Forcat e policisë përdorën gaz lotsjellës dhe topa uji kundër protestuesve që hodhën bomba molotov dhe flakadanë gjatë një demonstrate të martën në mbrëmje në qendër të Tiranës, ku mijëra përkrahës të opozitës kërkuan dorëheqjen e qeverisë shqiptare.
Qeveria e kryeministrit Edi Rama po përballet me presion të shtuar për shkak të akuzave për korrupsion që lidhen me zëvendëskryeministren Belinda Balluku, ndërsa Rama ka refuzuar thirrjet për ta shkarkuar atë. Ndërkohë, janë intensifikuar kërkesat që deputetët t’i heqin Ballukut imunitetin parlamentar për t’i hapur rrugë ndjekjes penale, një veprim që realizohet vetëm përmes votimit në Kuvend.
Prokurorët kundër korrupsionit kanë akuzuar Ballukun, e cila është gjithashtu ministre e energjisë dhe infrastrukturës, për ndërhyrje në prokurimet publike për projekte ndërtimi me qëllim favorizimin e disa kompanive, dhe kanë kërkuar heqjen e imunitetit të saj.
Në protestën e së martës mbrëmja në kryeqytetin shqiptar morën pjesë mijëra persona. Ishte demonstrata e tretë e tillë në muajt e fundit që kërkon dorëheqjen e Ramës. Më shumë se 1300 efektivë policie ishin dislokuar për të garantuar sigurinë. Edhe protestat e mëparshme u shndërruan në të dhunshme, me demonstrues që hodhën bomba molotov dhe gurë ndaj policisë dhe një ndërtese qeveritare, ndërsa autoritetet u përgjigjën me gaz lotsjellës dhe topa uji.
Kreu i Partisë Demokratike në opozitë, Sali Berisha, e përshkroi protestën si një "kryengritje paqësore" në një moment kritik për Shqipërinë. Duke folur në protestë, ai akuzoi Ramën se "ka shpallur luftë ndaj sistemit të drejtësisë".
Shqipëria aspiron të bëhet pjesë e Bashkimit Europian dhe ndodhet nën vëzhgim të kujdesshëm nga blloku në kuadër të procesit të integrimit, të cilin synon ta mbyllë deri në vitin 2027.Megjithatë, organizatat ndërkombëtare të monitorimit theksojnë se vendi vijon të përballet me nivele të larta korrupsioni. / The Sun – Syri.net
© SYRI.net