35 vite burg/ Hitaj për Ballukun: PS duhet ta largojë menjëherë, kjo mbrojtje politike na dëmton...

09:09, 24/02/2026

I ftuar në emisionin Kafe Shqeto, gazetari Arbër Hitaj foli mbi debatin e fortë politik që ka përfshirë mazhorancën për shkak të mbrojtjes së zv/kryeministres dhe ministres Belinda Balluku, ku u shpreh se nëse akuzat e ngritura në dosjen hetimore rezultojnë të vërteta, atëherë çdo mbrojtje politike ndaj saj kthehet në “nonsens”.

Hitaj theksoi se momenti kur një çështje kalon për gjykim duhet të jetë vija e kuqe për çdo forcë politike, pavarësisht emrit apo peshës së zyrtarit. Sipas tij, është e papranueshme që një përfaqësues i nivelit të lartë të qeverisë të vijojë funksionin publik dhe të përfaqësojë vendin në tryeza ndërkombëtare, ndërkohë që përballet me akuza të rënda.

Gazetari nënvizoi se çështja nuk është thjesht një kosto elektorale për Partinë Socialiste, por një goditje e drejtpërdrejtë për imazhin e Shqipërisë dhe besueshmërinë e institucioneve. Ai kërkoi qartësi dhe standard të ri politik, duke theksuar se askush nuk duhet të qëndrojë mbi ligjin.

Pjesë nga deklarata:

Shiko, unë deri pa dalë ato informacione nga mbledhja, pa lexuar dosjen, kam qenë skeptik, në sensin që nuk e dija të gjithë situatën në pjesën që ka të bëjë me përgjimet, hetimet e të tjera. Por nëse është e vërtetë, gjithmonë nëse është e vërtetë, pjesa që anëtarët e grupeve kriminale kanë kërcënuar dhe intimiduar dëshmitarët, atëherë edhe mbrojtja më duket nonsens. Në qoftë se kemi shkuar në këtë nivel, gjithmonë në qoftë se është e vërtetë – sepse nuk e kam lexuar dosjen – atëherë situata është shumë serioze.

Jo se po them që është e vërtetë, sepse nuk e di, nuk e kam lexuar dosjen. Flasim për 16.000 faqe. Dhe në qoftë se është e vërtetë, atëherë nuk duhet të ketë mbrojtje politike. Pra, unë besoj që ka ardhur koha, qartazi, që Partia Socialiste duhet të ketë një ndryshim të kursit të vet. Është në pushtet, ka mundësi të korrigjohet, sepse pushteti të jep të gjithë mekanizmat. Të gjithë ata individë që kanë probleme me drejtësinë nuk po flas për fazën fillestare që lidhet me hetimet ose me nisjen e procedurave por kur shkojmë në një fazë tjetër, kur çështja shkon për gjykim, të gjithë individët, kryetarë bashkish, deputetë ose ministra, duhet të jenë larg kabinetit ose firmës.

Kjo është një këshillë, një ide, një sugjerim i imi. Ata e dinë vetë çfarë do të bëjnë. Në fund të ditës, janë ata që do të përballen me elektoratin dhe me ndërkombëtarët, sepse tashmë është një betejë që shkon përtej Shqipërisë. Është një çështje që prek edhe faktorin ndërkombëtar. Është një kalkulim që e bëjnë ata vetë.

Unë mendoj, në optikën time, që ka ardhur koha për një qasje të re. Njerëz që kanë probleme me drejtësinë – nuk po them në fazën fillestare por në qoftë se dosja shkon për gjykim, atëherë automatikisht nuk duhet të ketë më mbrojtje politike, sepse nuk ka kuptim. Nuk mund të jetë një individ që shkon në zyrë paradite, një ditë tjetër paraqitet në drejtësi, dhe pastaj ditën e tretë ulet me zyrtarët e Bashkimit Europian dhe negocion për hapjen e grup-kapitujve.

Kjo më duket nonsens, sepse në fund të ditës, përveç kostos politike që mund t’i japë një force të caktuar, siç është Partia Socialiste ose mund edhe të mos i japë, sepse kemi parë që ndonjëherë nuk ka ndikuar problemi për mua si qytetar është imazhi i vendit. Nuk më shqetëson fati i një, dy apo tridhjetë socialistëve që mund të kenë probleme me drejtësinë. Mua më intereson imazhi i vendit. Në fund të ditës, pse duhet që kjo çështje e imazhit të kalojë në një nivel tjetër dhe të dëmtohet më tej?

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco