Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, akuzon kryeministrin Edi Rama se fshihet pas “kanosjeve mafioze” të prokurorëve të SPAK, për të cilët Klodian Braho ka kërkuar në KLP shtim të masave të sigurisë.
Në një reagim në Facebook, Këlliçi thotë se kryeministri po bën gjithçka për të penguar drejtësinë dhe po mbron aferat e tij, duke shkuar deri në kanosje mafioze.
Ai kujton se në kohën kur prokurorët e SPAK hetuan dhe ndoqën penalisht (madje politikisht) drejtuesit e opozitës në vend, nuk patën asnjë shqetësim me sigurinë e tyre; problemet nisën kur prokurorët u morën me hetimin e korrupsionit galopant dhe lidhjet e qeverisë me krimin.
“Shtimi i masave të sigurisë për prokurorët, e në veçanti për prokurorin Dritan Prençi, që ka dosjen Balluku, është një kambanë alarmi për situatën e rëndë ku ndodhet vendi. Çdo shqiptar e di sot se prokurorët e SPAK dhe ata të Ballukut, të aferave të tunelit dhe të tenderave qindra milionë euroshe, janë të kërcënuar nga Edi Rama”, thekson Këlliçi, duke ftuar të gjithë shqiptarët t’i bashkohen opozitës në protestën e 10 shkurtit, që do të mbahet para Kryeministrisë në orën 17:00.
“Bashkimi ynë në shesh, qendresa jonë, është fundi i tij”, nënvizon deputeti demokrat.
Reagimi ne facebook
Nga kërcënimet publike ndaj SPAK, Rama tani ka kaluar në akte mafioze!
Vendimi për shtimin e masave të sigurisë për prokurorët e SPAK pas një fushate sulmesh që ka ndërmarrë Edi Rama ndaj tyre, tregon edhe një herë se organizata më e madhe kriminale në vend, ajo e rilindjes, po vepron tashmë me metodat e saj mafioze.
Sa kohë që këta prokurorë hetuan dhe ndoqën penalisht (madje politikisht) drejtuesit e opozitës në vend, nuk patën asnjë shqetësim me sigurinë e tyre.
Problemet nisën kur u morën me korrupsionin galopant dhe lidhjet e qeverisë me krimin.
Kërcënimet nisën me Veliajn dhe po kulmojnë sot që është shpallur e pandehur Belinda Balluku dhe hetimet tanimë përfshijnë dhe Edi Ramën.
Kryeministri po bën gjithçka për të penguar drejtësinë dhe po mbron aferat e tij, duke refuzuar kërkesat e SPAK. Por nga ana tjetër, siç konfirmohet sot me vendimin që ka marrë KLP, ai ka shkuar dhe në kanosje mafioze.
Shtimi i masave të sigurisë për prokurorët, e në veçanti për Prokurorin Dritan Prençi që ka dosjen Balluku, është një kambanë alarmi për situatën e rëndë ku ndodhet vendi.
Çdo shqiptar e di sot se prokurorët e SPAK dhe ata të Ballukut, të aferave të tunelit, e të tenderave qindra mlionë euroshe, janë të kërcënuar nga Edi Rama.
Eshtë një moment vendimtar për Shqipërinë.
Ky bandit duhet ndalur.
Dhe vetëm qytetarët e kanë në dorë zgjidhjen.
Me 10 shkurt është dita për ta treguar këtë.
Bashkimi ynë në shesh, qendresa jonë, është fundi i tij.
© SYRI.net