Gjykata Kushtetuese zhvilloi seancë publike për ankesën e Partisë Demokratike, që kërkon shfuqizimin e ndryshimeve të njëanshme të Rregullores së Kuvendit. Kreu i grupit parlamentar demokrat, Gazment Bardhi, deklaroi se ndryshimet u bënë për të përjashtuar opozitën nga procesi i integrimit, ndërsa përfaqësuesi ligjor, Marash Logu, deklaroi se rregullorja e re u miratua në shkelje të të gjitha afateve ligjore.
Nga SYRI TV
Gjykata Kushtetuese ka marrë në shqyrtim kërkesën e Partisë Demokratike për shfuqizimin e ndryshimeve të Rregullores së Kuvendit, pas ankimimit të bërë nga deputetët demokratë. Gjatë seancës në Gjykatën Kushtetuese, kreu i grupit parlamentar demokrat deklaroi se ndryshimet e njëanshme të Rregullores së Kuvendit, të bëra nga mazhoranca në nisje të sesionit të ri parlamentar, synojnë ndër të tjera edhe përjashtimin e opozitës nga procesi i integrimit, duke sjellë në vëmendje shkrirjen e Komisionit për Integrimin Europian, me urdhër të kryeministrit Edi Rama.
"Në ka një punë të shtuar është komisioni i Integrimit. E kanë shkrirë dhe për ta fshirë opozitën nga procesi i integrimit europian, komisioni që në këtë legjislaturë presupozohet të ketë më shumë punë nga çdo komision tjetër e bashkojnë me një komision tjetër. Miratuam ligj brenda ditës. Mosndërhyrja e Gjykatës Kushtetuese do të sjellë përsëritjen e këtyre situatave në të ardhmen" tha Bardhi.
Ndërsa përfaqësuesi ligjor i Partisë Demokratike, Marash Logu, deklaroi para trupës së gjyqtarëve të Kushtetueses se Rregullorja e Kuvendit u miratua pa mundësi amendimi, pa debat dhe në shkelje të të gjitha afateve ligjore.
Ndërsa anëtarët e Gjykatës Kushtetuese i drejtuan një sërë pyetjesh përfaqësuesve të PD-së, kreu i grupit parlamentar demokrat, Gazment Bardhi, deklaroi se rregullorja e re e miratuar nga mazhoranca ka sjellë konfuzion dhe ka ndikuar në efektivitetin e punës së deputetëve, për shkak të mbledhjeve të përbashkëta që erdhën si pasojë e shtimit të disa komisioneve, që kanë të njëjtën fushë veprimtarie.
© SYRI.net