VIDEO/ Peka: Edi Rama olitikani më i izoluar në rajon; mungesa e tij në Mynih ngre pikëpyetje

20:51, 13/02/2026

Eksperti i çështjeve të sigurisë, Avenir Peka, ka analizuar në Edicionin ‘Ora 19’ në SYRI TV zhvillimet e Konferencës së Sigurisë në Mynih, duke u ndalur veçanërisht te mungesa e kryeministrit Edi Rama në një nga forumet më të rëndësishme globale për sigurinë.

Gjatë bisedës me moderatoren Armela Ferko, Peka u shpreh se, mosprania e Ramës në Mynih përbën një zhvillim të pazakontë dhe ngre pikëpyetje mbi pozicionimin ndërkombëtar të Shqipërisë, në një moment kur dinamika gjeopolitike kërkon angazhim të lartë diplomatik dhe institucional.

‘Mua më rezulton që nga shtatori i vitit të kaluar, Rama është politikani më i izoluar jo vetëm në Ballkan, po edhe më gjerë.

Kujtojmë që për herë të parë shtatorin e kaluar, që nga 2013, Rama nuk mori pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, dërgoi presidentin, ndërkohë që një vit më parë, në shtatorin e 2024-ës, ai e kishte përdorur forumin e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara për të shpallur platformën e krijimit të shtetit Bektashi, në qoftë se kujtohet.

Rama gjithë këtyre viteve më shumë ka funksionuar si ministri i Jashtëm sesa si kryeministër, ju e dini, vizitat e tij të jashtme, pjesa dërrmuese e tyre pa lidhje. Kujtojmë vjeshtën e 2025-ës, fillimin e këtij viti. Ka vizita të pafundme në Lindjen e Mesme, në disa vende prej Lindjes së Mesme, me të cilat Shqipëria nuk është se ka ndonjë raport të veçantë kur e krahason me Bashkimin Europian dhe me NATO-n, kuptohet. Mosvajtja e Ramës në këtë lloj samitesh, siç është rasti i konferencës së Mynihut vjen si një gjë e re.

Është hera e parë për një kryeministër shqiptar, por është hera e parë dhe për Ramën kur e dimë që Rama e ka përdorur këtë vite marrëdhëniet ndërkombëtare për të krijuar legjitimitet në Shqipëri. Dhe ajo çfarë bën çudi është që Rama kishte një ftesë, madje para dy ditësh edhe në faqen e internetit të konferencës së Mynihut u shpall që Rama është person që ishte i ftuar, dhe ishte krejt e pritshme që të shkonte.

Arsyeja se pse nuk shkoi, unë nuk e di, sepse nuk kanë një komunikim zyrtar. Përveç atij komunikimi që Shqipëria do përfaqësohet me ministrin e Jashtme.

Konferenca e sigurisë së Mynihut është një konferencë që është e një rëndësie të jashtëzakonshme sepse aty mblidhen përfaqësues në fushën e sigurisë edhe nga qeveritë, por edhe nga jashtë qeverive të figura, kryesisht të botës euroatlantike. Kohët e fundit ka filluar të përdoret edhe nga përfaqësues të vendeve të tjera. Sot pashë që ishte dhe ministri i jashtëm kinez.

Mbaj mend që platforma e politikës së jashtme dhe të sigurisë së Rusisë në 2007 është paraqitur nga presidenti Putin po në konferencën e Mynihut dhe gjithçka që ka ndodhur pas asaj kohe është parashikuar, është parashtruar aty si platformë. Kur ke parasysh personalitetet që marrin pjesë, sepse nuk është thjesht marrja e pjesë në konferencë dhe folja, të folurit në një, në një auditor të caktuar, por këto raste përdoren, përdoren si mekanizma për t'u, për të bërë takime bilaterale me, me partnerët.

Kur ke parasysh që numri i, numri i pjesëmarrësve është i madh, cilësia e pjesëmarrësve është, është e madhe. Herë të tjera Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë, janë përfaqësuar me zëvendëspresidentin, këtë radhë përfaqësohen me sekretarin e shtetit, por sekretari i shtetit është edhe këshilltar për sigurinë kombëtare njëkohësisht.

Është nënsekretari i mbrojtjes për politikën, që është truri i Ministrisë së, që është truri i Ministrisë së Mbrojtjes, një nga personalitetet më të rëndësishme në administratën e re dhe pa llogaritur pastaj Kancelaria Gjermane, kryeministrja italiane, presidenti francez e kështu me radhë’, u shpreh ndër të tjera, Avenir Peka në SYRI TV.  

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco