd, për të kryer të gjitha nevojat e tyre, qoftë për t'u furnizuar me ushqime, qoftë dhe për urgjencat shëndetësore, pasi kjo është mënyra e vetme e kalimit.

Ndërkohë që, fatmirësisht, që prej ditës së djeshme në këtë rrugë është bërë e mundur që të ketë banorë që kalojnë në këmbë nga kjo pjesë, pas shembjes time që ndodhet pikërisht në anë të rrugës që u shemb totalisht dhe në pjesën e bypass-it provizor, i cili dhe ai pësoi dëmtime, por fatmirësisht që prej dy ditëve më parë nuk ka pasur më rrëshqitje toke dhe kjo mund të ketë ardhur si pasojë e çlirimit pak të presionit që ishte bërë sipër urës nga rruga e re e korridorit të tetë, i cili ishte duke u ndërtuar pra, sipër segmentit ekzistues dhe që mund të ketë çuar në shembjen totale të kësaj zone, e cila është një ndër pjesët më kryesore në fakt të gjithë aksit, duke qenë se bllokimi i saj prej tetë ditësh ka bllokuar dhjetëra fshatra, për të mos përmendur kështu qytetin e Prrenjasit, të Korçës apo Maqedoninë e Veriut, duke bërë që shumë persona të qëndrojnë me orë të tëra qoftë në pikat doganore për të kaluar më pas në pjesën e Morinës dhe për të kaluar nga ana tjetër e vendit, pra siç ishin kamionët që ndodhën dhe ditët e kaluara.

Ndërkohë që vetë banorët janë detyruar që të orientohen drejt pikave të tjera, të cilat janë dhënë qoftë nga Moglica, Gramsh e më pas në pjesët e tjera të vendit.

Por gjithashtu një rrugë tjetër alternative që është dhënë gjatë shtatë ditëve të fundit nga ana e banorëve, por qoftë edhe nga efektivat e policisë, ka qenë dhe pjesa e rrugës së vjetër, Hotolisht-Spatharë dhe më pas në Librazhd.

Është kjo një rrugë që është frekuentuar mjaft gjatë tetë ditëve të fundit, dua të them.

Ndërkohë që vetëm gjatë ditës së djeshme, nga banorët e zonës së Dardhës është ngritur shqetësimi se në rrugën që çonte, pra në rrugën lidhëse mes Hotolishtit dhe Spatharit, ka krijuar në rrugë një çarje të konsiderueshme, që mund të jetë më pas dhe rrezik për një shembje të mundshme.

Ndaj, gjatë ditës së sotme, policia ka orientuar të gjithë drejtuesit e autoveturave që të tregojnë një kujdes më të shtuar gjatë kalimit në këtë rrugë, ndërkohë që është bllokuar totalisht kalimi në rrugën më të afërt alternative, pra Spathar-Hotolisht, i të gjithë autobusëve dhe mjeteve të tonazhit të rëndë, për të mos nxitur dhe lëvizur më tepër aktivitetin e çarjes së tokës pikërisht në atë zonë, e cila duhet të themi që është një ndër rrugët që nuk ka njohur kurrë investime nga qeveria".
 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco