'Dosja Balluku' është dosja Rama', Balliu: Korrupsioni i kësaj qeverie po i mbyll derën e BE-së Shqipërisë

18:08, 06/02/2026

Integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian rrezikon të pezullohet për shkak të aferave madhore korruptive të qeverisë Rama, ku “dosja Balluku” dhe skandali i AKSHI-t shihen si përgjegjësi direkte e kryeministrit dhe kërcënim serioz për negociatat me BE-në.

I ftuar në emisionin Syri Digjital, nën moderimin e Bledi Markut, deputeti demokrat Klevis Balliu, në një lidhje direkte nga Washingtoni, u shpreh se aferat e rënda korruptive të qeverisë Rama po e vendosin seriozisht në rrezik procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Sipas tij, Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara janë tërësisht të informuara mbi dosjet e nxehta të qeverisë, përfshirë aferën Balluku dhe skandalin e AKSHI-t, të cilat mund të çojnë deri në ngrirjen e negociatave të anëtarësimit.

 Balliu theksoi se përgjegjësia politike është në nivelin më të lartë të qeverisjes, duke paralajmëruar se interesat personale dhe korrupsioni i kryeministrit po izolojnë Shqipërinë dhe po cenojnë drejtpërdrejt demokracinë, drejtësinë dhe të ardhmen europiane të vendit.

Pjesë nga deklarata:

E para, nuk është vetëm Gjermania. Jam shumë i informuar për këtë, madje patëm mundësinë ta diskutonim edhe javën e kaluar, që ju tregova pikërisht në televizionin tuaj. Në lidhje me aferat korruptive të Edi Ramës dhe qeverisë së tij, patjetër Balluku, por edhe AKSHI. Dy afera të cilat cënojnë integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Kryeministria ka qenë e informuar jo vetëm nga Gjermania, por Bashkimi Europian në tërësi mund të pezullojë negociatat deri në momentin që qeveria të largohet nga rruga dhe t’i japë mundësinë drejtësisë të kryejë detyrën dhe punën e vet.

Por thuhet për Ballukun, ndërkohë që në fakt ajo është për Edi Ramën, sepse çështja Balluku në fakt është çështja Rama. Balluku është një nga dhjetëra personazhe të kësaj dosjeje që ka marrë pjesën e vet dhe ka vjedhur me udhëzim të kryetarit. Por nuk mund ta quajmë dosje Balluku, kur dosja në fakt është e Edi Ramës.

Dhe pa diskutim që ka një pengesë direkte, por për këtë qeveri kjo nuk është problem. Problemi i tyre nuk është interesi kombëtar, apo Shqipëria, apo Europa. Problemi i tyre janë paratë që i kanë vjedhur qytetarëve shqiptarë dhe, për t’i mbajtur ato para, atyre u duhet të rrinë jashtë dyerve të burgut dhe të kenë pushtetin për të vazhduar vjedhjen dhe për të mbrojtur paratë që u kanë vjedhur qytetarëve shqiptarë.

Në këtë aspekt, sot mbarë Europa dhe Shtetet e Bashkuara, mund ta them me plot gojë, janë shumë të mirëinformuara për atë që po ndodh në Shqipëri dhe për çfarë narko-regjimi ka në Shqipëri, dhe patjetër do të pajisen edhe me fakte dhe dokumente zyrtare. Një pjesë e tyre janë pajisur tashmë me dokumente dhe informacione konkrete. Mund t’ju them që ato informacione kanë shkuar në çdo instancë të shtetit amerikan, përfshirë këtu Departamentin e Shtetit.

Çështja e kapjes së drejtësisë dhe përdorimi i saj si një armë politike ndaj kundërshtarëve politikë, siç janë liderët e opozitës, lideri Sali Berisha, kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta dhe kryetari i Partisë Republikane, zoti Mediu, është një nga çështjet për të cilat ata janë shumë të mirëinformuar.

Në lidhje me këtë, pra, nga Shtetet e Bashkuara deri te Bashkimi Europian, kanë një informacion të plotë tashmë dhe patjetër që sot integrimi i Shqipërisë në Europë po kërcënohet nga aferat korruptive të Edi Ramës dhe interesat personale të Edi Ramës. Pra, jo vetëm që po vidhen shqiptarët, por tanimë Shqipëria po izolohet për interes personal të Edi Ramës.

Ndaj dhe data 10 është sot më e rëndësishme se kurrë dhe nuk mund të kishte vend më të mirë për të më motivuar në protestën e radhës sesa Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të parë se si funksionon demokracia dhe pluralizmi, si funksionon shteti. Sepse kishim harruar se si funksiononte shteti, duke u marrë me një bandë kriminale që ka marrë peng institucionet e shtetit tonë.

Pra, në këtë aspekt, mund të themi që data 10 nuk mund të vinte në një moment më të mirë. Kjo protestë nuk mund të vinte në një moment më të mirë, për të dalë dhe për të bërë gjithçka për të rikthyer vendin në shinat e drejtësisë, në shinat e demokracisë, në shinat e pluralizmit, ashtu siç na duan edhe aleatët tanë europianë dhe aleatët tanë euro-atlantikë.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco