Normalizimi i së keqes dhe heshtja kolektive përballë saj përbëjnë një rrezik më të madh sesa vetë krimi. Ky ishte thelbi i një debati të thelluar mbi modelet e suksesit dhe krizën morale që po kalon shoqëria, duke marrë shkas nga skandali ndërkombëtar i Jeffrey Epstein për të reflektuar mbi realitetin shqiptar.
Sipas Pastorit Akil Pano i cili ishte i ftuar në edicionin e mesditës në Syri tv me moderatorin Arnold Kariqi, problemi kryesor i shoqërisë aktuale nuk është thjesht ekzistenca e veprave kriminale, por pranimi i tyre si diçka normale. Kur njerëzit e mirë heshtin përballë padrejtësisë, qoftë për arsye pragmatizmi, frike apo indiference, ata kontribuojnë në krijimin e një mjedisi ku viktimat reduktohen në detaje proceduriale dhe fajtorët humbasin emrat e tyre pas etiketave si "rrjete të strukturuara".
Në këtë kontekst, çështja Epstein nuk shihet si një përjashtim, por si një pasqyrë tronditëse që reflekton llojin e elitave që po prodhohen. Ajo ngre pyetje thelbësore për çdo shoqëri: Çfarë jemi gati të shesim për rehati, karrierë, pasuri apo pushtet? Sa kushton heshtja përballë abuzimit kur ai kryhet nga njerëz të pushtetshëm?
Në debat u theksua koncepti i ndërtimit të "shteteve offshore" jo vetëm fizikisht, por edhe si regjime brenda shtetit që funksionojnë mbi perceptimin e pandëshkueshmërisë. Një shoqëri që ndërton "offshore" për vesin dhe korrupsionin, një ditë do të përfundojë duke ndërtuar burgje për të pafajshmit. E keqja, u argumentua, nuk lind nga përbindëshat, por nga njerëzit që pushteti i ka bindur se janë të paprekshëm.
“Përballja me këto fenomene kërkon një reagim kolektiv”, tha Pano. Heshtja e shumicës përshkruhet si një "fatkeqësi kombëtare", duke lënë të hapur pyetjen se çfarë çmimi është i gatshëm të paguajë secili për të ruajtur rehatinë e tij përballë një sistemi që normalizon të keqen.
Arnold Kariqi: Sa e vështirë është që që botën ta drejtojnë lider të pakompromentueshëm, ose e thënë ndryshe, duke parë dhe duke lexuar, duke ndjekur këto që po ndodhin dhe po dalin në pah tashmë, ku mund t'i aksesojë kushdo, që nga moshat e vogla, adoleshentët, të rinjtë e moshat mesatare. Ajo që dua të pyes unë është, çfarë shembulli po i jepet shoqërisë dhe brezave që po rriten duke parë këtë model suksesi? Se kjo është problem më vete.
Akil Pano: Tani ky është problem që ne hasim përditë. Problemi kryesor nuk është e keqja. Problemi kryesor është normalizimi i së keqes. Problemi kryesor është kur njerëzit e mirë të këtij vendi heshtin përballë së keqes, për arsye pragmatizmit, më falni, për arsye të kafshatës, për arsye të indiferentizmit, për arsye të mosdijes, për arsye të frikës. Pra rreziku i madh nuk është krimi vetë, por normalizimi i tij. Rreziku është kur viktimat reduktohen në detaje proceduriale, kur fajtorët quhen rrjeti i strukturuar dhe emrat e tyre humbasin. Kur media lodhet dhe kur publiku mpaket.
Pra historia është ajo që që tha Platoni. Tirani lind nga një shthurje e pakontrolluar. Pra, Epstein nuk është përjashtim, në rastin tonë, ai është një pasqyrë. Një pasqyrë që na pyet të gjithëve, çfarë lloj elitash jemi duke prodhuar? Është pikërisht pyetja juaj. Çfarë jemi gati të shesim për rehatinë, për komoditetin, për kënaqësinë, për karrierën, për favoret? Për pasurimin, për pushtetin. Sa kushton heshtja jote sot? Pra çdo shoqëri që ndërton offshore për vesin, dhe nuk ke nevojë të kesh një ishull për të ndërtuar një offshore. Nuk ke nevojë të ndërtosh një shtet fetar brenda territorit të Republikës së Shqipërisë për të ndërtuar një shtet offshore. Një regjim i caktuar funksionon mbi perceptimin e një shteti offshore. Çdo shoqëri që ndërton offshore-t e saj për vesin, një ditë do të ndërtojë burg për të pafajshmit. Dhe e keqja siç thashë nuk lind nga përbindëshat, por nga njerëz që pushteti i ka bindur se janë të paprekshëm dhe ky është problemi akut që neve kemi në Shqipëri. Njerëz të veshur me pushtet politik dhe me pushtet financiar, të cilët e shikojnë që drejtësia mund të blihet, që shikojnë që janë të paprekshëm nga ligji, të cilët mendojnë që me paratë e tyre dhe me aksesin që kanë kudo, mund të arrijnë dhe mund të bëjnë gjithçka. Përgjegjësia e të gjithëve ne, duke nisur nga, vetja, si baba, duke nisur nga vetja si qytetar, duke nisur nga vetja si Pastor, duke nisur nga komunitetet e besimit, nga klerikët. Ne duhet të jemi njerëzit më në zë, njerëzit që do të duhet të komunikojmë të vërtetat hyjnore. Nuk kam lexuar, nuk e di ju ka bërë ju përshtypje apo jo, por nuk kam lexuar asnjë paragraf nga përfaqësuesit që i referonte që të referonte problemet morale që lidhen me çështjen Epstein nga asnjë nga përfaqësuesit fetarë. Mbase kërkoj ndjesë nëse i përgjithësoj të gjithë, sepse dikush mund të ketë shkruar, por nuk kam parë askënd që të komunikojë. Pse? Sepse kjo është një pyetje që mbase vetë ata duhet të japin përgjigje. Cilat, cilat janë arsyet e frikërave tona? Tek liderat dhe tek njerëzit e komuniteteve të besimit, në raport me, heshtjen e tyre.
Pse duhet të heshtin njerëzit e besimit? Kur shikojnë boshatisjen e vendit, kur shikojnë korrupsionin masiv.
Arnold Kariqi: Këtu edhe kur zgjidhet, myftiu ndërhyn politika, imagjino.
Akil Pano: Pra këto janë problemet, tona. Probleme shqiptare, por vjen një moment që këto probleme duhet të marrin zgjidhje. Fatkeqësisht, deri tani kemi parë nga politika, që politika duhet t'i japë zgjidhje. Absolutisht që do të gabonim nëse do ta shikonim politikën si një ndërmarrje vetëm të një klike apo të një grupi të caktuar diku që nuk kanë hapësirë për pjesën tjetër. Çdo qenie është qenie politike. Çdo njeri është njeri politik. Dhe unë realisht i bëj apel të gjithë klerikëve, të gjithë pastorëve, të gjithë priftërinjve, të gjithë hoxhallarëve, të gjithë imamëve, që të jenë të zëshëm në raport me grabitjen e integritetit, në raport me grabitjen e pronës, në raport me grabitjen e lirive, në raport me këtë bombardim nga të gjitha anët të rinisë tonë, të asaj pak rinie që ka mbetur këtu, me kundërmodelet, me antivlerat. Ne duhet të jemi ata të cilët do të ngremë zërin. Ne duhet të jemi ata të cilët do të prijmë rrugën. Por për një arsye apo për një tjetër që secili e di vetë, sepse e di vetë ku pikon çatia në shtëpinë e tij, pjesa më e madhe e jona hesht dhe kjo është fatkeqësia jonë kombëtare…
© SYRI.net